Xhesina Xhika: Pjesa më e bukur e çdo fluturimi mbetet ngritja e avionit nga toka (VIDEO)

Xhesina Xhika, 26-vjeçare, vjen nga një fshat i vogël i Elbasanit. Ajo u largua nga Shqipëria në moshën 21-vjeçare drejt Dubait, ku edhe jeton e punon për pesë vitet e fundit. Prej tre vitesh tashmë është duke punuar si stjuardesë në një kompani ajrore, që quhet Flydubai, dhe vitin e fundit ka arritur të pajiset me licencën e parë të pilotimit (PPL- Private Pilot License).Në një intervistë për Portalb, ajo tregoi se si filloi e gjithë eksperienca e saj në pilotim.

“Dëshira për t’u bërë pilote lindi që në momentet e para kur nisa trajnimin tim si stjuardesë. Duke qenë e përfshirë në një mjedis të tillë dhe e rrethuar nga njerëz me eksperienca nga më të larmishmet në fushën e aviacionit, e kam gjetur veten në një vend pune i cili më përshtatet më së miri. Pas përfundimit të trajnimit si stjuardesë, te fluturimi i parë që kam operuar, më është dhënë mundësia të qëndroj në kabinën e pilotit për ngritjen dhe uljen e avionit. Ajo ditë për mua ka qenë vendimtare në lidhje me mendimin që të bëhesha pilote. Pas atij momenti kam nisur kërkimet rreth trajnimit të nevojshëm, shkollat e mundshme ku mund të kryeja trajnimin, kostot përkatëse e tjerë. Për shkak të angazhimeve me punën, e kam filluar trajinimin në Dubai vitin e kaluar dhe pas një viti kam arritur të pajisem me licencën time të parë, kam grumbulluar 110 orë fluturimi dhe kam nisur studimet teorike për licencë komerciale.” tha Xhesina.

This slideshow requires JavaScript.

Të fluturosh për ndonjë pushim, duket e lehtë. Të kesh fluturimin profesion, duhet të jetë e lodhshme. Por, Xhesina nuk e përshkruan kështu, ajo për profesionin e saj thotë:

“Çdo fluturim është i veçantë dhe unik në llojin e tij. Gjithmonë kam dëgjuar pilotët të thonë se nuk ka dy fluturime të njëjta dhe se të jesh një pilot i zoti do të thotë të jesh artist. Siç ka thënë edhe Walter Raleigh: “ Motori është zemra e avionit, ndërsa piloti është shpirti i tij”. Për mua pjesa më e bukur e çdo fluturimi mbetet ngritja e avionit nga toka. Është pikërisht momenti kur ndjen fuqinë e ajrit që e ngre avionin nga pista dhe përpara teje shtrihet një qiell i hapur, që të pret për të të dhuruar disa nga pamjet më të bukura. Janë veçanërisht të bukura momentet kur fluturon midis reve ose kur fluturon mbi det dhe përreth teje sheh vetëm ngjyrën blu të qiellit dhe të detit! Por, momenti me më shumë adrenalinë është ulja e avionit. Të gjendesh me aeroporte të ndryshëm, t’i bashkohesh trafikut të aeroportit dhe të shohësh disa nga avionët më të mëdhenj që sot fluturojnë në botë të jenë veç disa metra larg teje, të ulësh avionin çdo herë sipas procedurave të kërkuara dhe brenda parametrave të duhur, janë veç disa nga faktorët që të dhurojnë kënaqësi kur ia del të kthehesh përsëri në tokë i sigurt.” u shpreh Xhika.

Frika për të fluturuar, ose ndryshe aviofobia, është një prej frikave që mund ta hasim më së shumti te njerëzit. Po si e përjeton stafi i fluturimit, momentet kur ka turbulenca dhe duhet të përballen me njerëz të cilët shfaqin frikë? Për këtë pjesë Xhesina tha:

“Gjatë fluturimeve, turbulencat janë pothuajse përherë të pranishme, por në magnituda te ndryshme. Si stjuardesë, kur hasemi me turbulenca gjatë fluturimit, prioriteti yne është siguria e njerëzve përreth, duke u kujdesur që të gjithë pasagjerët të qëndrojnë të ulur dhe me rripin e sigurimit të vendosur. Janë të shpeshta rastet kur kemi pasagjerë që u frikësohen momenteve të tilla dhe i kap paniku. Normalisht, në të tilla momente mundohemi t’i qetësojmë pasagjerët dhe t’ua largojmë sado pak frikën duke i siguruar që situata është nën kontroll. Nga pikepamja e pilotit, turbulencat nuk përbëjnë rrezik për aeroplanin apo fluturimin përveç rasteve kur janë shumë të ndjeshme (severe). Sipas mundësive, mundohemi të gjejmë menyra të ndryshme për t’i devijuar turbulencat për shkak të pakënaqësisë që i ofrojnë pasagjerëve.” tha Xhesina.

Mesazhi që Xhesina përcolli për të gjithë pasagjerët është:
“Përgjatë viteve që kam qenë pjesë e aviacionit, kam pasur mundësinë të takoj njerëz nga vende të ndryshme të botës. Njerez të ndryshëm nënkupton kultura dhe ideologji të ndryshme, mentalitete dhe bindje fetare nga më të larmishmet. Por, pavarësisht të gjithë këtyre dallimeve, njerëzit kanë një dashuri të përbashkët për udhëtimet. Viti i fundit ka qenë shumë i vështir dhe delikat për industrinë e aviacionit dhe udhëtimet e fluturimet na kanë munguar shumë. Shpresoj që këte vit të shoh e të takoj akoma më shumë entuziastë dhe njerëz të epshur për fluturimet dhe buzëqeshja të mos iu mungojë kur vijnë në avion dhe nisen për një aventurë të rë.” përmbylli Xhesina Xhika.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button