RMV, njëra ueb-faqe ku qytetarët mund të paraqiten për vaksinim është funksionale, tjetra akoma jo

Ministria e Shëndetësisë njoftoi në orët e pasdites që ueb-faqja vakcinacija.mk është funksionale vetëm në gjuhën maqedonase, derisa ueb-faqja kovid19vakcinacija.mk akoma është jofunksionale, transmeton Portalb.mk.

“Në përdorim është lëshuar ueb-faqja “Vakcinacija.mk”, në të cilën qytetarët do të mund të paraqiten për vaksinimin kundër Kovid-19. Çdo qytetar i interesuar që dëshiron të pranojë vaksina kundër virusit korona, mund të paraqitet në ueb-faqen”, njoftojnë nga ministria.

Ministria sqaroi që qytetarët duhet të plotësojnë aplikacionin për të shprehur gatishmërinë për vaksinimin, ashtu që automatikisht do të regjistrohen në “Termini im”.

Ndryshe, ueb-faqet janë për paraqitjen dhe shprehjen e interesit për vaksinimin kundër Covid-19 ishin paralajmëruar që prej sot do të jenë të qasshme. Sipas kësaj forme të paraqitjes praktikisht çdokush mund të aplikojë. Kështu deklaroi ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili tha se sistemi vetë do të gjenerojë prioritetet, që do të thotë se do të marrë të dhëna edhe për të rinjtë që nuk kanë sëmundje kronike, ndërsa të cilët shprehin gatishmëri për tu vaksinuar dhe atëherë kur të vij rendi për vaksinimin ata njoftohen në përputhje me rrethanat.

“Pra, vullneti shprehet pas regjistrimit në sajt”, shpjegoi Filipçe.

I pyetur se si do të kenë kontroll, pasi mjekët amë i kanë thirrur pacientët e tyre, Filipçe tha se do të bëhet në një mënyrë që do ketë konfirmim në sistemin “Termini im” se ata pajtohen që të vaksinohen.

“Ne kemi listën e saktë. Tani flasim për kategorinë prioritare të qytetarëve të moshuar mbi 70 vjeç, të cilët gjithashtu hyjnë në këtë, të themi, raundin e parë të vaksinimit. Pas kontaktit nga ana e mjekut amë, informacioni regjistrohet në sistemin “Termini im” në të cilin deklarohet vullneti për vaksinim dhe bëhet orari i saktë me kohën dhe pikën e vaksinimit sipas afërsisë së vendbanimit dhe kjo është e mjaftueshme për caktimin e terminit dhe është normale që qytetari të paraqitet për vaksinim, tha Filipçe, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pasi vizitoi poliklinikën Bit Pazar, ku do të ruhen vaksinat kundër Covid-19.

Në pyetjen nëse ndonjë nga punonjësit shëndetësorë që janë paraqitur për vaksinim, tërhiqet dhe nëse mund të vaksinohen më vonë, ai tha se bëhet fjalë një sistem fleksibël dhe ata edhe më tej do të mund të paraqiten për vaksinim.

“Tani jemi përqendruar te punëtorët shëndetësorë dhe mendoj se sistemi është mjaft i përshtatshëm për këtë numër të punëtorëve shëndetësorë që është i paraqitur. Procesi i vaksinimit do të fillojë. Jemi të gatshëm ta përditësojmë. Jemi të përgatitur për opsione të tjera. Kemi parë shembuj në disa vende të tjera. Nuk duam të nxitojmë, por ky është një sistem që funksionon mirë, i cili ka treguar rezultate deri më tani, por ne jemi të hapur dhe të gatshëm sipas vullnetit, dëshirës për vaksinimtë bëjmë diçka që do të nënkuptojë zgjerim të kapacitetit. Në një pjesë janë përgatitur gjithashtu edhe Spitalet modulare. Tani janë praktikisht kudo. Pacientët janë në spitalet e vjetra dhe ky është një sistem për të cilin po mendojmë”, tha Filipçe dhe shtoi se vaksinimi mund të bëhet edhe në spitalet modulare.

Filipçe gjatë vizitës së klinikës shëndetësore në Bit Pazar njoftoi se afro 4 mijë punonjës shëndetësor janë paraqitur për të marr vaksinën antiCovid, e cila gjatë këtij muaji pritet të arrijë në vendin tonë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button