fbpx

 Besimi – Angelov: Jemi të përkushtuar në ndërtimin hekurudhor të Korridorit 8

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, por edhe realizimi i përshpejtuar i projekteve të rëndësishme infrastrukturore që do të rrisin lidhjen midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Republikës së Bullgarisë, ishin temat e diskutimit në takimin midis Ministrit të Financave Fatmir Besimi dhe Ambasadorit të Republikës së Bullgarisë,  Angel Angelov, njofton Portalb.mk.

“Në fushën e infrastrukturës së transportit, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut është e angazhuar për ndërtimin e pjesës hekurudhore të Korridorit 8. Për fazën e parë dhe të dytë mjetet tashmë janë siguruar, ndërsa për fazën e tretë janë siguruar grant mjete  nga Programi IPA 2  dhe  në procedurë është  sigurimi shtesë për konstruktin  financiar”, tha Besimi.

Në të njëjtën kohë, njoftojnë nga Ministria e Financave, është duke u zhvilluar ndërtimi dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore në Korridorin 8, nga kalimi kufitar Qafë Thanës me Republikën e Shqipërisë në perëndim deri në vendkalimin kufitar Deve Bair me Republikën e Bullgarisë në lindje.

Në takim u diskutua gjithashtu përmirësimi i mëtejshëm i efikasitetit dhe efektivitetit të shpenzimeve publike përmes zbatimit të Programit të Reformës së Menaxhimit të Financave Publike, si qëllimi kryesor i twining projektit  “Forcimi i planifikimit të buxhetit, ekzekutimit dhe funksioneve të kontrollit të brendshëm” brenda të cilit Ministria e Financave bashkëpunon me Ministrinë e Financave të Republikës së Bullgarisë, si një nga vendet partnere në këtë projekt.  

Përndryshe, që nga viti 2017 ka projekt për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë – vendkalimi kufitar me Shqipërinë, Qafë Thanë, por ndërtimi i kësaj hekurudhe deri tani ka mbetur premtim i parealizuar. Lidhja hekurudhore do të mundësojë përfitime ekonomike për dy shtetet sepse Shqipëria fiton mundësi për të lidhur me linjë hekurudhore me Bullgarinë, ndërsa Maqedonia e Veriut do ketë mundësi të lidhet me portin e Durrësit, me çka do të lehtësohet transporti i mallrave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button