NP “Rrugët e Maqedonisë” nuk pranon kërkesat e banorëve të Sedllarcës së Epërme, nesër vazhdojnë protestat

Një javë pasi banorët e fshatit Sedllarcë e Epërme përmes një proteste kërkuan mënyrë për tu liruar nga pagesa e obligueshme e pikave pagesore, pasi që shfrytëzojnë vetëm 3.5 kilometra të rrugës, kërkesat e tyre kanë hasur në vesh të shurdhër. Nga “Rrugët e Maqedonisë” për Portalb.mk citojnë Ligjin për Rrugë Publike i cili obligon të gjithë shoferët të paguajnë, banorët do të protestojnë edhe nesër, shkruan Portalb.mk.

Kanë kaluar shtatë ditë nga protesta e parë e banorëve të Sedllarcës së Epërme, atëherë një prej organizatorëve të protestës theksoi barrën e kësaj pike pagesore për këto banorë, ai shtoi se gjatë pandemisë ka harxhuar më shumë para në pikën pagesore se sa për spitalin.

“Gjatë pandemisë kemi harxhuar më shumë para për rrugën se sa për spitalin, kemi udhëtuar nga 5-6 herë në ditë edhe për shkak të kushteve të veçanta në pandemi, jemi detyruar të vijmë me vetura veçmas dhe çdoherë kemi paguar, nuk na u mundësuar as edhe njëherë të kalojmë pa paguar. Kemi biseduar me udhëheqësit e kësaj pike pagesore, na kanë premtuar që do të rregullohet kjo çështje, nuk u bë. Fshati jonë ka pasoja prej kësaj rruge, prej zhurmës madhe nuk mundemi as të bisedojmë në shtëpi. Të paktën këto kushtet minimale të na plotësojnë” tha ai, videon ndiqeni duke klikuar këtu.

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” u përgjigjën shkurt duke cituar Ligjin për Rrugë Publike.

“Në përputhje me Ligjin për Rrugë Publike secila veturë është e obliguar të paguajë në pikat pagesore, përveç kategorive të cilat janë të liruar nga pagesa sipas nenin 66 të ligjit” deklaruan nga “Rrugët e Maqedonisë”.

Cilat janë këto përjashtime?

Gazetari i Portalb.mk analizoi Ligjin për Rrugë Publike në nenin 66 tregon qartë personat që lirohen nga pagesa e pikave pagesore në Maqedoninë e Veriut, edhe atë:

(1)    Automjete me shoqërim policor dhe automjete qartësisht të shënuar të Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë, të policisë, të Drejtorisë doganore, Agjencisë, ndihmës së shpejtë mjekësore, Kryqit të kuq të Republikës së Maqedonisë, shërbimeve zjarrfikëse, Inspektoriatit shtetëror për transport, Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Ndërmarrjes publike për mirëmbajtje dhe mbrojtje të rrugëve magjistrale dhe rajonale “Makedonija Pat’’ – Shkup dhe automjeteve të shërbimeve për varrime;

(2)    Automjetet e personave të sëmurë me distrofi, multipleks sklerozë, paralizë cerebrale, paraplegi, kemiplegi, kvadriplemi, paralizë fëmijërore (poliomielitis), persona të verbër me dëmtime të shikimit mbi 90%, persona me dializë dhe persona me amputim krahu ose këmbe me dëmtim të miratuar mbi 80%, të përcaktuar me akt të komisionit të autorizuar pranë Fondit për sigurim pensional dhe invalidor të Maqedonisë – vendime teknologjike të zbatuara në pikat pagësore në Republikën e Maqedonisë

(3)    Në automjetet e personave nga paragrafi (2) i këtij neni duhet të kenë karta anëtarësie të lëshuara nga oeganizatat kompetente, të nënshkruara nga ana e Ndërmarrjes Publike, me çka konfirmohet lirimi i tyre nga pagesa e pikave pagesore në RMV.

Sipas këtij ligji, 2 alternativat e protestuesve bien në ujë, por ka gjasa që të kërkohet nga Parlamenti i RMV-së një gjë e tillë.

Këto ishin kërkesat e protestuesve:

  1. Të paguajmë aq sa shfrytëzojmë, apo
  2. Të na mundësojnë rrugë anësore, si të gjitha autostradat që janë në RMV, apo
  3. Të na mundësojnë pagesë vjetore në bazë të shfrytëzimit të kilometrave që i shfrytëzojmë, apo
  4. Të na mundësojnë pikëpagesë kalimi të veçantë.

Bazuar në Ligjin për Rrugë Publike, alternativa e parë edhe e tretë e protestuesve për lirim nga pagesa thuajse është e pamundur, përveç në qoftë se mundësohen ndryshime ligjore në Parlamentin e RMV-së. Aktualisht, ky institucion ka mundësi që këtyre banorëve të ju mundësoje rrugë anësore apo pikpagesë të veçantë.

Për këto kërkesa, Këshilli Organizativ i fshatit Sedllarcë e Epërme do të vazhdojnë me protestat, ata sot nuk dhanë shumë detaje, megjithatë, konfirmuan se nesër do të protestohet ndërsa synojnë të bllokojnë rrugën Tetovë-Gostivar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button