“BOLL MË”: Instituti kompetent për kontrollimin e orëmatësve të energjisë elektrike nuk ka laborator, zbaton vendimet e EVN-së

Iniciativa qytetare “Boll më”, gjatë konferencës së sotme për media të mbajtur para Qeverisë, ka akuzuar EVN-në se lëshon fatura paushallë të energjisë elektrike, të cilat nuk pasqyrojnë harxhimet reale që bëjnë qytetarët. Sipas argumenteve të kësaj iniciative, të cilat i bazojnë në burime të ekspertëve të fushës, Instituti metrologjik pranë Ministrisë së Ekonomisë, i cili është i vetmi institucion i licencuar për kontrollimin e orëmatësve të EVN-së, nuk ka laborator personal, por vetëm i vulos vendimet që i merr nga EVN, shkruan Portalb.mk.

“Instituti metereologjik pranë Ministrisë së Ekonomisë është i vetmi institucion i licencuar për kontrollimin e orëmatësve të EVN-së. Kemi indikacione të forta se ky institucion, këto dyshime i bazojmë në bazë të burimeve që i kemi brenda institucionit si dhe ekspertëve gjyqësor të licencuar të cilët i takojnë fushës së elektro energjetikë, se ky institucion nuk posedon as edhe një laborator të vetëm, ky vetëm i vulos vendimet që i merr EVN në laboratorët e veta. Në qoftë se kjo del e vërtet, ky është një falsifikim, vepër penale e rëndë për të cilën dikush duhet të jep llogari në prokurori dhe në gjykata. I bëjmë thirrje këtij institucioni që t’i hapi dyert dhe ti verifikoj gjendjen faktike që është brenda, a kanë apo s’kanë laborator. EVN për çdo kontroll të orës faturon 5000 denarë, të cilën nuk e çon në laborator aty, gjithmonë sipas indikacioneve dhe informatave që i kemi ne, por kontrollin e bën vet dhe siç e dini 90 për qind, 95 për qind të rasteve ato kontrolle verifikojnë të dështuara. Dmth orët të cilët faturojnë katërfishin, dhjetëfishin e gjendjes reale ata i certifikojnë me vulën e Institutit Metereologjik i certifikojnë si të rregullta”, deklaroi Krenar Osmani nga Iniciativa Qytetare “BOLL MË”.

Ai më tej ka përsëritur njërën prej kërkesave të tyre të parashtruar që në muajin korrik të vitit të kaluar, e që ka të bëjë me subvencionimi e kategorive të rrezikuara sociale, të cilat nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e energjisë elektrike.

“Kërkesa e 4 e jona pika numër 2, është subvencionimi i rasteve sociale si dhe falja e borxheve të këtyre kategorive si dhe zgjerimi i kësaj shtrese me familjet që kanë nga një pension minimal ose rrogë minimale, si dhe falja e të gjithë kamatë vonesave për të gjithë konsumatorët në përgjithësi. Në datë 19 dhjetori 2020, të njëjtin propozim – kërkesë e parashtron Komisioni Rregullator i Energjetikës në Ministrinë e Ekonomisë, subvencionim të rasteve sociale dhe përfshirjen në këtë kategori edhe të familjeve që kanë pension dhe rrogë minimale. U bë gati dy muaj dhe nuk ka asnjë lëvizje nga Ministria e Ekonomisë si dhe nga kryeministri, Zoran Zaev. Jemi të ngopur me gënjeshtra, jemi të ngopur me premtime boshe, jemi të ngopur me fjalë boshe. Periudha e dimrit është thembër e Akilit për të gjithë shtresat e rrezikuara dhe shtresat sociale. Kaloi dimri, as edhe një subvencionim më i vogël nuk u bë për këto shtresa. A thua kur do të subvencionohen, verës, kur nuk përdorin ngrohje!? Kur harxhimet janë më të vogla!?”, theksoi Osmani.

Ai po ashtu ka shtuar se, për shkak të gjendjes së pandemisë, të gjitha shtetet e rajonit kanë përgatitur pako që parasheh për subvencionim të energjisë elektrike, gazit apo ngrohjes me dru, ndërsa sipas tij, Maqedonia e Veriut është i vetmi vend i rajonit, ku përpos që nuk janë subvencionuar qytetarët, çmimi i energjisë elektrike është rritur rreth dhjetë për qind.

Iniciativa qytetare “BOLL MË”, për disa muaj me radhë në vazhdimësi mban aktivitete, duke përfshirë edhe një seri protestash, për të shprehur revoltën ndaj rritjes së çmimit të energjisë elektrike si dhe faturat e larta që u adresohen amvisërive.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, më 18 dhjetor, ata hapën në Tetovë zyrë e cila ofron ndihmë juridike falas nga persona përkatës të kësaj fushe, për të gjithë qytetarët të cilët konsiderojnë se janë dëmtuar nga kompania EVN dhe KRRE.

Ata kërkojnë, anulimin e rritjes së fundit të çmimit së energjisë elektrike, zbritjen e çmimit të kilovatit për 46%, eliminimin e monopolit të EVN-së, uljen e TVSH-së nga 18% në 5%, krijimin e një trupi të tretë arbitrar i cili do të monitoroje punën e EVN-së, si dhe do të shqyrtoje kërkesat-ankesat e konsumatorëve, faljen e borxheve të akumuluara të rasteve sociale si dhe shlyerjen e kamatë-vonesave për të gjitha shtresat e konsumatorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button