fbpx

Përmbytjet, u përkeqësua situata në Shkodër

Situata e përmbytjeve në Shkodrës u përkeqësua të enjten për shkak rreshjeve të shumta, që përfshinë gjithë zonën veriore dhe verilindore të Shqipërisë, por edhe territorin e Malit te Zi, që prej orëve të natës e në vazhdim. Në mbrëmje, presidenti Ilir Meta i kërkoi Qeverisë që të shpallë me urgjencë “Gjendjen e fatkeqësisë natyrore”.

Liqeni i Shkodrës dhe Lumi Buna dolën nga shtati duke përmbytur edhe hyrjen e qytetit si dhe disa prej lagjeve periferike. Një situatë e ngjashme, ndonëse në përmasa shumë më të mëdha, ka ndodhur në qytetin e Shkodrës gjatë përmbytjeve masive të vitit 2010, transmeton VoA.

Për shkak të prurjeve të shumta nga territori i Malit të Zi, Liqeni i Shkodrës arriti sot nivelin 9 metër e 15 centimetër, ose 45 centimetër mbi nivelin maksimal. Ndërsa në Lumin Drin, niveli i ujit kaloi me 10 centimetër kuotën maksimale. Koorporata elektroenergjitike (KESH) njoftoi se uli në 300 metër kub në sekondë, shkarkimet nga portat e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, të cilat një ditë më parë arritën në 850 metër kub ujë në sekondë.

Në krahasim me dje, harta e përmbytjeve u zgjerua të enjten me 1025 hektarë duke arritur në një sipërfaqe totale prej 5300 hektarësh, pjesa më e madhe në Dajç dhe Anë të Malit. Në Obot 4 banesa janë të përmbytura, ndërsa në Dajç dhe Berdicë 145 banesa gjenden të rrethuara nga uji. Rruga e Obotit dhe disa fshatrave të Dajçit janë të bllokuara nga uji. Si pasojë e përmbytjeve, rreth 200 shtëpi në zonën periferikeve të Livadheve kanë prani uji në oborre, ndërsa në 5 të tjera uji ka hyrë në banesa.

Shkoder, perkeqesohet situata nga permbytjet
Shkoder, perkeqesohet situata nga permbytjet

Forcat e armatosura shtuan sot praninë në territoret e përmbytura, në mbështetje të banorëve dhe autoriteteve vendore. Disa automjete të larta transporti dhe 7 varka të ushtrisë ishin në zonën e përmbytur të Nënshkodrës. Gjatë paradites u evakuuan 3 familje nga lagjet periferike të qytetit, ndërsa ne Dajç dhe lagjen e Livadheve, forcat dhe mjetet e ushtrisë mbështetën evakuimin e bagëtive dhe shpendëve nga dy ferma bujqësore të rrezikuara.

Përmbytjet në Shkodër nisën 35 ditë më parë dhe, që nga ajo ditë, harta e pëmbytjes ka vazhduar të zgjerohet, duke shkaktuar dëme të shumta për mijëra fermerë të zonës së Nënshkodrës. Prej disa ditësh, Bashkia e Shkodrës vazhdon të kërkojë nga qeveria shpalljen e “Gjendjes së fatkeqësisë natyrore” për t’u ardhur në ndihmë banorëve dhe për të siguruar kompensimin për dëmet që u janë shkaktuar.

Kjo kërkesë u mbështet në mbrëmje dhe nga Presidenti Ilir Meta, i cili duke ju referuar dhe paralajmërimeve të sotme të Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit foli për rrezikun e zgjerimit të zonave të përmbytura, veçanërisht në NënShkodër dhe afër Liqenit të Shkodrës.

“Alarmi i dhënë dhe situata në terren është shumë serioze dhe kërkon vëmendjen e veçantë të Qeverisë dhe pushtetit vendor, që pa vonesa të mëtejshme duhet të marrin të gjitha masat efektive për evakuimin e familjeve të rrezikuara nga uji, si dhe të bagëtive, që priten të izolohen”, theksoi Presidenti Meta në një deklaratë të posaçme mbi situatën.

Kreu i Shtetit bëri të ditur se kishte biseduar mbi gjendjen me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi duke kërkuar prej saj që “Bashkia të jetë në lartësinë e përmbushjes me përgjegjshmëri të detyrave në këtë situatë tepër të rënduar dhe të ketë në fokus kryesor shëndetin dhe jetën e banorëve”.

Nga ana tjetër ai shtoi se “duke vlerësuar me përgjegjësi maksimale gjendjen e raportuar i bëj thirrje Qeverisë të shpallë urgjentisht “Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore” në zonat e përmbytura, me qëllim menaxhimin më të mirë të situatës operacionale, për t’u ardhur në ndihmë të gjitha familjeve në nevojë dhe për të patur prioritet absolut mbrojtjen e jetës së çdo qytetari dhe minimizimin e pasojave në pronat dhe pasuritë e tyre”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button