Pabarazia para dyerve të Evropës

Të gjithë që kemi vizituar qoftë një shtet të BE-së, jashtë unionit apo në kontinentet tjera të zhvilluara, kemi vërejtur se asnjëri nuk flet për jo barazi të hapur apo diskriminim. Disa nga shtetet e WB-6 që pretendojnë Bashkimin Evropian (BE) ende janë larg reformave të vërteta në fushën e të drejtave themelore. Andaj, një ndër fushat ku shtetet kandidate duhet të harmonizojë ligjet dhe të tregohen se janë kundër dallimeve sociale dhe ekonomike është pabarazia.

Historikisht pabarazia, diskriminimi dhe tatimet kanë qenë një ndër shkaqet e fillimit të luftërave qytetare. Presidenti  Abraham Linkoln pas një karriere të bujshme në shtetin e Ilinoit (Illinois) dhe vlerësimit të qartë që kishte si jurist dhe më pas si udhëheqës për dallimet raciale dhe investimin që duhej të bënte Amerika në të drejtat e njeriut, posa mori postin e presidentit bëri ndryshime rrënjësore në fushën e të drejtave të sociale, qytetare, tatimeve dhe uljen e varfërisë.

Masat e ndërmarra nuk ju pëlqyen të bardhëve me çka nuk vonoi shumë kur shpërthimi i luftës qytetare (1861-65) në Amerikë solli ndarjen në mes veriut dhe jugut, deri sa shteti i ri në Perëndimin e Egër që kishte filluar të eksperimentonte me demokracinë pothuajse u shpërbë dhe me gjasa të mëdha të humbiste statusin në Hemisferën Veriore.

1.Qeveritë e Ballkanit Perëndimor e sidomos shtetet e përziera etnike dhe fetare, nuk kanë investuar në rajonet e pa zhvilluara që njëherit është pasqyrë e pabarazisë. Në përgjithësi kemi dy pikëpamje kryesore të pabarazisë sociale. Një pikëpamje ka të bëjë me teorinë funksionale dhe tjetra me teorinë e konfliktit, ndërsa ka autorë tjerë që besojnë se pabarazia është e pashmangshme në të gjitha format nga fillimi i shoqërisë njerëzore e deri në sot.

Në Ballkanin Perëndimor dhe në veçanti në shtetet e brishta po fundja edhe në shtetet kapitaliste, pabarazia ekonomike është e theksuar në mes klasave siç është pabarazia e të ardhurave dhe e të mirave që shpërndahen në mënyrë të pabarabartë nga qeveritë.

Pabarazia dhe varfëria nga shteti në shtet ndryshon dhe nuk është e njëjtë në të gjitha vendet e botës, sepse hendeku midis njerëzve të pasur dhe atyre të varfër është e caktuar që nga lindja dhe zhvillimi. Hendeku në mes etnive në shoqëritë e përziera po ashtu ka qenë burim konfliktesh për shkak të shpërndarjes jo të barabartë të burimeve. Pabarazia në mes të sëmurëve dhe individëve të shëndetshëm në botë ka qenë dhe vazhdon në mënyrën se si trajtohen ata që kanë mbulesë sigurimesh shëndetësore me kategorinë e pa mbrojtur dhe jo të siguruar.

Për me qenë realist, në të njëjtat fusha pabarazia është e shprehur në Ballkan dhe në Maqedoninë e Veriut (MV) ku pa strategji kombëtare është punuar me dekada. Për shkak të kësaj gjendje, realitetet e përditshme shpesh përcaktojnë nëse njerëzit jetojnë me shëndet të mirë apo sëmundje deri në një moshë të pjekur ose vdekje të hershme të përcaktuara nga mjekët që gjykojnë mbi baza etnike. Në të njëjtën gjendje paraqitet gjyqësia në MV ku proçesohen dhe gjykohen raste mbi baza etnike, politike dhe të nepotizmit.

Kurse, kur bëhet fjalë për krahasimet e të ardhurave kjo as që mund të duket mirë për shtetet dhe shoqëritë e përziera. Njerëzit në jetën e përditshme përballen jo vetëm me pabarazinë etnike që vinë nga politika por, edhe nga pabarazia e të ardhurave e cila paraqet bazë për mospajtime dhe dallime në mes klasave në shoqëri. Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka shpallur ditën e dielë si ditë jo pune duke potencuar se kjo paraqet shenjë të barazisë dhe respektimit të drejtave të punëtorëve. Siç përmendëm më lartë një element i munguar e i lidhur me lumturinë dhe materializmin janë marrëdhëniet shoqërore në mes grupeve etnike. Raportet e tendosura në mes klasave dhe ato ndëretnike janë “fitili” për mospajtime dhe nxitje të mosmarrëveshjeve që mund të qëndrojnë në krye të pabarazisë të të gjitha formave.

Këtu kemi një varg shembuj ku pabarazia është e hapur e kjo mund të vërehet lehtë në shtetet e botës së tretë dhe në vendet që dolën nga komunizmi. Gjendja nuk është e mirë as shtetet që ishin pjesë e Lëvizjes së të Pa-Inkuadruarëve. Kur jemi tek pabarazia shëndetësore kjo është pjesë e jetës e sidomos amerikane dhe që është tepër komplekse për shkak të dallimeve racore dhe kapitalizmit të ashpër amerikan.

2.Të mos fluturojmë në tokat e huaja, vetëm të përqendrohemi në disa pika në Maqedoninë e Veriut ku pabarazia jo vetëm që është e shprehur në mes qytetarëve të së njëjtës përkatësi por, ajo paraqet “patern” helmues për rritjen e tendencave për mospajtime dhe konflikte me bazë ekonomike në të ardhmen. Qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë të bëjë plane se si të zvogëlojë pabarazinë në rajonet e shtetit, duke i zbutur dallimet që ekzistojnë në mes rajoneve ku jetojnë shqiptarët dhe maqedonasit. Një gjë të tillë konkrete ende nuk e kemi parë nga asnjë qeveri që nga pavarësia e deri tek kjo e fundit. Pa një politikë të tillë të barazisë, do të jetë e vështirë që të arrihet kohezioni i brendshëm si masë për të parandaluar aktivitetet malinj që shkojnë në drejtim të ‘zgjerimit’ të zjarrit në mes etnive, pabarazisë në statusin ekonomik, të punësimit dhe financave. Egoja individuale dhe grupore siç e dimë është në ADN-në dhe ARN-në e njeriut që të mbledhë të mira dhe krijojë pasuri për veten dhe familjen por, është shteti dhe  qeveria që duhet të vendosin për harmoninë dhe barazinë në një shtet pa i anëshkaluar aktorët tjerë. Përndryshe nuk do të kishim nevojë për shtet dhe qeveri apo thënë shkurt nuk do të kishim nevojë të ishim të organizuar pasur të drejta dhe obligime që burojnë nga të drejtat e njeriut dhe Kontrata Shoqërore.

Qeveritë duhet të bëjnë përpjekje që t’i mënjanojnë mospajtimet para hyrjes në BE duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut. Gjendja gjithsesi duhet përmirësuar, pasi BE me vite ka ndihmuar rajonin dhe MV për të luftuar dallimet. Se sa punë kanë bërë qeveritë, mbetet të shihet kur do të fillojë hapja e kapitujve me BE-në.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button