Edukimi dhe arsimimi

Njëra ndër sfidat kryesore të kohës sonë është përgatitja e një sistemi të mirëfilltë arsimor që do i ndihmojë të vegjlit dhe të rinjtë të përgatiten për ardhmërinë që i pret. Për fat të keq sistemi i edukimit dhe arsimimit është tej mase i vjetruar dhe vështirë se do i përgatisë fëmijët tanë për atë që i pret në të ardhmen e tyre si njerëz të rritur që do të duhet të funksionojnë në një botë që sipas të gjitha gjasave do të jetë shumë më e ndryshme se kjo në të cilën po jetojmë tani.

Harari e trajton këtë temë në një kapitull të veçantë që quhet “Edukimi” në librin e tij të fundit “21 leksione për shekullin XXI”. Ai me të drejtë konstaton që në të kaluarën edukimi dhe arsimimi ka qenë dukshëm më lehtë i realizueshëm dhe më efikas. Kështu në shekujt e kaluar mësuesit kanë mundur t’ua mësojnë parimet bazë të arsimimit fëmijëve si dhe një sërë faktesh që do të jenë të dobishme për ta në të ardhmen, sepse kanë qenë të sigurtë se esenca e shoqërisë, mënyra e komunikimit si dhe fundamenti i rregullimit shoqëror do të mbeten të njëjtat si në kohën e tyre. Pavarësisht se edhe atëherë ka pasur turbulenca politike si dhe kriza ekonomike, themelet e shoqërisë kanë qëndruar të njëjta për një kohë të gjatë.

Sot nuk është ashtu. Njohuritë faktike që fëmijët i mësojnë në shkolla mund të mos u nevojiten ose të jenë tërësisht të skaduara në kohën kur ata do të ballafaqohen me zbatimin e tyre. Do të jap dy shembuj për këtë.

Në kohën kur unë isha nxënëse e shkollës fillore ndiqja si lëndë zgjedhore informatikën e cila më interesonte shumë. Bëhet fjalë për vitet e nëntëdhjeta. Atëherë në informatikë mësohej sistemi operativ DOS. Këtij sistemi i kushtuam vëmendje plot dy vite derisa mësoja informatikën në klasën e shtatë dhe tetë fillore. Derisa arrita në gjimnaz, sistemi DOS doli nga përdorimi dhe atëherë në informatikë e mësonim sistemin tjetër operativ Windows. Ajo që dua të them është se sot nuk më kujtohet asnjë detal nga sistemi DOS të cilin nuk e kam përdorur gati se fare në jetë, ndërsa gjërat kryesore lidhur me Windows-in dhe Macintosh-in i kam mësuar kohë më vonë pasi kam përfunduar me edukimin formal në lëndën e informatikës. Në këtë lëmi ndryshimet janë aq të shpeshta sa që çdo vit ka gjëra të reja për të mësuar të cilat në të kaluarën as që kemi menduar se mund të ekzistonin.

Shembulli i dytë është me studimet e drejtësisë të cilat i kam ndjekur mes viteve 2000 dhe 2003. Të gjitha librat nga të cilat kam mësuar atëherë tani janë të skaduara, të gjitha ligjet kanë ndryshuar dhe asgjë nuk është si ka qenë atëherë. Sfera juridike është po aq e ndryshueshme sa edhe informatika, ndoshta jo me të nj;jtën shpejtësi dhe ndoshta qëndron e bazuar në parimet e njëjta, por shpesh edhe parimet bazike ndryshojnë.

Fjalën e kam se mësimi i fakteve të detaizuara është në të shumtën e rasteve një humbje e madhe e kohës dhe energjisë. Të gjitha harrohen por ajo që nuk harrohet është të menduarit kritik dhe përdorimi i saktë i burimeve shkencore dhe juridike. Dhurata më e madhe që mund t’ua japim nxënësve dhe studentëve është t’i mësojmë ata të mendojnë me kokën e tyre, të bëjnë lidhshmëri mes fakteve që i dinë, si dhe të përgatiten për ndryshimet që do të ndodhin dhe të mund të jenë në hap me to. Harari këtu shton edhe një qëllim tjetër që sistemi arsimor duhet ta ketë, e ajo është ti ndihmojë fëmijët dhe të rinjtë të mbeten mendërisht të shëndoshë në këtë proces.

Kërkesa e Hararit është shumë logjike. Në momentin kur e mbaroni fakultetin dhe mësoni se pjesa më e madhe e njohurive të fituara tash më kanë skaduar, ju duhet të jeni në gjendje vazhdimisht të ndryshoni dhe të fitoni njohuri të reja. Ju poashtu duhet të jeni në gjendje ta përballoni atë presion mendor dhe të shpëtoni pa u çmendur në atë proces. Kjo gjë bëhet e mundur duke mësuar më shumë për aftësi të ndryshme si: komunikimi ndërnjerëzor, puna në ekip, përballja me stresin, organizimi i punës dhe ditës produktive. Kjo bëhet po ashtu duke mësuar për parimet bazike njerëzore të cilat nuk do të duhej asnjëherë të dalin nga moda, si solidariteti, përkrahja, drejtësia, liria e mendimit, mirësia. Janë këto vlera të cilat nuk i shohim të mësohen në mënyrë të mirëfilltë në shkollë, e megjithatë janë pikërisht ato vlera që njeriun e bëjnë njeri.

Në kohën kur ka kaq shumë reagime për reformat në arsim, në kohën kur njerëzit skandalizohen nga kyçja e edukatës seksuale në sistemin e arsimit fillor, qoftë edhe në klasën e nëntë, në kohën kur interneti pritet të jetë mësuesi i gjithëçkasë e programet e skaduara arsimore nuk mund ti përmbushin pritshmëritë e ardhmërisë, është mirë të mendojmë për atë se si do i detyrojmë fëmijët tanë të përballen me ardhmërinë në të cilën ata duhet të jetojnë, të punojnë, të krijojnë familje, dhe të mbesin të shëndoshë. Atë të ardhme ne nuk mund ta kuptojmë, sepse siç ka thënë Halil Xhibran: “Fëmijët e juaj nuk janë fëmijët tuaj. Ata vinë përmes jush por nuk janë të juajit. Ju jetoni në shtëpinë e së tashmes, ata jetojnë në shtëpinë e së ardhmes. Dhe atje ku ata jetojnë, ju nuk mund të shkoni”.

Pasi nuk kemi gjasa ta kuptojmë atë ardhmëri, është mirë të mos bëhemi pengesë për fëmijët tanë por t’ua lehtësojmë sa më shumë tranzicionin drejt asaj që për ata mbetet mister ndërsa për ne pakuptimësi.

Shkruan: Besa Arifi

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button