LIBRAT E GJYSHIT

Moti, kur kam qenë në klasën e tetë, gjyshi im J. Ahmeti i ruante librat në tavan. Ndërkaq e tërë biblioteka ime ishte e përbërë prej tre-katër librash: Cikli i këngëve kreshnike, një libër pa kopertina e pa titull me këngë lirike, romani “Lugjet e verdha” të Rexhep Hoxhës e libri i leximit. Natyrisht nuk mjaftonin këto për kërshërinë tonë. Mirëpo gjyshi e mbante të ndaluar bibliotekën e tij. Pikërisht ndalesa e tij s’më lente të qetë: vallë çfarë fshihet në ato libra? Prandaj një ditë hipa në bibliotekën e gjyshit. I gjeta librat pa ndonjë rregull dhe të pa palluara. Ishin pra të shpërndara. Ne dritën që vinte nga shtëpia e zjarmit (kuzhina e atëhershme) i shpaloja librat një nga një. Të gjitha ishin të shkruara me shkronja arabe. Me kujdesin më të madh i renditja sepse gjyshi librat me shkronja arabe që i lexonte i konsideronte si të shenjta, të paprekshme për ne, përveç tij që gjithmonë merrte abdes para se ta merrte ta lexojë një libër të tillë. Pastaj nisa të hipi çdo ditë të hipja në tavan, sa herë që gjyshi nuk ishte n shtëpi. S’më lente të qetë fshehtësia që kumbonte në shkronjat e çuditshme arabe, aq të ndryshme nga shkronjat me të cilat ishin shkruar “Ajkuna kjan Omerin”, “Lugjet e verdha” ose libri i leximit që ishin një derë e hapur kah imagjinata. Sido që të jetë edhe librat e gjyshit, edhe librat e mi ma xiglonin imagjinatën, secilat në mënyrën e vet. Librat e mi me kumbimin e vargut të mrekullueshëm të këngëve të kreshnikëve, fjala shqipe dhe peripecitë e Shpendit në Lugjet e verdha dhe shkronjat arabe të renditura herë me ngjyrë të zezë e herë me ngjyrë të kuqe në librat me letra të zverdhura e me kopertina prej lëkure të vjetruar. Ndërkohë biblioteka ime pasurohej pak nga pak me libra të ndryshëm shkollorë, por edhe me ndonjë libër që ma jepnin shokët të cilët e kishin marrë si dhuratë për suksesin e shkëlqyeshëm, ndërsa biblioteka e gjyshit vazhdonte të mbetej e ndaluar, kurse unë më kot mundohesha të zbërthej diçka nga hermetika e pafundësisë së shkronjave arabe të renditura me një pedanteri e të shkruara me dorë në librat e gjyshit, sa herë që hipja në tavan.

Një mëngjesi herët sapo bëhesha gati për në shkollë, im gjysh që zgjohej herët e pinte kafenë e tij ngadalëz, sepse e kishte ritual të rëndësishëm pasi e falte namazin e mëngjesit dhe pasi që i bënte lutjet e tij të përditshme, unë e mora guximin që t’i them gjyshit që t’i zbresë poshtë librat, t’i rendisë në raft, se kisha parë që ndonjë libër të shenjtë që kishin kushërinjtë e mbanin në raft.

“A paske hipur ti në tavan te qitapët, a”? më pyeti i befasuar gjyshi.

“Po”, i thashë, sepse e dija që gjyshi do t’i pyeste njerëzit e tjerë të shtëpisë e prej trembëdhjetë vetave sa ishim, do të gjendej njëri që të tregonte. Atëherë unë do të dilja në fushë të rrenës dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme.

“Kush të tha të hipish atje”? vazhdoi me pyetjen tjetër gjyshi.

“Askush”, iu përgjigja. “Vetëm desha të shoh si duken”…

Pastaj ra një heshtje, të cilën m’u desh ta trazoja unë.

“Më kanë bërë për vete shkronjat arabe”, i thashë.

“Nuk janë shkronja ato… Ato janë harfa”, më tha gjyshi dhe vazhdoi: “A i preke librat”?

“Po. I rendita pak se ishin të shkapërderdhura”.

“Myzevir”, më tha me një zë që mezi doli nga buzët e ti thuajse të mbuluara me mustaqet e trasha.

Unë s’e kuptova këtë fjalë me të cilën m’u drejtua gjyshi, prandaj vazhdova të insistoj ta vazhdoj bisedën me të për librat.

“Më pëlqejnë ata libra, gjysh”, i thashë. “Lejomë që të kujdesem unë për to”.

“Dëgjo këtu”, m’u kthye gjyshi, është hera e fundit që hip atje në tavan e hallakat nëpër libra. A more vesh”?

Unë heshta, sepse toni i pyetjes së tij ishte kërcënues.

“A më dëgjove”?!

“Po”, i thashë.

“Biseda jonë mbaroi”, tha gjyshi. “Tash mbërthe”! ma bëri me ton të ngritur. Ajo “mbërthe” donte të thotë: ik, largohu, thyej qafën!

Unë e vara strajcën me libra në kep të krahut dhe dola nga dera pa u përshëndetur.

“Dreq”! e dëgjova fjalën e gjyshit që e shqiptoi pak pa e mbyllur unë derën e dhomës duke dalë jashtë. Kurse jashtë drita e diellit  depërtonte me vështirësi në mëngjesin e nëntorit.

Shkova në shkollë edhe i habitur, por edhe i trishtuar. Nuk e kuptoja se çfarë ishte ai reagim, çfarë ishte ajo mbrojtje me atë vendosmëri të librave nga unë që isha një djalë në kufirin që e ndan fëmijërinë nga djalëria. Megjithatë gjatë gjithë kohës kaligrafia arabe s’më hiqej mendësh me  ditë të tëra.

Një ditë tjetër kur e mora vesh se gjyshi kishte shkuar me punë në Shkup, e do të qëndronte me ditë atje, unë hipa në tavan t’i shoh edhe një herë librat. U kujdesa që të mos më shohë askush. Në tavan më priti një befasi e hidhur. Asnjë libër, asnjë fletore  s’kishte mbetur. Të gjitha ishin tretur.

Më vonë, kur shkoja në shkollë të mesme e mora vesh se gjyshi i kishte futur në një sënduk të madh të gjitha librat, shënimet e fletoret e tij me shkronja arabe dhe i kishte futur në dhe në një vend të panjohur.

Pse? S’e mora vesh. Sipas fjalëve të tim ungji, gjyshi ka qenë i bindur se nuk do të ketë njeri pas tij që ta ruajë e ta mbrojë shenjtërinë e librave të tij. Ndërkaq, më vonë, unë e përjetova këtë si shkatërrimin e Bibliotekës së Aleksandrisë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button