Moska dëboi diplomaten shqiptare

Shqipëria në muajin janar e dëboi një diplomat të ambasadës ruse në Tiranë për shkak të “shkeljeve të përsëritura të masava anti COVID”, duke kërkuar largimin e tij brenda 72 orëve.

Kërkesë të ngjashme, VOA raportoi që ka parashtruar edhe Rusia ndaj një diplomates shqiptare. Ministria e Jashtme ruse, thirri ambasadorin e Shqipërisë në Moskë Arben Gazioni, të cilit i dorëzoi “Notën” përmes së cilës, Sekretarja e parë e ambasadës shqiptare, Jonida Dogu shpallej “person i padëshiruar” dhe se ajo duhet të linte territorin e Federatës ruse brenda 72 orësh.

Në një njoftim të sajin, Ministria e Jashtme ruse bën të ditur se “ky hap u ndërmor në përgjigje të vendimit të Shqipërisë për të dëbuar nga vendi, Sekretarin e Parë të Ambasadës së Rusisë në Tiranë, nën një pretekst plotësisht të sajuar”, sipas Moskës. Njoftimi i konsideron “veprimet e palës shqiptare si një provokim me synimin për të fituar pikë politike në kontekstin e fushatës zgjedhore që ka filluar në Shqipëri” .

Sipas Ministrisë së Jashtme ruse “veprimet e palës shqiptare bien në kundërshtim me sigurimet e Tiranës për dëshirën për të zhvilluar marrëdhënie miqësore midis vendeve tona, në fakt ato e largojnë perspektivën e kapërcimit të stanjacionit në çështjet dypalëshe. Kjo moskoherencë meriton keqardhje”, përfundon njoftimi.

Ministria e Jashtme shqiptare bëri të ditur me 21 Janar se vendimi për dëbimin e diplomatit rus Aleksej Krivoshejev, ishte marrë për shkak të mosrespektimit nga ana e këtij të fundit, të rregullave Anti COVID të vendosura nga qeveria shqiptare.

Sipas njoftimit zyrtar të Tiranës, që prej fillimit të pandemisë, diplomati rus kishte sfiduar në mënyrë të përsëritur kufizimet e vendosura nga autoritetet shqiptare. “Përfaqësuesë të lartë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, kanë kontaktuar me ambasadorin e Ambasadës së Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev, duke i bërë me dije shqetësimin për shkeljet e vazhdueshme të masave anti COVID-19 nga diplomati. Ministria ka mirëpritur dhe e vlerëson thellë rolin plotësisht bashkëpunues të ambasadorit për këtë çështje, me premtimin se këto akte nuk do të përsëriten. Fatkeqësisht, ndryshe nga premtimet, diplomati ka vijuar me shkeljen e masave, pavarësisht shprehjes së dëshirës së mire të të dyja palëve për mospërsëritjen e shkeljeve”, bënte të ditur njoftimi i atëhershëm i Ministrisë së Jashtme Shqiptare, në të cilin saktësohej se “sfidimi i përsëritur i rregullave dhe masave mbrojtëse ndaj pandemisë, dhe shpërfillja e shqetësimeve të institucioneve të shtetit shqiptar lidhur me to, nuk mund të justifikohen e nuk mund të tolerohen më tej”.

Moska reagoi menjëherë një ditë më pas, ndërsa ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri, shpërndau një deklaratë të gjatë mbi rastin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button