DEMKA

Për Shokun Zylo kam shkruar para disa muajsh. Kësaj here po shkruaj për shkrimtarin Demkë, prototipin tek i cili mishërohen tiparet e mizërisë së mediokritetit. Këtë e shpërfaq frika e Demkës prej darëve drobitëse të pushtetit të hurit e litarit, që e ka shndërruar atë në kandër kafkiane, në qenie me mungesë dinjiteti, që e pranon përuljen si kësmet të pashmangshëm.  Është kjo stina në të cilën zë rrënjë shpirti i robit, që s’i tutet asgjëje me shumë se lirisë.

Demka është i papersonalitet, kuadër i prerë për rapsod oborri. Ai është fatalist që nuk sheh rrugëdalje për ta ndryshuar situatën në favor të vetin. Është vegël në duart e Zylos, asgjë më shumë: “Më duket vetja si një nga ato bimët që jeton bashkë me një bimë tjetër. Kini parë disa bimë që përdridhen në trungun e një bime të dytë dhe lëshojnë ca si penj të vegjël në shëmbëllimin e rrënjëve. Po t’i ndash, njëra nga ato thahet…”

Nganjëherë Demka “harron” të shkruajë edhe pse është 40 vjeçar dhe aq i pjekur sa për të pasqyruar pagabueshëm të vërtetat. Ai shkon në fshat të nxisë aktivitete kulturore, por atje harrohet përse ka shkuar dhe merret me vrasjen e një gomari, me banjon publike, me dervishin e fshatit…

Ai është një nëpunës ministrie, një shkronjës që, nën hijen e pushtetit dhe pushtetarëve, punon për të tjerët – shkruan raporte që i lexon tjetërkush. Më e keqja është se kjo është zeja e tij e përditshme dhe e rëndë, sepse duhet të shkruajë, jo për një, po për kabilen e madhe të pushtetarëve injorantë, të pushtetit që nëpërkëmb krijuesit dhe i shndërron ata në nëpunës administrate dhe qatipë të thjeshtë, në Sanço Pançë.

Demka është i shqetësuar, sepse dëshiron të shkruajë artikuj, tregime, vepra arti, sepse ka mundësi ta bëjë këtë. Ai nuk guxon t’u thotë padronëve se më nuk do t’u bëjë shkrime, edhe pse është i ndërgjegjshëm për katandisjen në kurgjë. Prandaj vazhdon t’i paguajë tagër të rëndë qyqarllëkut, duke u kthyer në vegël, në automat…

Demka i gjorë pranon përunjshëm t’ia vë samarin i rrjepti e i shqepti. Ai rrezikon që të sëmuret nga stërngarkimi, sepse s’ka kurajë të rrefuzojë porositë si kolegu Adem Adashi, që  shkruan për vete, jo për burokratët budallenj. Ai po e shkon jetën nëpër zyrat e ministrive ding me Zylo e Shemshedina të gjendur aksidentalisht në krye të institucioneve të kulturës, në sektorin e artit dhe letërsisë, që, aq sa kanë nevojë për ajër, kanë edhe për një Demkë. Madje, ata zihen ndërmjet tyre kush do ta lexojë raportin e shkruar nga Demka. Më e keqja është se ata paturpësisht pohojnë se japin mund për shkrimet të cilat ua përgatit Demka, sepse autorit i ofruakan të dhëna të përgjithshme rreth përmbajtjes së raportit. Kështu Demkë ziu – shkrimtari i papersonalitet e shpirtrob, skeptik e interesaxhi, frikacak e lojal, bërës kultesh e ode-xhi… i gëlltit edhe fyerjet e inteligjencës.

Sa i mjerë, i gjithkohshëm e i kudondodhshëm është ky Demka ynë!

Shkruan: Fatmir Sulejmani

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button