NË HORIZONT: NJË KOSOVË E RE

Sipas raportit të Transparency International për vitin 2020 Kosova ka 36 pikë sipas indeksit të perceptimit të korrupsionit, duke u radhitur në vendin 104 në nivel ndërkombëtar (nga gjithsej 179 vende), për dy vite me rradhë duke mos shënuar kurrfarë përparimi në luftën kundër këtij kanceri social. (Metodologjia e kësaj matjeje thotë se vendet më pak të korruptuara marrin 100 pikë, kurse ato më të korruptuarat 0 pikë.) Keqpërdorimi i parasë publike ka qenë evident gjatë 2020-s, shpalli Instituti Demokratik i Kosovës më 28 janar të këtij viti. Në një atmosferë politike të tendosur me Serbinë, në klimë korrupsioni të thellë dhe në kohë Covid-19 kur ka masa që në fushatë nuk respektohen, më 14 shkurt 2021 Kosova realizon zgjedhjet e pesta parlamentare që nga pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008, në të cilat do të garojnë gjithsej 28 subjekte politike.

Dekriminalizimi

Kjo është fjala kyç e analizës së IFIMES nga Lubjana lidhur me zgjedhjet në Kosovë. Me gjasë të dielën e ardhshme shteti më i ri europian do të mbyll një kapitull dhe do të hapë një të ri, do të shpëtojë nga ancien regime, do të krijojë një pikturë politike më të ndryshme nga e deritanishmja. Gjasat janë që të qërohen hesapet me kriminalitetin dhe korrupsionin që janë shndërruar  në mënyrë jetese të ordinerëve të superavancuar dhe oligarkëve të rinj dhe që pengojnë procese si liberalizimi i vizave dhe integrimi i Kosovës në rrjedhat ndërkombëtare normale. Është fatkeqësi që duhet hequr nga skena luftarakët që e sollën lirinë, por edhe ndërkohë siollën edhe mjerimin, pashpresinë. Kjo kategori politikën e kuptuan si rrugë për t’u pasuruar, për t’u elitarizuar ekonomikisht përmes shtigjeve jolegale. Nëse ndodh që të bien tajkunët e politikbëries kosovare, kjo do të jetë një shpresë edhe për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ku gjithashtu është e dukshme një ngirje me fytyrat e vjetra dhe kërkohet gjak i ri politik.

Karizma dhe arsyeja

Të gjitha sondazhet apo matjet e opinionit publik e nxjerrin Lëvizjen VV-në fitimitare të padiskutueshme. (Albanian Post, në bashkëpunim me Institutin “Gani Bobi”: LVV 51.3%, LDK 15.5%, PDK 13.2%, AAK 5.5%, NISMA 1.3%; Dukagjini 11-17 janar 2021: LVV 54.1%,  PDK 14.9 %, LDK 10.3,  AAK 6.4 për qind, Nisma 1.4 %; Express: VV 50.83%). Trendi është në favor të karizmatikut Albin Kurti, i cili e ka edhe elementin e liderit racional nëse do të flisnim me terminologjinë e Max Weber-it. Ai si duket ka arritur të balancojë këto dy elemente. Nuk bazohet vetëm te elementi i parë, ekscentrik dhe spektakolar; ai zotëron dhe njohuri shkollari të ngjizur edhe me vlera etike, me një kulturë politike tjetërfare. Kurti e plotëson kushtin gatishmërisë për t’iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve, atë të drejtësisë sociale. I shoqëruar nga një aktore femër, Vjosa Osmani, gjithashtu e ngritur dhe zë kritik, ai del edhe më i fuqishëm në këto zgjedhje vendimtare kur duhet të vijë në shprehje dimensioni elektoral i demokracisë, ai liberal dhe social, kur performanca demokratike duhet të determinojë ecurinë ekonomike të vendit. Një element tjetër është edhe gatishmëria për t’iu përgjigjur kërkesave të faktorit ndërkombëtar, për të bashkëpunuar në të mirë të ardhmërisë së Kosovës.

Sloganet

Çdo brend përbëhet nga tre komponentë: emri, logoja dhe slogani. Sloganet, të cilat krijojnë sensin e pëlqyeshmërisë (likability) te auditori, janë fjalë të zgjedhura në mënyrë të kujdesshme që flasin për vlerat, ideologjinë dhe misionin e një subjekti; ato janë përsëritje e një ideje me qëllim të bindjes së anëtarëve të një publiku ose të një target grupi të definuar. Janë pesë sigla kryesore në këto zgjedhje kosovare në vigjilje: “Krejt dhe Drejt” (LVV), “Shteti. Shtet” (LDK), “Rimëkëmbje” (PDK), “Forca e Kosovës” (AAK), “Me Çlirimtarët” (Nisma). Fjalia përmbledhëse e Vetëvendosjes shënon shumicën e synuar, fitoren në krejt shtetin dhe drejtësinë e pakompromis që duhet instaluar; zërat kritikë e cilësojnë si një objektiv autokracie, partitokracie apo absolutizmi.  Mottoja e LDK-së rrëfen etatizmin e ngjizur nga tradita e këtij subjekti, dmth “ne e këmi nisur dhe ne dimë ta bëjmë e mbajmë këtë shtet”, “shteti duhet me qenë shtet”. Është kritikuar si gjuhësisht jokorrekte, pa përmbajtje, deri dikur edhe e thatë. (PR Solutions) Neve na duket edhe infantile, sepse Kosova nuk është ndonjë shtet me histori që të thirret kaq fuqishëm në këtë element. Sigla e PDK-së thekson dërrmimin shoqëror të shkaktuar nga qeveritë e kaluara, si dhe nevojën për rimëkëmbje pas ikjes “së padëshiruar” të Thaçit dhe Veselit. Dhe dy partitë e fundit (AAK dhe Nisma) nënvizojnë të kaluarën e UÇK-së, me shënimin se AAK targeton postin presidentit. Siç duket nga trashëgimtaret e UÇK-së vetëm PDK-ja përmes sloganit të vet ka dalë nga petku historik i ushtarakësisë dhe dëshiron të ofrojë më tepër diçka për të ardhmen sesa të ngulë këmbë në të kaluarën.

Ndikimi në Maqedoninë e Veriut

Ekziston një lidhje politike mes subjekteve politike të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Edhe fëmijët e vegjël e dinë afërsinë e PDK-së me BDI-në, dëshirën e flaktë të kësaj të dytës që Partia Demokratike e Kosovës të dalë fitimtare në zgjedhjet e shkurtit, që për çastin është vetëm një dëshirë apo një ëndërr e mirë. Nga ana tjetër, LVV ka raporte më të afërta me Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën (kjo e fundit derisa ishte “Besë” ua ofronte rinistëve të vet edhe në leksione periodike në Shkup ku mes tjreash ligjëues qe edhe Kurti). Fitorja e dyshes Kurti-Osmani do t’i dobësonte pozicionet e “blu-verdhëve” të Maqedonisë dhe do t’i shtonte gjasat që në zgjedhjet e ardhshme të fitonte koalicioni për momentin opozitar që ende s’ka ndonjë agjendë zhbiruese për ta lëkundur “ariun politik” të Iliridës. Pas-lufta dhe fryma e UÇK-së vazhdojnë ta mbajnë gjallë dhe në fron Bashkimin Demokratik që s’dihet edhe sa do të mundet ta ushqejnë. Një furtunë politike në Kosovë do t’i lëvizte figurat edhe në tabelën e shahut këtu ndër ne, ku gjatë kohë ritet ndryshimi i gjakut politik. Në ciklet e fundit zgjedhore Ahmeti qëndronte në këmbë të qelqta, por me metoda jolegjitime dhe me suport politik maqedonas, me ndihmë eksterne, në veçanti kosovare, sërish arriti që të dalë i pari. Vitet e plakin çdo qenie, edhe BDI-në, e cila ka arritur kulmin dhe s’ka më ku të shkojë pos teposhtë. Është për të ardhur keq që s’ia ndryshuan vendin opozitarët por mund ta lëkundë ndonjë domino efekt apo dhëmbi i kohës që ha gjithçka, edhe parti.

Konkluzione: Këto zgjedhje që kërkohet të zhvillohen sipas standardeve evropiane dhe të jenë transparente e gjithpërfshirëse (Pisonero nga Komisioni Europian), janë tepër të rëndësishme për fatin dhe ardhmërinë e Kosovës. Ato e determiojnë promovimin e agjendës së integrimeve evropiane dhe të reformave të domosdoshme për ndërtim të një shoqërie vërtet demokratike. Të gjithë duam një Kosovë të re, europiane, që do të përmendet jo vetëm përmes sportit e muzikës por edhe në fusha të tjera të jetës, për suksese në ekonomi, arsim etj. Një Kosovë e departizuar është zgjidhja, një Kosovë që në saje të performancave dhe sukseseve të veta del e shkëputur nga kronikat e zeza dhe nga pasionet e Beogradit ekspansionist. Këto mund t’i sjellë vetëm ndryshimi, vetëm njerëz të rinj. Një gjeneratë e re. Pa hipoteka. Të pakapur. Shtetarë dhe prijës të ditur dhe vizionarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button