RMV, skenari i gjelbër dhe investimet në BRE ngelin prioritete strategjike në energjetikë

Realizimi i skenarit të gjelbër, nga Strategjia për zhvillim të energjetikës deri në vitin 2040, përfundimisht është opsioni më i pranueshëm për të ardhmen energjetike të vendit. Gjatë kësaj, zëvendësimi i thëngjillit me gaz dhe me burime tjera të rigjenerueshme (BRE), përkatësisht tranzicioni energjetik nga thëngjilli në BRE, mbetet prioritet strategjik i Qeverisë, implementimi i të cilit do të sjellë përfitime ekologjike dhe ekonomike, por edhe stabilitet në sistemin energjetik. Në atë drejtim janë edhe zgjidhjet e miratuara ligjore, si dhe një sërë planesh dhe projektesh të cilat janë në rrjedhë e sipër, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Këtë e theksoi kryeministri Zoran Zaev në pres konferencën e sotme të përbashkët me drejtorin e Elektro-ekonomisë së Maqedonisë së Veriut (EEM), Vasko Kovaçevski dhe me drejtorin e KEM “Manastir”, Zllatko Qurçievski, në të cilën u prezantua procesi i tranzicionit energjetik, nga burimet konvencionale në prodhim me BRE.

“Në të gjitha projektet dhe investimet e tre viteve të fundit, theksi vihet në energjinë e gjelbër, në prodhim më të madh të energjisë nga BRE dhe rritje të efikasitetit në sistemin energjetik. Në atë drejtim janë investimet e deritanishme si dhe ato të planifikuara në centralet fotovoltaike, zëvendësimi i një blloku nga KEM “Manastir” deri në vitin 2026 me impiant fotovoltaik dhe elektranë kogjenerative me gaz, revitalizim i bllokut të dytë, ndërsa deri në vitin 2026 edhe desulfurizim dhe dekarbonizim i plotë i rrymës. Qëllimi është që gjatë kësaj, të sigurohet edhe stabilitet i sistemit elektro-energjetik”, tha Zaev.

Ai e përsëriti që në rrjedhë e sipër është faza e dytë e projektit HEC “Çebren”, për çka nga 10 ofertat e pranuara për koncesion për ujë, 9 e kanë kaluar fazën e 1-rë, që ky është projekt me vlerë prej 600 deri 800 milionë euro që do të japë mbi 300 megavatë energji të re në sistem. Pastaj, e konfirmoi që në rrjedhë e sipër është ndërtimi i centraleve fotovoltaike për 62,5 megavatë, me NPP, që për KEM “Osllomej” rrjedhë faza e dytë e tenderit për ndërtim të 2 centraleve fotovoltaike plotësuese për 100 megavatë shtesë, për çka në mars do të jetë i njohur realizuesi si dhe atë që janë duke u ndërtuar tre akset e rrjetit të gazsjellësit, të cilat janë 372 kilometra, ndërsа deri në fund të këtij viti planifikohet të ndërtohen edhe 274 kilometra gazsjellës, me çka do të rrumbullakohet unaza e gazsjellësit në vend, kurse planifikohet edhe interkoneksion me Greqinë, Kosovën dhe Serbinë për transit të gazit.

Vasko Kovaçevski, drejtori i EEM-së tha se shteti qartë është përcaktuar për skenarin e gjelbër, sipas standardeve të BE-së, me të cilat do të zvogëlohet emetimi i gazrave të dëmshme gjatë prodhimit të rrymës. Në atë drejtim janë edhe investimet për realizim të projekteve për transferim të prodhimtarisë së rrymës nga thëngjilli, kah energjia diellore dhe me gaz. Për këtë, shembull është KEM “Osllomej” ku ka filluar ndërtimi i centralit fotovoltaik me fuqi prej 100 megavat.

“Centrale fotovoltaike do të ndërtohen edhe në afërsinë e thuajse të gjitha kapaciteteve tona, sikur HEC “Mavrovo” dhe “Tikvesh”, KEM “Manastir… do të zgjerohet parku i centralit me erë në Bogdanci, ndërsa do të ndërtohet një i ri në Miravci. KEM “Manastir” do të kalojë nga shfrytëzimi i thëngjillit, në shfrytëzim të BRE-ve, mirëpo ky është proces që do të rrjedhë në faza dhe paralelisht, që të mos cenohet stabiliteti dhe prodhimi i rrymës. Me transformimin e njërit bllok të KEM “Manastir”, në elektranë me energji dillore dhe me gaz, me fuqi prej 250 deri 400 megavat, do të prodhohet edhe rrymë edhe energji termale për nevojat e Novacit, Mogillas dhe Manastirit”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi që prodhimtaria me thëngjill duhet të vazhdojë, mirëpo për të qenë më e pastër, deri në vitin 2023 do të bëhet rekonstruktim themelor i filtrave në blloqet 1 dhe 2, ndërsa deri në vitin 2026 edhe desulfurizim i plotë i Kombinatit, deri në zëvendësim të plotë me BRE. Pjesë e mjeteve të nevojshme për atë qëllim do të fitohen edhe nga kursimi që do të bëhet me zëvendësimin e mekanizimit të vjetër me atë të ri për gërmim të thëngjillit, me çka do të reduktohen shpenzimet e deritanishme për gërmim, rreth 30%.

Sipas drejtorit të KEM “Manastir”, Qurçievski, kursimi nga përdorimi i mekanizimit vetanak dhe cilësor me 36 makina të reja, për çka sot është nënshkruar kontratë, do të mundësojë të fokusohen më tepër mjete në projekte ekologjike për mbrojtje më të madhe të mjedisit jetësor, që është prioritet i kompanisë. Me transformimin e prodhimit nga thëngjilli në BRE dhe me mekanizimin e ri, siç tha ai, nuk do të ketë edhe zvogëlim të numrit të të punësuarve si dhe nuk do të cenohet stabiliteti në prodhimin e rrymës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button