RMV, kush duhet të mbajë përgjegjësi për librin skandaloz të Gjeografisë?

Edhe pse shumë shpesh është ri-aktualizuar si temë, për vite me radhë problemi me librin e Gjeografisë për vitin e II nuk ka gjetur zgjidhje. Për ekzistencën e këtij libri skandaloz, ku shqiptarët fyhen në mënyrë të drejtpërdrejtë, ka pasur ndër vite arsyetime me bollëk, por zero përgjegjësi. Askush prej askujt, tekstualisht, nuk kërkoi përgjegjësi për miratimin apo lëshimin në përdorim të këtij libri dhe librave si ky. Udhëheqësit politik, janë shprehur vetëm se këto libra do të ndryshohen, por vetëm kaq, llogaridhënia nuk përmendet për asnjë moment, shkruan Portalb.mk.

Ku qëndron problemi në thelb? Si miratohen këto libra, kush i aprovon dhe kush duhet të bart përgjegjësi?

Përgjegjësia për lëshimin e një libri të tillë bie mbi disa instiucione arsimore, duke filluar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe organi i saj – Njësia për Shërbim Pedagogjik, Komisioni Nacional, si dhe Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Kompetencat e Komisionit Nacional sipas Ligjit për tekstet shkollore të arsimit fillore dhe të mesëm 

Kompetencat e këtij Komisioni ti cilin e zgjedh Qeveria,  janë jo pak të mëdha, si formimi i komisionit recensues, dhënia e mendimit për Shërbimin Pedagogjik nga komisionet e rishikimit për librat shkollorë të përshtatur dhe ngjashëm.

Ligji për librat shkollor për shkollat fillore dhe të mesme, përcakton kompetencat si më poshtë:

– të formojë komisione recensuese për tekstet shkollore nga recensentë të fushave të duhur shkencore,
– paraqesë mendim te drejtori për Shërbim Pedagogjik nga komisionet e rishikimit për librat shkollorë
– të zgjedhë recensentë në komisionin recensues për dorëshkrimet e librave shkollorë nga radhët e arsimit fillor, të mesëm dhe të lartë, nëse në shpalljen publike, nuk paraqitet asnjë kandidat nga ndonjë fushë e duhur shkencore,

Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë

– të emërojë nga anëtarët e vet një anëtar raportues, i cili do t’i raportojë kryetarit dhe anëtarëve të tjerë të Komisionit Nacional për vlerësimin profesional të dorëshkrimeve të librave shkollorë për temat përkatëse nga komitetet e vlerësimit dhe për mendimin e Byrosë për pajtueshmërinë e dorëshkrimeve të teksteve me programin mësimor,
– të zhvillojë diskutim mbi vlerësimet e ekspertëve për tekstet shkollore në lëndët përkatëse nga komisionet e vlerësimit dhe për mendimin e Byrosë dhe të vendosë nëse vlerësimi i ekspertëve, gjegjësisht mendimi do të pranohet ose jo,
– nëse vlerëson se ka lëshime dhe mospërputhje të konsiderueshme në vlerësimin profesional të teksteve të librave shkollorë në lëndët përkatëse nga komisionet e rishikimit, mund të mos ta pranojë të njëjtin, të shpërndajë komisionin e rishikimit dhe të formojë një ekip ekspertësh të përbërë nga të paktën tre anëtarë nga gradat e mësuesve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë që plotësojnë kërkesat për rishikimin e librave shkollorë dhe të cilët do të kontrollojnë vlerësimin profesional të librave shkollorë,
– të marrë vendim për aprovim dhe përdorim të një libri shkollor në arsimin fillor, gjegjësisht të mesëm ose vendim që të mos zgjedhë tekstet e paraqitura shkollore.

Funksioni i Shërbimit Pedagogjik në botimin dhe lëshimin e librave shkollor

Sipas Ligjit për Shërbim Pedagogjik, Shërbimi Pedagogjik drejtpërdrejt bashkëpunon me Byronë për Zhvillimin e Arsimit, Inspektoratin Shtetëror të Arsimit, institucionet e larta arsimore dhe shkencore, organet e komunave, komunave të qytetit të Shkupit, përkatësisht qytetit të Shkupit, shkollat, institucionet ndërkombëtare për edukim dhe arsim, si dhe me institucione dhe shoqata tjera.

Sektori për tekstet shkollore në kuadër të organit Shërbim Pedagogjik ndahet në dy njësi: njësia për mbështetje të Komisionit nacional për tekste shkollore dhe komisioneve të recensionit. Këto dy njësi, pa anashkaluar këtu institucionet e sipërpërmendura, kanë rol kyç në procesin e lëshimit dhe përpilimit të teksteve shkollore.

Në këtë drejtori, shpallen konkurse publike për recensentë për dorëshkrimet e librave shkollorë, bëhet zgjedhja e recensentëve për dorëshkrimet e librave shkollorë me aprovim gjithmonë nga ana e Byrosë dhe institucioneve të tjera të lartëpërmendura.

Në nenin 10 të Ligjit për shërbim pedagogjik, thuhet se :Drejtori i Shërbimit Pedagogjik:
– e miraton programin vjetor për punën e Shërbimit Pedagogjik,
– e miraton raportin vjetor për punën e Shërbimit Pedagogjik,
– e organizon realizimin e programit vjetor,
– shpall konkurs publik për recensentë për dorëshkrimet e librave shkollorë dhe
– e bën zgjedhjen e recensentëve për dorëshkrimet e librave shkollorë.

Të pyetur nga Portalb.mk, nga Shërbimi Pedagogjik, thonë se pyetjet duhet adresuar Ministrisë së Arsimit edhe pse ky organ është pikërisht vetë pjesë e institucionit më të lartë arsimor. Ata arsyetohen se qysh nga botimi dhe lëshimi në përdorim i këtij teksti ka kaluar shumë kohë e gjatë dhe deri tani ka ndryshuar edhe përbërja e këtij organi, madje kanë ndryshuar edhe ligje të caktuara të arsimit.

“Këto pyetje duhet t’i drejtoni tek portali i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, sepse drejtëprdrejtë ne nuk mund t’ju përgjigjemi,  çështje rregulle”, thuhet në përgjigjen e njësisë për Shërbim Pedagogjik, lidhur me pyetjet e Portalb.mk, se cilat janë filtrat nëpër të cilat kalon botimi i një libri shkollor.

Byroja për Zhvillim të Arsimit në RMV që as uebfaqe të rregullt në shqip nuk ka!

Funksioni i Byrosë për Zhvillim të Arsimit në botimin dhe lëshimin e librave shkollor

Byroja për Zhvillim të Arsimit, gjithashtu ka funksion shumë të rëndësishëm në këtë çështje. Sipas Ligjit të Byrosë për Zhvillim të Arsimit, ky institucion, ndër të tjera përgatit koncept për librat mësimorë për arsimin e mesëm dhe fillor dhe metodologjinë për vlerësimin e dorëshkrimeve dhe kualitetit të librave mësimorë.

Byroja për Zhvillimin e Arsimit, sipas Ligjit për Byronë e Zhvillimit të arsimit kryen konkretisht këto funksione sa i përket kësaj çështjeje:

  • përgatit koncept për librat mësimorë për arsimin e mesëm dhe fillor dhe metodologjinë për
    vlerësimin e dorëshkrimeve dhe kualitetit të librave mësimorë;
  •  propozon programin për botimin e librave mësimorë për arsimin dhe edukimin
    parashkollor, fillor dhe të mesëm;
  • propozon programe për botimin e librave mësimorë për programin mësimor
    eksperimental;
  • në mënyrë permanente e përcjell kualitetin e librave mësimorë, revistave për fëmijë dhe
    literaturës plotësuese nga sfera e edukimit dhe arsimit dhe
  • jep ndihmë profesionale për literaturën profesionale, revista dhe publikime që kontribuojnë
    për zhvillimin e edukimit dhe arsimit.
  • përpilon koncept për libër mësimor, program për botimin e librave mësimorë dhe
    metodologji për vlerësimin profesional të dorëshkrimeve të librit mësimor dhe për
    vlerësimin e kualitetit të librit mësimorë.

Në mënyrë të veçantë, duhet theksuar, se as Byroja, as Komisioni Nacional dhe as Shërbimi Pedagogjik në asnjë moment nuk kanë vepruar për librin në fjalë, aq më pak të pëcjellin në mënyrë permanente kualitetin e librave mësimorë, pasi ky nuk është i vetmi rast. Këta institucione nuk janë vënë përpara llogaridhënies, por duhet të vihen.

Lidhur me këtë çëshjte, profesori i historisë Naser Miftari shprehet se historia nuk guxon të preket, pasi teksti është burim kryesor i informacionit për nxënësit.

“Historia nuk lejon modifikim, programime. Ajo është e kaluar e kombit, dhe nuk guxon të preket, dhe duhet të bëhet dogmë. Krahas kësaj, me këto tekste nuk plotësohen kriteret didaktike. Nuk mund të shtjellohen njësitë mësimore me hipokrizi. Teksti mbjell mosbesim te nxënësi ndaj historisë. Teksti është burim kryesor i informacionit për nxënësit”, tha Miftari.

Ndërkohë Muhamed Jashari, redaktor në Shtëpinë Botuese Logos A, thekson se përgjegjësia e skandaleve të tilla bie në çdo pjesmarrës, duke fillua nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, autorët, redaktori, recensuesi dhe përkëthyesi. Për gabimet e tilla, ai shprehet se ka dy mundësi, ose libri nuk eshte redaktuar dhe recensuar fare ose është lëshim i qëllimshëm, pasi siç shprehet një gabim i tillë nuk mund të ndodhë kur një libër kalon gjithë ato filtra.

“Faji mbetet i të gjithëve, i autorëve, i shtëpisë botuese, i gjeografit në atë rast, i recensentit. Domethënë të gjithë janë fajtor të atij skandali. Mirëpo, duhet të jepet maksimumi në aspektin përmbajtjesor, në aspektin teknik, në të gjitha aspektet. Duhet katër ose pesë herë të lexohet përpara se të botohet. T’i jepet gjuhëtarit, recensentit, t’i jepet përkthyesit nëse ka ndonjë paragraf që nuk kuptohet. Domethënë, është njëfarë procesi deri sa të dalë botimi, por nuk mund të merret menjëherë përthimi dhe të botohet se pastaj mund të ndodhin lloj-lloj skandalesh. Kjo është ajo bazikja, pastaj tjerat më shumë janë punë administrative. Këto duhet ti vërejë eksperti/njohësi përkatës i asaj fushe”, shprehet Jashari.

Krerët e lartë të vendit kanë propozuar heqjen ose ndryshimin e tekstit, por jo edhe përgjegjësi

Për këtë libër si dhe libra të tjerë me përmbajtje të ngjashme, asnjëherë nuk është kërkuar përgjegjësi, nga institucionet e sipërpërmendura. Aktorët kryesor politik, janë shprehur se do të hiqen librat e till, por kurrë nuk është thënë do të kërkojnë përgjegjësi nga institucionet përkatëse/përgjegjëse.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi
Ministri i Arsimit dhe Shkencës i Maqedonisë, Arbër Ademi

Ish-ministri  i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi rreth tre vite më parë, lidhur me pyetjen se pse bashkë me korrigjimin e teksteve mësimore nga Kimia, Fizika, Matematika, Shkencat Natyrore dhe Biologjia, nuk u korrigjuan edhe libri i historisë dhe gjeografisë, ministri Ademi u pëgjigj kështu:

“Mendoj që pas kësaj faze të vazhdojmë edhe me tekstet tjera shkollore dhe të korrigjojmë të gjitha ato tekste shkollorë në të cilat konstatohen gabime apo lëshime qoftë në aspektin metodologjik teknik profesional apo gabime lëshime në aspektin e përkthimit dhe adaptimit. Kemi bërë një hap të rëndësishëm nuk do të ndalemi edhe më tutje. Sigurisht që të gjitha tekstet shkollore nuk duhet të nxisin urrejtje dhe tensione por përkundrazi duhet të na bashkojnë dhe unifikojnë”, tha ministri Ademi.

Zoran Zaev

Ndërkohë Kryeministri Zoran Zaev, poashtu para tre vitesh, as nuk e kishte idenë se ekzistojnë libra ku fyheshin shqiptarët,

“Nuk i di detajet. Do të flas me Ademin. Më detajisht do t’ju përgjigjem, se a është ajo ashtu, dhe nëse është ashtu, kur do të tërhiqet, si tërhiqet, dhe të ngjashme”, tha Zaev.

Por pas tre vitesh, tashmë kryeministri ishte shumë i vetëdijshëm se ky libër nuk është i vetmi me përmbajtje të tilla fyese kundrejt një nacionaliteti. Megjithatë askund nuk u përmend përgjegjësia.

“Për shkak se në planin e reformave të parapara në arsim, janë përfshirë edhe ndryshimi i librave. Nuk mundet që në qoftë se nuk keni të përgatitura përmbajtje të re mësimore, në cilëndo qoftë lëndë, të heqin lëndën menjëherë që të mund të ndryshohen përmbajtjet, ato përmbajtje veçse ndryshohen, dhe një nga hapat e rëndësishme është sigurimi i librave kualitativ në shkollimin fillor dhe të mesme” tha Zaev.

Me këtë që shtjelluam, arrijmë në përfundimin se ligjet për veprimin në këtë drejtim, rishikimin e këtyre teksteve skandaloze dhe përgjegjësisë padyshim janë të pazbatueshme. Po të zbatoheshin, nuk kishte se si të ndodhë që nxënësit të mësojnë për rreth 19 vite histori të trilluar prej nuk dihet se ku dhe aq më tepër i pa bazuar në historinë e vërtetë të shqiptarëve.

Ndryshe, Gjeografia për vitin e dytë në gjimnaz, sipas hulumtimit të Portalb.mk, ka shtatë momente kontestuese të historisë së Maqedonisë.

  1. Faqja 99 thotë: Shqiptarët kanë qenë maqedonas por në kohën e pushtetit osman janë bërë shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë e kanë prejardhjen nga çerkezët, romë dhe turqit.
  2. Në shumë pjesë të librit, përfshirë edhe faqen 104, thuhet se: Shqiptarët në Maqedoni kanë ardhur në periudha të ndryshme kohore, duke nisur nga viti 1780.
  3. Në faqen 104 ka pika të përbashkëta me “Serdarot” të Gligor Përliçev ku thuhet se: Shqiptarët kanë migruar në Maqedoni, duke i malltretuar fizikisht, duke i vjedhur, duke i kidnapuar dhe duke i vrarë maqedonasit vendas. Shkruan se për këtë shqiptarët i ka ndihmuar qeveria turke.
  4. Në faqen 103: Shqipëria shfaqet si okupatore e Maqedonisë Perëndimore.
  5. Në faqen 105: Kosova nuk korrespondon si shtet me të cilin kufizohet Maqedonia.
  6. Në faqen 84 dhe 85 në pjesën e definimit të Maqedonisë antike dhe të sotme, figurativisht dhjetëra herë “lind” dhe “vdes” shteti i Maqedonisë, kjo paraqet pengesë për krijimin e një pasqyre të qartë të historisë së Maqedonisë.
  7. Gabime bëhen edhe me prejardhjen e pakicave, ngaqë aty futen të gjithë të ardhurit, duke krijuar idenë se në Maqedoni nuk ka popull autokton.

LEXO MË SHUMË PËR TEMËN NË FJALË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button