fbpx

Vlora Demiri: Qëllimi i The Park 2020 ishte që të jetë një ikje nga realiteti (VIDEO)

Pandemia bëri që të pezullohen shumica e ngjarjeve. Disa nga organizatorët arritën me shumë protokole, vështirësi, të organizojnë festivale. Njëri prej tyre ishte The Park Festival, i cili u mbajt verën e vitit 2020. Vlora Demiri, me profesion historiane e artit, por në këtë rast PR e festivalit, për Portalb.mk e tregon tërë eksperiencën se si është të organizosh një festival në kohë pandemie.

“Të jesh ura lidhëse mes festivalit dhe publikut është një privilegj” u shpreh Vlora. Po si i kujton ajo momentet e themelimit të The Park Festivalit?

“The Park lindi në vitin 2019 në Gostivar. Ky vit hyri në historinë e këtij qyteti si një vit që fitoi një eveniment që i dha shumë këtij vendi të vogël. Një festival që vepron në zhanre të ndryshme siç janë hip-hop, rock, jazz, muzikë elektornike dhe që është i dedikuar për grup-mosha të ndryshme, i cili i dha mundësi çdonjërit prej nesh të ketë mundësi ta gjejë veten. Në gjashtë netë, me katër skena të vendosura në lokacione të ndryshme në parkun e qytetit, publiku jonë kishte mundësi që ta thejë rutinën duke qenë pjesë e netëve muzikore që lanë për t’u dëshiruar. E bukur ishte ndjesia kur gjen mbështetjen e publikut që në edicionin e parë, por edhe më e bukur ishte kënaqësia e reflektimit pozitiv nga ana e tyre. Ky ishte motivimi kryesor për ne si ekip, për të vazhduar edhe më tej. Ndjehemi krenarë që një qytet i vogël si Gostivari, falë The Park u shënua edhe në trafikun turistik.” u shpreh Vlora Demiri.

Të organizosh një koncert në kohë pandemie është një sfidë në vete. Por, Vlora, bashkë me ekipin, arriti që të organizojë koncert me të gjitha protokollet.

“The Park 2020 ishte dhe besoj që do të ngelet një ndër edicionet më të vështira dhe njëkohësisht më të veçanta në historinë e këtij festivali, sepse u ogranizua dhe u realizua në një realitet që jo se e kishim paramenduar që mund të na ndodhte. Kufizimet që krijuan rrethana shumë të çuditshme na bënë që të përballemi me probleme të vazhdueshme. Gjendja aktuale ia ndryshoi rrjedhën festivalit tërësisht. Në pamundësi për ta realizuar sipas planit të paraparë, u detyruam që të bënim ndryshime të vazhdueshme derisa arritëm të krijojmë një plan që do t’i plotësonte kërkesat e protokolleve nga ana e institucioneve përkatëse. Për një festival me përmasa të tilla punon një ekip i tërë, ku pamundësia për t’u takuar fizikisht e bënte edhe më të vështirë rrjedhën e punës. Por, po e them pa modesti, që ia dolëm mbanë sepse që në fillim u mbështetëm fort në dëshirën, punën dhe ambicjet tona. Donim që me çdo kusht të ishim një pikëndalesë rifreskie dhe pushimi në këtë udhëtim të trishtë. Edhe pse kufizimet fizike na ndanë nga njëri-tjetri dhe nga jeta normale, The Park gjeti mënyrën më të mirë dhe më të veçantë për të na ‘mbledhur’ dhe për të na e dhënë atë lirinë e plotë shpirtërore, nëpërmjet gërshetimit të natyrës dhe artit muzikor.” tha Vlora.

Pandemia ndikoi edhe mbi gjendjen tonë psikologjike, sidomos gjatë verës, ku të gjithë jemi mësuar që të jemi më aktiv. Në momentin kur u lajmërua se do të mbahej një festival në Gostivar, të gjithë u gëzuan dhe po e prisnin me padurim.

“Qëllimi i The Park 2020 ishte që të jetë një ikje nga realiteti. Një ikje që do të lë gjurmë jo vetëm përgjatë kohës së festivalit, por edhe pas përfundimit të tij. Ndonëse me reduktim të numrit të mysafirëve, asnjë ulëse në asnjë natë nuk mbeti e zbrazur. Reflektimi pozitiv në fytyrat e atyre që ishin prezent, qofshin ato performues apo publik, na e qartësoi që The Park Festival e kishte arritur qëllimin. Dhe, më besoni që edhe sot që kanë kaluar muaj pas festivalit, ende vazhdon  të flitet për atmosferën dhe se si ky festival erdhi në kohën e duhur për të gjithë ne.” tha Demiri.

Pas gjithë asaj atmosfere që u krijua verën e kaluar, të gjithë janë në pritje se a do të mbahet edhe këtë verë festivali, si dhe cili do jetë repertori për këtë vit.

“Përgatitjet për edicionin e tretë veç se kanë filluar. Edicioni i tretë është paraparë që të mbahet sërish katër netë, në fund të korrikut dhe në fillim të gushtit. Tani jemi në përfundimin e fazës së parë, ku bën pjesë përzgjedhja, kontakti dhe marrëveshjet me artistët performues. Të gjitha lejet nga institucionet përkatëse janë marrë dhe presim të veprojmë në hap me kohën. Dua ta cek që po veprojmë me dy plane, njëri në qoftë se gjithçka do të kthehet në normalitet (që shpresojmë me gjithë zemër) dhe tjetri në qoftë se situata vazhdon njëjtë. Sa i përket line up-it, nuk do të kisha dashur të shpalos diçka konkrete, sepse ky realitet i trazuar vazhdon të na luhasë në ujërat e pasigurisë, por mund të them që do të kemi mbi gjashtë artistë të njohur ndërkombëtarë (një emër shumë të njohur në muzikën elektronike dhe një emër të njohur të muzikës klasike). Gjithashtu dhe shumë emra të njohur lokal dhe vendas. Gjithashtu kemi dhe një plan që sivjet në qoftë se kjo situatë vazhdon, të mundësojmë teste të shpejta që realizohen aty për aty dhe që japin rezultat brenda 10-15 minutave. Por, përsëri kjo do të varet nga reflektimi që do të marrim nga institucionet përkatëse, gjegjësisht nga Ministria e Shëndetësisë. Urojmë që ky edicion të jetë festë për të gjithë ne. Në të ardhmen e afërt do të dalim me një pasqyrë më të detajuar për këtë edicion.” u shpreh Vlora Demiri.

Mesazhi që Vlora përcolli për publikun është:

“The Park Festival, pavarësisht rrethanave dhe gjendjes, gjithmonë do të vazhdojë t’i përmbush qëllimet e tij për të qenë pranë publikut dhe artistëve. Ky festival do të vazhdojë të veprojë brenda vlerave të mirëfillta që transmetohen nëpërmjet artit të muzikës. Të vazhdojmë të kujdesemi për veten dhe për të tjerët, që sa më shpejtë ta mundim këtë situatë dhe t’i kthehemi me festë jetës normale.” përmbylli Vlora.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button