“Nuk mund të mbarohet gjithçka për një ditë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për mungesën e versionit shqip të ueb-faqes për paraqitje për vaksinim

Ministria e Shëndetësisë e ka lëshuar në përdorim ueb-faqen ku qytetarët mund të regjistrohen si persona që dëshirojnë të vaksinohen, por të njëjtën e ka vetëm në versionin maqedonisht, jo edhe atë në shqip, njofton Portalb.mk.

Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se po punohet versioni i faqes në shqip, por nuk ka treguan se kur do të jetë gati.

“Ne dje e lëshuam, ju dëshironi që në një ditë gjithçka të mbarohet. Nuk mundet, sistemi po përgatitet, po duhet të ketë dhe do të ketë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë për Portalb.mk.

Në këtë version të ueb-faqes, të dhënat mund të shkruhen vetëm në cirilik, jo edhe në latinisht. Deri më tani 23.924 qytetarë janë paraqitur se dëshirojnë të vaksinohen.

Ueb-faqja: vakcinacija.mk

Krahas kësaj ueb-faqe, MSH-ja po përgatit edhe një ueb-faqe tjetër, e cila do të (kovid19vakcinacija.mk/) jetë me karakter informativ. Ministria, edhe për këtë faqe premton se do të jetë në shqip.

Për Praktikën e këtillë të vonesave të përkthimit dhe mospërditësimit, Portalb.mk, ka shkruar disa herë, e sidomos për Ministrinë e Shëndetësisë e cila madje edhe në kohë pandemie, kur qytetarët kanë të drejtë të njoftohen në gjuhën që ata e kuptojnë.

Sipas hulumtimit të Portalb.mk, të publikuar në nëntor të vitit 2020, doli se Ministria e Shëndetësisë, si një prej institucioneve më të rëndësishme e cila njofton për masat, protokollet në fuqi, raportet ditore për pandeminë Kovid-19, nuk e ka respektuar ligjin e gjuhëve, i cili parashikon që gjuhë zyrtare, krahas maqedonishtes dhe alfabetit të saj është edhe gjuha shqipe, apo siç njihet zyrtarisht “gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të RMV-së”. Përkthimi i përmbajtjeve në gjuhën shqipe që kanë të bëjnë me korona virusin, nuk është bërë paralelisht me atë maqedonase.

Ministria e Shëndetësisë, shumë rrallë i publikon informacione për korona virusin Kovid-19, paralelisht në të dyja gjuhët. Fillimisht ato publikohen në gjuhën maqedonase, pastaj edhe në gjuhën shqipe. Madje edhe përkthimi lë shumë për të dëshiruar, pasi vërehet një përkthim tekstual ose jo i përshtatur sa duhet me sintaksën e gjuhës shqipe. Ky problem nuk vërehet vetëm në këtë ministri, por në një pjesën dërrmuese të institucioneve shtetërore.

Komunikatat për mediat, veçanërisht raportet ditore, Ministria e Shëndetësisë asnjëherë nuk i dërgon në gjuhën shqipe, për dallim nga Qeveria e cila me raste “kujtohet” se duhet ta zbatojë ligjin e gjuhëve.

Ueb-faqja e Ministrisë së Shëndetësisë ka një përditësim të çorganizuar në të dyja gjuhët. Për shembull, raportet ditore nuk publikohen rregullisht aty, disa ditë publikohen disa ditë jo ose kur publikohen shumë më vonë, ndoshta një ose dy ditë me vonesë. Sidoqoftë, nëse jeni në versionin maqedonisht të faqes dhe ktheheni në versionin shqip, do të vëreni se në shikim të parë mungojnë përmbajtje apo materiale në gjuhën shqipe, ose edhe kur janë, nuk janë të vendosura në vendin e duhur si në versionin maqedonisht.

Lajmi i fundit që është publikuar në ueb-faqen e Ministrisë në versionin shqip është më 4 janar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button