RMV, vaksinat antikovid dhe imunizimi i popullatës për momentin ngelin vetëm fjalë boshe

Gjithsej 8.000 vaksina kundër kovid-19 të cilat duhej t’i dërgojë Serbia në vendin tonë, megjithatë nuk do të arrijnë sot për shkak se, siç informuan nga Qeveria, nuk ka harmonizim të dokumentacionit teknik. Megjithëse kryeministri Zoran Zaev këtë e vlerësoi si akt serioz miqësie, prolongimi i fundit bën që shteti të ngelet pa e filluar procesin për imunizim të popullatës dhe ballafaqim përfundimtar me pandeminë e virusit që është duke u përhapur tërë vitin në shtet, raporton Meta, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet e Maqedonisë në muajt e kaluar janë marrë vesh për import të vaksinave me autoritetet në thuajse të gjitha vendet fqinjë, mirëpo deri tani asnjë prej atyre paralajmërimeve nuk u bë realitet.

Së pari, më nëntor të vitit të kaluar, kryeministri grek Kirijakos Micotakis, kolegut të tij Zoran Zaev i ka ofruar Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e blerjes së vaksinave. Për këtë ofertë informoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

“Kemi ofertë që vjen nga kryeministri Micotakis, i cili gjatë takimit të fundit në Samitin në Selanik, kryeministri ynë Zaev i ka demonstruar vullnet të mirë që të jemi pjesë e blerjes tyre të vaksinave”, ka thënë ministri më 10 nëntor vitin e kaluar.

Shteti, përveç kësaj, ofertë për donacion të vaksinave ka marrë edhe nga Polonia mirëpo edhe kjo deri tani nuk u realizua.

Ministria e Shëndetësisë, më 22 dhjetor informoi që Republika e Bullgarisë, nga secila dërgesë e vaksinave kundër kovid-19, që e kanë blerë drejtpërsëdrejti nga prodhuesit, një pjesë do ta dedikojë si donacion për Maqedoninë.

“Me këtë vendim në shtetin tonë, vaksina kundër kovid-19 do të arrijnë në të njëjtë kohë sikur edhe në vendet tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Atëherë nga ministria informuan që ministri Filipçe ishte në Sofje, me ftesë të kryeministrit Bojko Borisov dhe të ministrit për shëndetësi prof. Kostadin Angellov”.

Pastaj pasuan paralajmërime për blerje të vaksinave në janar, pastaj në shkurt, ndërsa tani flitet edhe për mars. Në ndërkohë, në momentin kur ishte shumë e sigurt që do të arrijnë dozat e para të vaksinës Fajzer si donacion nga Serbia edhe kjo nuk ndodhi.

Para tre ditëshe, ministri Filipçe e firmosi kontratën për blerje të vaksinave kundër kovid-19 nga prodhuesi kinez “Sinofarm”. Me këtë kontratë, Republika e Maqedonisë së Veriut nga kompania kineze “Sinofarm” siguron 200.000 vaksina dhe sipas paralajmërimeve data e saktë e arritjes dhe të gjitha informatat tjera do të jenë të njohura gjatë ditëve në vijim.

“Duke e respektuar dispozitën e kontratës për fshehtësi, e në pajtim me politikën globale të të gjitha kompanive për prodhim të vaksinave, duke e përfshirë edhe “Sinofarm”, të dhënat që i përmban kontrata mbeten të fshehta”, deklaruan në ministri.

Shteti paraprakisht ka blerë edhe frigoriferë për ruajtje dhe transport të vaksinës Fajzer, ndërsa përgatiti edhe plan për vaksinim të popullatës me të cilin, në fazën e parë duhet të vaksinohet stafi mjekësor dhe të moshuarit mbi 71 vjeç.

Nga dita e kaluar, qytetarët e Maqedonisë mund ta plotësojnë edhe aplikacionin për të shprehur interesim për vaksinim kundër kovid-19. Siç kanë informuar organet kompetente, për vetëm disa orë aplikacionin dje e kanë plotësuar më shumë se 8.000 persona, ndërsа deri tani gjithsej janë regjistruar rreth 24.000 persona. Gjatë ditës së djeshme ka pasur probleme teknike gjatë paraqitjes në sistem, të cilat sot janë tejkaluar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button