fbpx

Zgjidhen aplikacionet më të mira në botë për celularë

Në Abu Dhabi u zgjodhën  40 aplikacionet dhe përmbajtjet më të mira për celularë në organizim të World Summit Award (WSA) – Mobile Content, një nga organizimet më të mëdha në botë në sferën e teknologjive.

Disa nga fituesit janë: iButterfly mori çmimin e parë në kategorinë e m-Business & Commerce,  roadroid.se për m-Government & Participation,  www.dermandar.com për m-Entertainment & Lifestyle www.projectnoah.org per m-Education and learning. 

Në këtë ngjarje katër ditore morën pjesë delegatë nga 160 vende, profesionistë të Internet teknologjive, ekspertë dhe përfaqësues të qeverive. Antarët e jurisë ishin emra të njohur të ekspertëve të informatikës ndër to dhe Bardhyl Jashari, drejtor i fondacionit për Internet dhe shoqëri nga Maqedonia, Metamorphosis

“Ngjarja ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar dhe për të këmbyer njohuri me ekspertët më të njohur të kësaj lëmie. Kisha mundësinë të njoftohem me zhvillimet e fundit në sferën e krijimit të përmbajtjeve për celularë. Në Maqedoni ekziston një potencial për zhvillim duke pasur parasysh se përdorimi i celularëve në Maqedoni është i lartë dhe gjithashtu përdorimi i smartphones dita ditës ritet” thotë për Portalb, Jashari.

Ai ka cekur se për këtë çmim mund të konkurrojë gjithë krijuesit nga Maqedonia, ndërsa për përvojën e tij si anëtar i jurisë thotë se kanë qenë shumë interesante bisedat dhe këndvështrimet e ekspertëve të ndryshëm nga mbarë bota gjatë aplikimit të rolit të jurisë.

“Ky diversitet e bënte punën interesante dhe e pasuronte debatin me vlerësime nga më të ndryshmet. Andaj, produktet që fituan me të vërtetë janë kualitative dhe sjellin inovacion” përfundon Jashari.

Një nga panelistët në këtë eveniment ishte krijuesi i lojës për celularë aktualisht më të famshme në botë “Angry Birds” Harri Koponen.

Ai në një prononcim për Portalb, tha se suksesi i madh që ka arritur është falë punës së palodhshme.

“Mundohemi ta eliminojmë elementin e fatit me profesionalizëm dhe punë të palodhshme. Ajo që ne kemi bërë është si rezultat i punës dhe djersës që ne kemi derdhur sepse nuk ka rrugë të shkurtër për te suksesi” ka shpjeguar Koponen.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje e cila organizohet për çdo vit, u mbajtën fjalime nga ekspertë, punëtori për inovacione të celularëve,  Kongres Global dhe ekspozitë me inovacionet më të reja në sferën e teknologjive të celularëve.

 /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button