Nëse nuk ka zgjidhje, nga 1 marsi me tenda do të jemi para ministrisë, paralajmëroi UNSHM-ja pas takimit me Zaev

Unioni i nxënësve të shkollave të mesme (UNSHM) pas takimit me kryeministrin Zoran Zaev, ka paralajmëruar që nga fillimi i marsit do të protestojnë, nëse deri në fund të këtij muajit nuk do të realizohen kërkesat e tyre, transmeton Portalb.mk. Qeveria u shpreh e gatshme për të gjetur kompromis.

“Nëse deri në fund të muajit shkurt ne nuk do të gjejmë ndonjë zgjidhje për maturën shtetërore, atëherë do të qëndrojmë me tenda para objektit të Ministrisë së arsimit dhe shkencës”, deklaroi Blendi Hodai, kryetari i UNSHM-së.

Ai sqaroi që qëndrimi me tenda para ministrisë, do të pasojë me presion të ambasadave, duke vlerësuar që patjetër do të ketë zgjidhje për kërkesat tona.

“Jemi të vendosur për kërkesat tona, por jemi edhe të hapur për gjetur zgjidhje kompromisi”, deklaroi Hodai, duke theksuar se kryeministri Zaev ka shprehur gatishmëri për zgjidhje, në krahasim me ministren Milla Carovska që dëshiron të bisedojë.

Qeveria ka shprehur gatishmëri për të biseduar në lidhje me numrin e lëndëve në maturëmn shtetërore.

“Qeveria është e hapur përmes dialogut të bisedojmë për gjetjen e zgjidhjes së përbashkët kompromisi, që do të jetë në të mirë të maturantëve”, deklarojnë nga Qeveria, pas takimit të zhvilluar ndërmjet kryeministrit Zaev dhe nxënësve.

Ndryshe, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme ka vendosur që nga 6 deri më 12 shkurt të ndërpresë përkohësisht bojkotin.

Kërkesat e Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në lidhje me maturën janë që të bëhen ndryshime ligjore për maturën shtetërore, të cilat do të vlejnë vetëm për këtë vit shkollor, ndërsa do t’i referohen zvogëlimit të lëndëve. Këtë kërkesë ata e bënë për shkak të situatës së arsimit gjatë pandemisë Kovid-19. Tashmë kanë pasur takime edhe me deputetë, ndërsa VMRO-DPMNE-ja opozitare njoftoi se i mbështeste dhe paraqiti ndryshimet e propozuara në Ligjin për Arsimin e Mesëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button