Saiti paralajmëroi “detaje interesante” pas mbarimit të procedurës për kryetar të Supreme, Instituti sqaroi në detaje për ritestimin psikologjik

Lajmet nëpër media se njëri prej kandidatëve për kryetar të Gjykatës Supreme “nuk e ka kaluar” testin psikologjik, janë të pavërteta. Sipas profesoreshës së Institutit ku është bërë testimi, një person nuk mundet ta kalojë ose mos e kalojë testin psikologjik, por të njëjtin vetëm e plotëson, ndërkaq Instituti jep mendim nëse personi në fjalë është përkatës për vendin e caktuar të punës ose jo. Përsëritja e testimit është bërë për shkak problemeve teknike. Kryetari i Këshillit Gjyqësor konfirmoi se Instituti ka dhënë mëndim që Saiti është “përkatës”, shkruan Portalb.mk.

Në Gjykatën Supreme vijon procesi zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme. Sipas kushteve, kandidatët duhet që të plotësojnë testim psikologjik për t’i shqyrtuar kandidaturat e tyre, ndërkaq ashtu siç, raportoi Portalb.mk, dy prej kandidatëve nuk e kanë plotësuar këtë test. Në mesin e tyre është gjykatësi Xhemali Saiti, për të cilin ditëve të fundit nëpër media vërshuan informatat se nuk ka arritur “ta kalojë” testimin psikologjik, ndërkaq Këshilli Gjyqësor i ka lejuar që për herë të dytë të hyjë në testim.

Rrjedhimisht me këtë, nëpër rrjete sociale shpërndaheshin dhe qëndrime, të tipit “personi që pretendon ta udhëheqë gjykatën më të lartë të vendin, nuk ka arritur ta kalojë testin psikologjik”. Pretendimet e këtilla nuk janë të vërteta, konfirmojnë nga Këshilli Gjyqësor, por edhe nga vetë Instituti ku është kryer testimi. Mungesa e njohurive terminologjike të fushës përkatëse, ka bërë që mediat, por edhe qytetarët të lëshohen në interpretime të termeve dhe praktikave, të cilat jo gjithmonë kanë të njëjtin kuptim.

Çfarë ka ndodhur?

Xhemali Saiti
Xhemali Saiti

Portalb.mk fillimisht e kontaktoi kandidatin Saiti për të komentuar situatën në fjalë, por ai nuk dëshiroi të flet para se të mbarojë procesi zgjedhor, por paralajmëroi se pas mbarimit do të japë “detaje interesante” në lidhje me procesin.

“Do të deklarohem pas mbarimit të procedurës edhe atë në detaje interesante të aktorëve të ndryshëm”, tha Saiti.

Në lidhje me atë se çfarë nënkuptojnë këto “detaje interesante të aktorëve të ndryshëm”, Saiti përsëriti që do të deklarohet në pasi të mbarojë procedura pasi që siç tha ai “nuk dëshiron të ndërhyjë në procesin zgjedhor”.

Kiro Zdravev
Kiro Zdravev

Pas tij, biseduam me kryetarin e Këshillit Gjyqësor, Kiro Zdravev, i cili tha se nuk bëhet fjalë për “moskalim të testit”.

“Absolutisht nuk bëhet fjalë për moskalim të testit psikologjik. Nuk bëhet fjalë për mosdije apo diçka të tillë. Madje ky test nuk ka të bëjë as me profesionin, aty ka pyetje psikologjike. Testimi bëhet nga ana e Institutit për Hulumtime Juridiko Politike dhe Sociologjike, ata na kanë njoftuar neve si Këshill Gjyqësor se për shkak të problemeve teknike, testi i parë i Saitit nuk është i vlefshëm dhe i njëjti duhet të përsëritet. Saiti ka shkuar, për së dyti herë, “e ka kaluar” dhe tani gjithçka është në rregull”, tha Zdravev për Portalb.mk.

Nuk mund “të biesh” apo “ta kalosh” testin psikologjik

Profesoresha e Institutit Për Hulumtime Juridiko Politike dhe Sociologjike, Eleonora Serafimova, ekskluzivisht për Portalb.mk, i demanton shkrimet nëpër media të cilat për Saitin kanë përdorur terma jopërkatës në lidhje me testimin psikologjik të tij, i cili është i nevojshëm për kandidim në Këshillin Gjyqësor, për konkursin për kryetar të Gjykatës Supreme.

Eleonora Serafimova
Prof.dr. Eleonora Serafimova

“Nuk mund të “biesh” apo ta “kalosh” testin psikologjik, pasi që një termin i tillë nuk ekziston. Në pyetjet psikologjike nuk mundeni që të dini ose mos dini, në këtë rast është test i personalitetit dhe ka pyetje për jetën personale dhe këtu nuk ka di ose nuk di. Pra nuk duhet të mësoni diçka, e pastaj të hyni në provim. Testi psikologjik, nuk është sikur ai që jepet në klinikë për njerëzit që kanë probleme psikologjike, por as sikur ai për dituri apo për inteligjencë, si për shembull për shkathtësi intelektuale apo logjike, ky test është për karakterin e personit, si është natyra e tij, matet sinqeriteti, integriteti, morali, ndershmëria. Pra, këtu pyetet nëse jeni më i hapur apo më i mbyllur, nëse dëshironi të shëtisni, nëse jeni më përgjegjës në punë, a nervozoheni më rrallë apo më shpesh, pra me këtë test shihet se çfarë karakteri jeni ju”, shpjegon profesoresha Serafimova.

Nga testimi psikologjik jepet vetëm vlerësim “përkatës” ose “jopërkatës” për vendin e punës

Pasi kandidati e plotëson testin, Instituti jep mendim nëse ai është përkatës ose jopërkatës për vendin e punës që konkurron. Kjo nuk do të thotë që ai ka rënë prej provimit, por thjeshtë nuk është përkatës për atë vend të punës. Edhe në rastet kur Instituti jep mendim pozitiv, edhe kjo nuk llogaritet se ai e ka kaluar testin psikologjik.

“Kur jepet test psikologjik për pranim në punë, jepet në funksion që kandidati a është përkatës dhe a ka karakteristika për vendin e punës, megjithatë ai nuk mundet të bie nga testi. Pra, kandidati e plotëson testin dhe ne japim mendim nëse kandadati është përkatës për vendin e caktuar të punës ose jo”, shpjegon profesoresha Serafimova

Përsëritja e testit mund të bëhet kur ai është i pavlefshëm

Për të qenë testi i vlefshëm, duhet që i njëjti të gjenerojë profil të personit nga testimi që ka kryer, e kjo nuk nuk mund të ndodh ndonjëherë për arsye të ndryshme, për çka testi shpallet i pavlefshëm dhe i njëjti përsëritet – kjo nuk do të thotë se kandidati është jopërkatës ose ka rënë prej testimit.

“Testi psikologjik bëhet në mënyrë kompjuterike dhe në rastet kur aplikacioni nuk gjeneron profil të kandidatit, testi mund të jetë i pavlefshëm.  Testi është amerikan, shumë vite është zhvilluar dhe brenda testit ka formulë, pra shkencëtarët dhe psikologët kanë vendosur formulë se si të zbulojnë kur diçka është e habitshme në testim. Në raste të tilla pra nëse ka 5 alternativa, dikush është përgjigjur vetëm në të parat, të mesit apo të fundit, është përgjigjur shpejtë, apo ngadalë. Në këtë rast psikologët kanë thënë që të plotësohet edhe njëherë dhe të fitohet profili”, shpjegon Serafimova, duke shtuar se në këto raste kandidatëve ju japin shpjegim shtesë që të mos ketë probleme të këtij llojit.

Sipas saj, në rast se për këto shkaqe nuk nxirret profili, nuk do të thotë që ai nuk është përkatës për vendin e punës, por thjeshtë nuk mund të japim profil dhe nëse kandidati nuk hyn përsëri në test, atëherë ne ju themi që nëse dëshirojnë mund të shkojnë në vend tjetër për testim.

Profesoresha thotë që problemet teknike janë të këtij lloji dhe jo sikur është spekuluar nëpër media për mungesë të internetit.

Së shpejti pritet Këshilli Gjyqësor ta zgjedh kryetarin e Supremes

Paralajmërimet e Këshillit Gjyqësor janë se kryetari i Supremes pritet të zgjedhet nga mesi i këtij muaji. Në garë për kryetar të Supremes janë, gjykatësit suprem Besa Ademi, Lidija Nedellkova dhe Xhemali Saiti.

Gjykata Supreme - Shkup
Gjykata Supreme – Shkup

Prej të tre kandidatëve, më pak e njohur në opinion është Besa Ademi. Nga Apeli në Supreme erdhi para 16 viteve. Edhe paraprakisht ka konkurruar për këtë pozitë, por e humbi mundësinë në vitin 2017-të nga kundërkandidati i atëhershëm Jovo Vangellovski. Por, rrugët e tyre u kryqëzuan pas tre viteve, në mars të vitit 2020, kur Besa Ademi udhëhiqte me Këshillin në Supreme, i cili e konfirmoi shkarkimin e Vangellovskit.

Nga ana tjetër, Saiti është tanimë 4 vjet në Gjykatën Supreme. Paralelisht është edhe kryetar i Shoqatës së Gjykatës dhe më i njohuri mes tre gjykatësve.

Lidija Nedellkova paraprakisht e ka udhëhequr Gjykatën Supreme, a ishte edhe kryetare e Gjykatës Penale. Në garën për shef të Supremes në vitin 2017-të ishte edhe Nedellkova. Ajo ishte një prej tre gjykatësve në Këshill i cili para 12 viteve i caktoi paraburgim Zoran Zaevit për rastin “Global”. Në bisedat e përgjuara në kohën e Gruevskit, Nedellkova u përgojua, pas së cilës gjyqësori e mori epitetin “Svarovski”.

Kushtet për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Supreme

Sipas Ligjit për Gjykata, kryetar gjykate zgjedhet nga radha e gjykatësve të Maqedonisë së Veriut, ashtu siç zgjedhet gjykatësi në gjykatë përkatëse, në këtë rast në Gjykatën Supreme.

Kryetari i Gjykatës Supreme zgjedhet gjatë kohës prej katër vjetëve, me mundësi që përsëri të zgjedhet në të njëjtin funksion edhe për katër vite tjera.

Për kryetar të gjykatës zgjedhet ndonjë gjykatës i cili në dy vitet e fundit nga ana e Këshillit Gjyqësor është vlerësuar me notë më të lartë pozitive, ndërkaq në krahasim me kandidatët e tjerë të ketë numër më të madh të pikëve, në pajtueshmëri me ligjin.

Kryetari i Gjykatës ka status dhe funksion të gjykatësit të parë në gjykatën përkatëse. Kandidati për kryetar të Gjykatës, në paraqitjen dhe dokumentet tjera dorëzon program për punë gjatë mandatit të tij.

Shpalljen për zgjedhje të kryetarit të gjykatës, Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut publikon dy muaj para skadimit të mandatit të kryetarit në largim. Nga kandidatët e lajmëruar që i plotësojnë nevojat dhe kushtet, Këshilli Gjyqësor deri më së voni në dy muaj pas publikimit të shpalljes zgjedh kryetar të gjykatës.

Kryetari i gjykatës i cili përsëri nuk do të zgjedhet në të njëjtin funksion, do të vazhdojë të punojë si gjykatës në gjykatën ku paraprakisht e ka kryer funksionin gjyqësor.

Kushtet:

  • Të jetë shtetas i Maqedonisë së Veriut
  • Aktivisht ta zotërojë gjuhën maqedonase
  • Të jetë i aftë për punë dhe gjendje të mirë shëndetësore, për çka kryhen edhe kontrolle mjekësore
  • Jurist i diplomuar me mbarim të arsimit të lartë prej katër vjetëve në studimet juridike me mesatare së paku 8 ose të jetë jurist i diplomuar me 300 kredi sipas EKTS, me mesatare së paku 8.
  • Ta ketë të kaluar provimin e jurispodencës në Maqedoninë e Veriut
  • Aktivisht ta njohë njërin prej tre gjuhëve të Bashkimit Evropian (anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht)
  • Punë praktike me kompjuter
  • Të ketë reputacion, integritet për kryerjen e funksionit gjyqësor dhe të posedojë veçori sociale për kryerjen e funksionit gjyqësor, për çka zbatohen teste për integritet dhe test psikologjik.
  • Shtesë: Për Gjykatë në gjykatën Supreme mund të zgjedhet personi i cili ka përvoje pune së paku gjashtë vjet pa ndalur stazh gjyqësor në Gjykatën e Apelit deri në momentin e paraqitjes për zgjedhje dhe në vitin e fundit është vlerësuar me notë më të lartë pozitive, në krahasim me kandidatët tjerë.

Shkarkimi i Vangellovskit dhe ardhja e Arsllanit

Prej më 10 shtator të vitit 2019-të, postin e u.d. kryetarit të gjykatës më të lartë në vend, vazhdon ta mbajë Faik Arsllani.  Ligjërisht, këtë post, Asllani ka drejtë ta mbajë deri 1 vjet.

Faik Arsllani
Faik Arsllani

Këshilli Gjyqësor në mbledhje të mbajtur më 10 shtator 2019 unanimisht e shkarkoi kryetarin e Gjykatës Supreme Jovo Vangellovski për punë joprofesionale dhe të papërgjegjshme në shërbim. Në mbledhjen e njëjtë është shkarkuar edhe gjykatësja supreme Rahillka Stojkovska – që të dy për shkak të vendimit që e miratuan, e me të cilin e anuluan paraburgimin për Sead Koçan, i akuzuar në rastin Trust dhe i mundësuan atij të mos shkojë në paraburgim.

Vangellovski u ankua, por Gjykata Supreme e ka refuzuar ankesën pasi që ka vlerësuar se është e pabazë dhe me këtë e ka konfirmuar vendimin e Këshillit Gjyqësor. Me këtë vendim, Vangellovski edhe zyrtarisht është shkarkuar nga detyra.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button