KFF “Shkëndija” akuzon Agjencinë për Rini dhe Sport për diskriminim në bazë etnike

Pas ndarjes së vauçerëve për federatat dhe klubet sportive nga Agjencia për Rini dhe Sport, kanë reaguar nga Klubi i Futbollit të Femrave “Shkëndija” nga Tetova, sipas tyre, shuma të cilën ky klub e ka fituar është nënçmuese me shumën e klubeve të etnikumit maqedonas, këta të fundit akuzojnë Agjencinë për Rini dhe Sport për diskriminim në bazë etnike, shkruan Portalb.mk.

Sipas kryesisë të këtij klubi futbollistik, shuma e cila është ndarë për këtë klub është nënçmuese dhe simbolike, ata potencojnë se klube maqedonase me fuqi të njëjtë kanë fituar shuma të majme financiare.

KFF "Shkëndija", Tetovë.
KFF “Shkëndija”, Tetovë.

Klubi i futbollit të femrave SHKENDIJA nga Tetova, reagon ashpër kundër vendimit të fundit të Agjencisë për rini dhe sport për ndarje të vauçerëve për federatat dhe klubet sportive, me të cilin për KFF Shkëndija nga Tetova është ndarë një shumë nënçmuese dhe simbolike e mjeteve financiare. Me këtë veprim Agjencia për rini dhe sport bën një vlerësim joreal  dhe joparimor në baza etnike, duke u nisur nga fakti se klubeve tjera që garojnë në të njëjtën kategori  sportive si: Skopje, Despina, Istanov, Makedosnka Kamenica u janë miratuar shuma të majme, që flet qartë për një diskriminim dhe tendencë për të denigruar  futbollin e femrave në vendet ku jetojnë shqiptarët” deklaruan nga KFF “Shkëndija”.

Sipas tyre, KFF “Shkëndija” është në të njëjtën pozitë me klubet të cilat kanë fituar nga 1 milion denarë, pasi që këta të fundit sipas Federatës së Futbollit të RMV-së, janë ranguar në pozitën e 25-të.

“Reagimin tonë e mbështesim në faktin se duke u  bazuar në rangimin e klubeve sportive të futbollit  nga ana e Federatës së futbollit të Maqedonisë, KFF Shkëndija u rangua në pozitën e 25-të, gjë që klubin tonë e pozicionon në kategorinë e klubeve që do duhej të merrnin një mbështetje financiare prej afër  1 milion denarësh nga ana e Agjencia për rini dhe sport, po aq sa u miratuan edhe për klubet tjera që u ranguan në këto pozita” shtuan nga KFF “Shkëndija”.

Ata shtojnë se ky vendim është joparimor dhe nënçmues nga ana e drejtorit dhe zëvendës drejtorit të Agjencisë për Rini dhe Sport, me çka, kërkojnë përgjegjësi dhe shpjegim për këtë veprim, i cili sipas tyre është i turpshëm.

Theksojmë se redaksia e Portalb.mk kërkoi prononcim nga përfaqësues të Agjencisë për Rini dhe Sport, megjithatë, përgjigje ende nuk kemi marrë.

Portalb.mk siguroi listën e klubeve të femrave që kanë përfituar nga ky vauçer, njoftojmë se KFF “Shkëndija” gjendet në vendin e 9-të sipas lartësisë të mjeteve financiare që janë përfituar, kaq mjete financiare janë ndarë për pesë klubet e para të femrave.

  1. Klubi Futbollistik i Femrave “Shkupi” – 2 milion denarë.
  2. Klubi Futbollistik i Femrave “Tiverija” – 1.8 milion denarë.
  3. Klubi Futbollistik i Femrave “As United” – 1.3 milion denarë.
  4. Klubi Futbollistik i Femrave “Despina” – 1.050 denarë.
  5. Klubi Futbollistik i Femrave “Istatov” – 1 milion denarë.

Ndërsa për Klubin Futbollistik të Femrave “Shkëndija” nga Tetova janë ndarë 550.000 denarë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button