Banorët e fshatit Sedllarcë e Epërme në protestë: Në pandemi, më shumë kemi paguar pikat pagesore se sa spitalet

Banorët e fshatit Sedllarcë e Epërme sot kanë protestuar në pikë pagesën Tetovë – Gostivar, edhe pse ndodhen vetëm 3,7 kilometra larg qytetit të Tetovës, këta të fundit çdo ditë paguajnë çmimin e paraparë për 20 kilometra rrugë. Një prej banorëve, për Portalb.mk tha se në raste të veçanta, detyrohen të udhëtojnë disa herë në ditë, dhe kjo ju kushton shumë, shkruan Portalb.mk.

Personat të cilët kanë pasur të sëmurë në spital gjatë pandemisë, detyrimisht kanë udhëtuar deri në 6 herë në ditë në këtë autostradë, që kur përkthehet në para, bëhet fjalë për 360 denarë në ditë vetëm për pikat pagesore, për rreth 3 kilometër rrugë.

Në një deklaratë për Portalb.mk, një prej banorëve të Sedllarcës së Epërme që ka pasur të sëmurë në spital, tha se kjo pikë pagesore i ka kushtuar më shumë se sa harxhimet spitalore dhe i ka dëmtuar rëndë ekonomikisht.

“Gjatë pandemisë kemi harxhuar më shumë para për rrugën se sa për spitalin, kemi udhëtuar nga 5-6 herë në ditë edhe për shkak të kushteve të veçanta në pandemi, jemi detyruar të vijmë me vetura veçmas dhe çdoherë kemi paguar, nuk na u mundësuar as edhe njëherë të kalojmë pa paguar. Kemi biseduar me udhëheqësit e kësaj pike pagesore, na kanë premtuar që do të rregullohet kjë çështje, nuk u bë. Fshati jonë ka pasoja prej kësaj rruge, prej zhurmës madhe nuk mundemi as të bisedojmë në shtëpi. Të paktën këto kushtet minimale të na plotësojnë” tha ai, videon ndiqeni duke klikuar këtu.

Cilat janë kërkesat e këtyre banorëve?

  • Të paguajmë aq sa shfrytëzojmë, apo
  • Të na mundësojnë rrugë anësore, si të gjitha autostradat që janë në RMV, apo
  • Të na mundësojnë pagesë vjetore në bazë të shfrytëzimit të kilometrave që i shfrytëzojmë, apo
  • Të na mundësojnë pikëpagesë kalimi të veçantë.

Nga Këshilli Organizativ i kësaj proteste këtë pikë pagesë e quajtën si pikëpagesje e zhvatjes, maltretimit dhe vjedhjes. Ata potencuan faktin se çmimin që paguajnë është për 20 kilometra, ndërsa shfrytëzojnë vetëm 3.7.

“Kjo rrugë është ndërtuar në tokat tona dhe tani ky vend ku gjendemi është pikëpagesa madhore që kufizon të drejtën tonë të lëvizjes së lirë dhe për ne banorët e fshatit Sellarcë e Epërme njihet si kufiri i zhvatjes, maltretimit dhe taksës që përmban vjedhje dhe jo korrektësi në të drejtën e lëvizjes. Ne këtu shfrytëzojmë 3,70 kilometra ndërsa paguajmë për 20 kilometra, ku edhe lind dëmi që na dëmton për çdo ditë dhe çdo kalim. Ndodh që brenda ditës një banorë të kaloje dy deri në pesë apo gjashtë herë ndërsa pagesa bëhet njejtë sikur me e shfrytëzuar nga Gostivari deri në Tetovë dhe anasjelltas” deklaruan nga Këshilli Organizativ i fshatit Sedllarce e Epërme.

Protesta nga banorët e fshatit Sedllarcë e Epërme.

Kjo nuk është hera e parë që këto banorë protestojnë, ndërsa numri i veturave që qarkullojnë nga ky fshat, thuhet të jetë mbi 600. Banorët e këtij fshati janë ankuar edhe para institucioneve kompetente mirëpo nuk kanë hasur në përgjigje.

Ndryshe, informojmë se redaksia e Portalb.mk ka dërguar pyetje në lidhje me këtë protestë dhe kërkesat e banorëve deri te Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, megjithatë, përgjigje ende nuk kemi marrë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button