Tre prioritetet e Besimit: Kujdesi për shëndetin e qytetarëve, sigurimet sociale dhe mbështetja e ekonomisë

Ruajtja e shëndetit të qytetarëve, sigurimet sociale dhe mbështetja e rimëkëmbja e ekonomisë. Këto janë tre qëllimet që, sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, do të jenë në qendër të politikave fiskale në vend gjatë periudhës së ardhshme, njofton Portalb.mk.

“Në buxhetin e vitit 2021, ne kemi ndarë mbi 640 milionë euro për shëndetësinë (më shumë pati vetëm në krizën e vitit 2020), rreth 1.5 miliardë euro për mbështetjen sociale dhe mbi 1.4 miliardë euro për mbështetjen e zhvillimit ekonomik. Ky vit mund të jetë “viti për një fillim të lartë”, më saktësisht një vit kur ne do të fillojmë një garë në shtigje të gjata, një garë për rritje më të lartë dhe të qëndrueshme, e cila në një periudhë afatmesme do të kontribuojë për një standard më të mirë të jetesës dhe kushte më të mira për jetë në vend. Vendosja e strategjisë së duhur është thelbësore për suksesin në këtë garë. Është e rëndësishme të kemi një pasqyrë të qartë të qëllimit, të jemi të përgatitur që kjo të mos jetë vetëm një garë e këtij brezi dhe të drejtojmë të gjitha forcat dhe kapacitetet tona drejt rezultatit më të mirë të mundshëm”, komenton Besimi në kolumnën me titull “Kalimi nga shpëtimi drejt rivitalizimit dhe rritjes më të shpejtë ekonomike“.

Ai i shpjegon edhe masat nga grupi i pestë, duke theksuar se ato ofrojnë grante për rezultate e realizuara pozitive ekonomike, mbështetjen financiare për eksportet, rritje të ndjeshme të qasjes në kredi dhe mjete likuide përmes fondeve – gjegjësisht një seri masash që do të mbështesin komponentën e zhvillimit dhe gjenerojnë rritje.

“Pakoja e pestë e masave antikrizë u krijua në bazë të qëllimeve për të nxitur rezultate pozitive afariste, për të mbështetur aktivitetin e eksportit, për të mbështetur qasjen në kapital të kompanive, për të inkurajuar aktivitetin e investimeve, për të përmirësuar konkurrencën, investimet në resurset njerëzore, dixhitalizimin dhe investimet në inovacion dhe zhvillim, për të mbështetur rivitalizimin dhe zhvillimin”, shkruan Besimi.

Ministri i Financave thekson se, nëse vitin e kaluar detyra kryesore për politikëbërësit ishte të kursenin dhe të ruanin likuiditetin dhe aftësinë paguese të ekonomisë me sa më pak pasoja nga goditjet e krizës, këtë vit detyra është disi më e komplikuar.

“Politikat dhe masat që po ndërmerren dhe do të ndërmerren këtë vit nuk do të jenë për mbijetesë, por për ringjalljen e ekonomisë”, njofton Besimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button