Ministri Shaqiri: Transferimi i administratorëve në sektorin privat, do të shqyrtohet pas shtatorit

Ende askund nuk është ideja për transferimin e administratorëve nga sektori publik në atë privat, si masë për shkurtimin e numrit të lartë të administratorëve. Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri, për Portalb.mk, thotë se do të fillohet të diskutohen modelet për zbatimin e një ideje të tillë pas muajit shtator ose tetor, shkruan Portalb.mk.

Transferimi i administratorëve prej sektorit publik në atë privat, të cilën e paralajmëroi ish ministri i Shoqërisë Informatike Damjan Mançevski që në vitin 2019-të dhe i cili duhej të realizohej po atë vit, ende nuk është realizuar. Ai madje, derisa ishte ministër, publikoi edhe disa pako-oferta, të cilat duheshin të miratohen, pasi të mbarojnë zgjedhjet. Por, zgjedhjet mbaruan, ndërkaq ai më nuk u bë ministër i Shoqërisë Informatike, në vend të tij, erdhi Jeton Shaqiri.

Ministri, Shaqiri, pas marrjes së letrës mandatuese nga kryeministri Zoran Zaev, në konferencë për shtyp konfirmoi se do të vazhdojë në zbatimin e projekteve të cilat kanë filluar në mandatin paraprak, ndërkaq paralajmëroi dhe aktivitete të reja.

“Si opsion të hapur për uljen e të punësuarve në sektorin publik janë paketat e hapura për kalim në sektorin privat. Transferimi i të punësuarve është një pjesë e vendosjes së riorganizimit të mirë profesionale, aktive, efikase të administratës dhe sektorit publik, duke e reduktuar fuqinë punëtore në mënyrë që të mos dëmtohen të punësuarit, ndërkaq në këtë mënyrë do të përfitojë sektori privat në pjesën ku ka mungesë të punësuarve”, tha ministri Shaqiri28 shtator, 2020.

Gazetari i Portalb.mk, bisedoi me ministrin në lidhje me këtë proces, i cili është paralajmëruar, por ende nuk ka filluar.

Jeton Shaqiri
Jeton Shaqiri

“Nuk është zhvilluar ende si koncept, faza e zhvillimit të këtij koncepti është pasi të kalojnë ligjet për nënpunës administrativ dhe të punësuarit në sektorin publik. Pas kalimit të ligjeve do të diskutohet një ide në nivel qeverie, me Ministrinë e Financave, Ekonomisë, Punës dhe Politikës Sociale dhe Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës për ta koordinuar një program i cili asnjëherë nuk do të bëhet në dëm të administratës”, thotë Shaqiri për Portalb.mk.

I pyetur nëse beson se do të realizohet dhe nëse sektori privat është më pak i qëndrueshëm se ai publik, ministri thotë se, pasi që të bëhen analizat do ta shohin modelin më të përshtatshëm dhe për këtë e sheh këtë çështje pozitive.

“Nuk është që sektori privat është i paqëndrueshëm, edhe sektori privat, ka sektorë që janë të qëndrueshëm. Ka paketa, po e them një që ende s’është si model i zhvilluar, për shembull një person i cili është 10 vjet para pensionit, do ketë një transfer të mjeteve monetare dhe një transfer do të ketë sektori privat për atë njeri, që t’ia rris pagën, njëherë do të marrë pagesë më të ulur, ndërkaq më pas më të lartë. Unë e shoh pozitive kur të bëhet një analizë, të shohim modelim më të përshtatshëm”, shtoi ministri Shaqiri.

Damjan Mançevski e ka paraparë që të bëhet menjëherë pas fillimit të zgjedhjeve, kur do të realizohet?

“Ai e ka paraparë, por unë pres që modelet të diskutohen pas muajit shtator ose tetor. Njëherë për njëherë nuk kemi asnjë gjë”, u përgjigj Shaqiri.

Damjan Mançevski. Foto: Portalb.mk
Damjan Mançevski. Foto: Portalb.mk

Në vitin 2019-të, pasi ministri i atëhershëm e zbuloi planin për transfer të administratorëve, Sindikata e Administratës së Republikës së Maqedonisë së Veriut e kundërshtoi idenë e Qeverisë ndërkaq, sektori i biznesit kërkoi që fillimisht atyre t’u tregohet për kuadrot që do t’u ofrohen. Nga MSHIA, asokohe deklaruan se transferimi do të realizohet në bashkëpunim me sektorin privat, ndërkaq asnjë i punësuar në administratën publike nuk do të detyrohet që të transferohet.

Për këtë qëllim, Mançevski,17 janar të vitit 2020 organizoi takim me odat ekonomike dhe sindikatat, me të cilët janë diskutuar 5 pakot. Për shkak se asokohe ishin paralajmëruar zgjedhje parlamentare për më 12 prill të vitit 2020, ministri paralajmëroi se kjo do të ndodh pas zgjedhjeve.

5 pakot që janë diskutuar:

  1. Transferimi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat, me atë që ndërmarrja private do të ofronte pagë më të lartë, ndërkaq shteti do t’i paguante në një periudhë të caktuar kontributet.
  2. Rikualifikim të të punësuarve nga sektori publik në atë publik, në pajtueshmëri me nevojat që do të na dorëzonin përfaqësuesit e sektorit privat, gjegjësisht odat ekonomike, por edhe Agjencia për Punësim. Harxhimi i këtij rikualifikimi të jetë në supe të shtetit.
  3. Me vullnet të vet, të punësuarit që duan ta lëshojnë sektorin privat, të ofrojmë ofertë atraktive me qëllim që ata vetë ta lëshojnë.
  4. Rikualifikim për nevoja të brendshme, pra një pjesë e analizave funksionale nuk janë që të tregojnë vetëm tepricë të të punësuarve, por edhe mangësi të caktuar të kuadrit, gjegjësisht në administratën publike – pra kemi të identifikuar mungesë të kuadrit.
  5. Është folur edhe për një lloj tjetër me partneritet publiko – privat, por kjo realisht është që vjen nga partnerët tjerë që janë në dialog dhe duhet që plotësisht të punohet.

Vërejtjet e vazhdueshme të faktorit ndërkombëtar kanë qenë për shkak numrit të madh të administratës, ata kanë kërkuar që ky numër të ulet. Pushteti këtë e ka premtuar se do ta bëjë nëpërmjet projektit për riorganizim dhe optimizim të organeve të administratës publike. Projekti ka filluar në vitin 2019-të, ndërkaq duhet të përfundojë në nëntor të vitit 2021.

Projekti ka buxhet prej 1.7 milionë euro, në kuadër të projektit IPA, gjegjësisht financimi është siguruar tërësisht prej parave të Komisionit Evropian.

Maqedonia ka gjithsej 1.299 institucione shtetërore, numër ky që konsiderohet tepër i lartë dhe që i kushton shumë arkës së shtetit. Nga ana tjetër, ndonëse pritej që paralelisht me reformat në administratën publike, sipas rekomandimeve të ekspertëve numri i të punësuarve në sektorin publik të ulet, megjithatë numrat zyrtarë tregojnë që i njëjti është rritur. Autoritetet janë arsyetuar se punësimet kanë qenë të domosdoshme. Numri i të punësuarve në sektorin publik deri më 31 dhjetor të vitit 2018-të, është 132.068 të shpërndarë në 1.314 institucione. Ndërkaq numri i administratës për vitin 2019-të është 132.900.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button