fbpx

SHBA lëshoi urdhër për sanksionimin e udhëheqësve të puçit në Mianmar

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, lëshoi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e sanksioneve kundër udhëheqësve të puçit ushtarak në Mianmar.

Sanksionet godasin dhjetë individë, përfshirë ushtruesin e detyrës së presidentit, dhe tri kompani, shkruan REL.

Hapa u ndërmorën edhe për të bllokuar qasjen e ushtrisë në një miliard dollarë fonde të Qeverisë së Mianmarit, që mbahen në SHBA.

Ushtria e Mianmarit, vendit që ndryshe njihet edhe si Birmani, ka organizuar puç më 1 shkurt, duke përmbysur Qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Aung San Suu Kyisë.

Dhjetëra mijëra njerëz janë duke protestuar tash e një javë, përkundër ndalimit të tubimeve të mëdha nga autoritetet dhe vendosjes së orës policore.

Ka raporte për njerëz të plagosur rëndë, pasi policia përdori gazin lotsjellës, topat e ujit dhe plumbat e gomës kundër protestuesve.

Presidenti Biden kërkoi zmbrapsjen e puçit dhe lirimin e udhëheqësve civilë, përfshirë Suu Kyinë.

“Zërat e popullit të Birmanisë po dëgjohen dhe bota po shikon”, tha Biden, duke u zotuar se do të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse është e nevojshme.

“Do të vendosim kontrolle të forta të eksporteve. Do ta ngrijmë pasurinë në SHBA, nga e cila përfiton Qeveria birmaneze, ndërsa do ta vazhdojmë mbështetjen për kujdesin shëndetësor, grupet e shoqërisë civile dhe zonat e tjera, nga të cilat përfiton drejtpërdrejt populli i Birmanisë”, tha Biden.

Kjo është hera e parë që Biden përdor sanksionet, prejse ka marrë detyrën e presidentit më 20 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button