FRA: Në të gjitha shkollat të organizohen orë për informim dhe përgatitje të provimit të maturës

Gjatë mbajtjes së provimit të maturës shtetërore, përparësia kryesore duhet të jetë shëndeti, siguria dhe informacioni për të gjithë të përfshirët në procesin e përgatitjes dhe provimit: studentët, kuadri mësimor dhe administrativ, personeli teknik, si dhe vëzhguesit. Komunikimi në kohë me maturantët dhe sigurimi i mbështetjes së tyre gjatë gjithë procesit është thelbësor për organizimin dhe kryerjen me sukses të provimit të maturës, i cili është moment veçanërisht i rëndësishëm në procesin arsimor të të rinjve, vlerëson Forumi Rinor Arsimor, transmeton Portalb.mk.

“Nxënësve u mungon informacioni rreth programit të shkurtuar në përmbajtjen e nevojshme për të mësuar dhe përgatitur provimin e maturës. FRA u bën thirrje të gjitha shkollatve që të organizojnë orë për informacion dhe përgatitje për provimet e maturës dhe të caktojnë profesorë që do të jenë kontakt për informacion në lidhje me maturën dhe të cilët do të jenë në dispozicion të nxënësve në lidhje me paqartësitë, pyetjet, shqetësimet dhe mangësitë e tyre në njohuritë dhe përgatitjen e material për provimet e maturës”, theksojnë nga FRA.

Organizata rinore konsideron se kufizimi i provimeve të maturës në dy afatet e provimit, siç është praktikuar deri më tani, ka mangësi për faktin se pamundëson mbajtjen e provimit për nxënësit që janë të sëmurë ose në izolim për shkak të kontaktit me ndonjë pacient me covid19.

“Nëse kjo ndodh, ata do të duhet të japin provimin brenda afatit të provimit në gusht, gjë që ul ndjeshëm shanset e tyre për të aplikuar dhe regjistruar në fakultet. Për këto arsye, ne u propozojmë institucioneve kompetente që të japin një datë tjetër shtesë për marrjen e provimit të maturës, gjatë muajit korrik, e cila fillimisht do të jetë për nxënësit të cilët janë penguar të merrnin provimin në qershor. Në mënyrë që të sigurohet e njëjta pozitë për të gjithë maturantët që do të fillojnë arsimin e tyre të lartë këtë vit, është e nevojshme që institucionet të sigurojnë një afat provimi në korrik, në vend të vetëm afatit “korrigjues” të gushtit”, thuhet në deklaratën e FRA-së.

Forumi Rinor Arsimor thekson se diplomimi është një segment i rëndësishëm për përfundimin e arsimit të mesëm dhe si i tillë duhet të zbatohet me cilësi dhe i mirëmenduar. Nga FRA thonë se do të vazhdojnë të vëzhgojnë me vigjilencë procesin e dhënies së provimit të maturës në mënyrë që të sigurojnë informacion të plotë dhe kushte të përshtatshme për maturantët që të përgatiten për maturën shtetërore.

Ndërkohë, kërkesat e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në lidhje me maturën janë që të bëhen ndryshime ligjore për maturën shtetërore, të cilat do të vlejnë vetëm për këtë vit shkollor, ndërsa do t’i referohen zvogëlimit të lëndëve. Këtë kërkesë ata e bënë për shkak të situatës së arsimit gjatë pandemisë Kovid-19. Tashmë kanë pasur takime edhe me deputetë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare njoftoi se i mbështeste dhe paraqiti ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Mesëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button