Libri “Gjeografia e Maqedonisë”, intervistë me profesorin e gjeografisë, Azbi Ademi

“Skandaloz dhe me tendencë të zhdukjes së fakteve që dëshmojnë autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”. Kështu profesori i lëndës së Gjeografisë në Gjimnazin e Tetovës, Azbi Ademi, e vlerëson librin me të cilin aktualisht mësojnë shkollarët e mesëm, me titull “Gjeografia e Maqedonisë”. Ai në një intervistë për Portalb.mk theksoi se për këtë libër, kompetentët kanë qenë në dijeni nga viti 2003 dhe nuk kanë ndërmarrë asgjë, shkruan Portalb.mk.

Pak vite afër penzionit, megjithatë, profesori i gjeografisë në Gjimnazin e Tetovës “Kiril Pejcinoviç” nuk heziton të ngrejë zërin kundër librit fyes kundrejt shqiptarëve “Gjeografia e Maqedonisë”.

Azbi Ademi, profesor i gjeografisë.
Azbi Ademi, profesor i gjeografisë.

Ai shtoi se kanë kaluar më shumë se 25 vite nga kur ka analizuar çdo faqe të librit, dhe janë gjetur mbi 20 gabime në secilin prej tyre.

“Ky libër është skandaloz, në vitin 2003 u botua i njëjti me shumë gabime, gabimet nuk janë drejtshkrimore por janë tendencioze dhe shumë ofenduese për ne shqiptarët e RMV-së. Ne kemi analizu çdo faqe të librit dhe në secilën prej tyre ka mbi 20 gabime, qoftë shkencore, qoftë linguistike etj. Ata pesë autorët maqedonas kanë ofenduar shqiptarët” tha Azbi Ademi, profesor.

Ai potencoi se ofendimi më i madh qëndron në atë faqe ku thuhet se shqiptarët janë sajuar me shqiptarizimin e maqedonasve, dhe sipas tij, ky nuk është ndonjë gabim i paqëllimshëm por me qëllimin e vetëm që të zhduk autoktoninë e shqiptarëve në RMV.

“Në faqen e 90 ku thotë se shqiptarët janë sajuar me shqiptarizimin e maqedonasve. Qëllimi i këtij libri ka qenë zhdukja e autoktonisë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Nuk duan që ne të jemi autokton këtu, por shumë fakte dëshmojnë të kundërtën” tha Ademi.

Në pyetjen se pse deri tani nuk kanë reaguar profesorët, Ademi thotë se ka pasur reagime nga viti 2003 në seminare të ndryshme në Shkup, kur edhe profesorët shqiptar u pajtuan të bojkotojnë atë libër, megjithatë, zëri i tyre ka hasur në vesh të shurdhër.

Libri "Gjeografia e Maqedonisë".
Libri “Gjeografia e Maqedonisë”.

“Ne në vitin 2004 në Shkup në seminare kemi reaguar dhe kemi bojkotuar atë libër. Kemi thënë se pa mos u përmirësua ky libër dhe të korrigjohet me radhë, nuk do ta përdorim. Ne kemi qenë të detyruar që të shkojmë sipas titullit të librit por përmbajtjen ta përpilojmë vetë” tha Azbi Ademi.

Ai mes të tjerash, potencoi faktin se kompetentët dhe të gjithë ministrat kanë qenë të njoftuar për këtë libër nga viti 2002 por nuk kanë ndërmarrë asgjë për heqjen e tij nga përdorimi, ai shtoi se atyre asnjëherë nuk ju ka interesuar arsimi.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit në atë kohë kërkesat tona i haste në vesh të shurdhër dhe bëheshin sikur nuk dinë asgjë, atyre nuk ju ka interesuar se çfarë shpjegojmë ne dhe çfarë bëhet. Nuk kanë interes për shkollë këta njerëz” tha Ademi.

Kryeministri Zaev për Portalb.mk premtoi se këtë vit do të hiqet nga përdorimi libri

E dyta herë për të njëjtin mandat kryeministri Zaev për Portalb.mk premtoi se do të ndërmerren hapa konkret në heqjen prej përdorimi të librit “Gjeografia e Maqedonisë”, libër ky, që ka përmbajtje fyese kundrejt shqiptarëve dhe jo vetëm.

 

Ai potencoi se në reformat të cilat realizohen aktualisht janë përfshirë edhe ndryshimet e disa prej librave, pasi që siç theksoi Zaev, ky libër nuk është i vetmi me përmbajtje të tillë fyese kundrejt një nacionaliteti.

“Për shkak se në planin e reformave të parapara në arsim, janë përfshirë edhe ndryshimi i librave. Nuk mundet që në qoftë se nuk keni të përgatitura përmbajtje të re mësimore, në cilëndo qoftë lëndë, të heqin lëndën menjëherë që të mund të ndryshohen përmbajtjet, ato përmbajtje veçse ndryshohen, dhe një nga hapat e rëndësishme është sigurimi i librave kualitativ në shkollimin fillor dhe të mesme” tha Zaev.


Cilat janë pikat kontestuese të këtij libri?

1.    Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.

2.    Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.

3.    Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.

4.    Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.

5.    Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.

6.    Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.

7.    Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.


LEXO MË SHUMË SHKRIMET E PORTALB.MK PËR TEMËN NË FJALË:

·         Ende në përdorim, çfarë fshihet pas librave skandalozë të gjeografisë dhe historisë? (VIDEO)

·         10 vjet në përdorim, kryeministri Zaev nuk është i informuar se shqiptarët fyhen në librat shkollor (VIDEO)

·         Librat fyes për shqiptarët aktualisht nuk mund të korrigjohen, sipas ministrit “do të nxiten tensione etnike”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button