Premtimet që nuk u realizuan kurrë në Kosovë

Hapja e mijëra vendeve të punës, rritja ekonomike deri në 10 për qind, rritja e pagës minimale, janë vetëm disa nga premtimet e partive politike në Kosovë që nga viti 2014, të cilat edhe kur kanë ardhur në pushtet, nuk kanë arritur t’i realizojnë, raporton REL.  Në zgjedhjet e vitit 2014 partitë politike prekën problemin më të madh që preokuponte qytetarët e Kosovës, hapjen e vendeve të reja punës.

Disa prej partive politike, premtuan nga 100 deri në 200 mijë vende të reja pune, që realisht edhe pas 6 vjetësh të këtij premtimi, ato vende pune nuk janë realizuar.

Nga zgjedhjet e vitit 2014 kryeministër i Kosovës erdhi Isa Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në koalicion me Partinë Demokratike (PDK) dhe Listën Serbe.

LDK-ja kishte premtuar 120 mijë vende pune, ndërkaq PDK-ja 200 mijë vende pune.

Nga 200 mijë vende të premtuara, vetëm rreth 45 mijë

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2014 atëherë kur edhe është premtuar hapja e deri 200 mijë vendeve të punës, të punësuar në Kosovë llogariteshin 323 mijë qytetarë, ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të ASK-së për tremujorin e parë të vitit 2020 të punësuar janë vetëm 368,076 persona.

Gjatë kësaj kohë, sipas kësaj përllogaritjeje i bie që nga premtimi i dhënë në vitin 2014 deri më tani, janë punësuar jo më shumë se 45,076 persona.

Ky koalicion qeverisës kishte udhëhequr Kosovën nga viti 2014 deri në vitin 2017. Ndërkohë, në fushatat parzgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të vitit 2017 dhe vitit 2019 asnjë nga partitë politike nuk kishte dhënë shifra të punësimit, vetëm se kishin premtuar ulje të papunësisë.

Papunësia në Kosovë vazhdon të ketë nivel të lartë dhe atë deri në 30 për qind sipas të dhënave zyrtare.

Rritja ekonomike

Edhe rritja ekonomike ishte një nga premtimet e partive politike që përsëritet në çdo fushatë. Në zgjedhjet e vitit 2017, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe partinë Nisma, patën premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind.

Ndërkaq, koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, kishin premtuar rritje ekonomike 6 deri në 7 për qind.

Nga këto zgjedhje, të cilat u mbajtën më 11 qershor 2017, kryeministër ishte zgjedhur Ramush Haradinaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Në koalicion qeverisës me AAK-në ishte edhe Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) dhe Nisma Socialdemokrate.

Ky koalicion e kishte udhëhequr shtetin dy vjet, por premtimin e dhënë për rritje ekonomike deri në 8 për qind, nuk e realizoi.

Rritja ekonomike e premtuar deri në 10 për qind, vetëm 3.9 për qind

Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2017, shënoi rritje vjetore prej rreth 3.7 për qind, ndërkaq në vitin 2018 kishe shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Rritja ekonomike kishe zënë vend edhe në programet e partive politike në zgjedhjet e vitit 2019.

PDK-ja në programin qeverisës kishte paraparë rritje ekonomike rreth 8 për qind. Koalicioni ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate pati premtuar rritje ekonomike nga 7 deri në 9 për qind. Koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, pati premtuar rritje ekonomike më të lartë se 5 për qind.

Lëvizja Vetëvendosje pati garantuar dyfishim të normës vjetore të rritjes ekonomike, ndërkaq LDK-ja, në bazë të paraqitjeve publike, kishte premtuar rritje ekonomike deri në 8 për qind.

VV-ja dhe LDK-ja të cilat erdhën në pushtet, por në një periudhë të shkurtë qeverisëse nuk arritën të realizonin këtë premtim.

Sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale prej 3.9 për qind. Ndërkaq, në vitin 2020 si pasojë e pandemisë COVID-19, ka pasur rënie ekonomike deri në 7 për qind.

Paga minimale, premtimi i parealizuar

Rritja e pagës minimale ka qenë, po ashtu, një nga premtimet e partive politike gjatë fushatave zgjedhore. Nga të gjitha partitë politike është premtua rritja e kësaj page, por ajo vazhdon të mbetet e njëjtë që nga viti 2011.

Paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç. Për rritje të pagës minimale si asnjëherë më parë po premtohet në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 14 shkurt.

LDK-ja në këto zgjedhje premton pagë minimale 300 euro dhe heqjen e nivelizimit sipas moshës. Vetëvendosje premton pagë minimale 250 euro. Partia Demokratike e Kosovës premton pagë minimale 300 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button