fbpx

Pakti i ri i migrimit dhe azilit – A është e mundur “Solidariteti fleksibël”?

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Malinka Ristevska Jordanova

Në shtator 2020, Komisioni Evropian paraqiti një seri dokumentesh, me të cilat propozohet rishikim i politikës së BE-së në fushën e migrimit dhe azilit. Përveç komunikatës “Pakti i ri për azilin dhe migracionin”, Komisioni propozoi ndryshime në të gjitha direktivat kryesore në këtë fushë, një plan zbatimi, si dhe disa rekomandime e udhëzime.

Rishikimi e pranon  mos suksesin e kësaj politike nga viti 2015 e këndej. Parimi i solidaritetit në BE dështoi – vendet anëtare nuk ishin të gatshme të pranonin barrën e refugjatëve, gjegjësisht të bëjnë zhvendosjen e refugjatëve në secilin vend në bazë të kuotave.

Shtetet anëtare ishin (dhe mbeten) dukshëm të ndara në relacion me refugjatët – midis Lindjes dhe Perëndimit. Sipas hulumtimeve nga Fondacioni Fridrih Ebert, më negativët ndaj migrantëve janë qytetarët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, të udhëhequr nga Hungaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Bullgaria. Qytetarët e vendeve të Ballkanit janë më pak armiqësorë ndaj migrantëve – në grup me shtetet baltike dhe Poloninë. Ekzistojnë dallime edhe në Perëndim, i cili n përgjithësi ka perceptim më pak negativ për migrantët, por ka dallime midis shteteve, si dhe midis rajoneve brenda shteteve. Pikëpamjet e shteteve nuk janë larg perceptimeve të qytetarëve.

Gjykata Evropiane e Drejtësisë madje ka vendosur që Hungaria e ka shkelur ligjin e BE-së për azil duke ndaluar migrantët të kërkojnë azil dhe se kampet e saj të refugjatëve në zonën e transitit janë në fakt paraburgim, e jo “kufizim i lëvizjes”. Sidoqoftë, sipas Komitetit Hungarez të Helsinkit, praktika e kthimit me forcë të migrantëve në Serbi vazhdon. Frontex (Agjencia e BE-së për kufijtë dhe roje bregdetare) gjithashtu ka vendosur të pezullojë operacionet në këtë shtet për shkak të mosrespektimit të ligjit të migracionit të BE-së. Për më tepër, vetë Frontex përballet me kritika dhe hetime.

Në një përpjekje për qasje më realiste, Komisioni Evropian me Paktin e Ri të propozuar mban solidaritetin në qendër si një “mekanizëm të detyrueshëm solidariteti”, por dukshëm të modifikuar – në formën e “solidaritetit fleksibil”. Me pak fjalë, shtetet mund të zgjedhin midis zhvendosjes së migrantëve dhe sponsorizimit të kthimit të tyre, si dhe duke kontribut për ngritje të kapaciteteve dhe mbështetjes operacionale. Megjithatë, dy opsionet e fundit nuk do të ishin në dispozicion në një situatë krize migrimi. Shtetet Anëtare, që nga shtatori, kanë mbajtur disa takime të Këshillit, por të gjitha ishin shkëmbime joformale. Prandaj, mund të konkludohet se është ende herët të flitet për përafrim dhe tejkalim të dallimeve midis shteteve anëtare.

Kritikat nga rrethet shkencore dhe sektori i shoqërisë civile janë midis mungesës së politikës së përbashkët, qëllimeve dhe zbatimit (si ato në Rrjetin shkencor Odiseu) deri në paralajmërime se disa zgjidhje i kërcënojnë të drejtat e refugjatëve dhe të migrantëve, të garantuara nga Karta e të drejtave themelore të BE-së (siç është mendimi i Këshillit Evropian për refugjatët dhe të dëbuarit). Shumë i vënë në pah problemet e mundshme në zbatimin e fleksibilitetit të propozuar.

Ajo që na intereson veçanërisht, sigurisht është ajo që përmban Pakti i ri në kontekstin e marrëdhënieve të jashtme të Bashkimit, si dhe në mënyrë më specifike për Ballkanin Perëndimor. Në marrëdhëniet e jashtme, çështja e migrimit paraqitet si “thelbësore” dhe lidhet me politikat e bashkëpunimit të zhvillimit, politikën e vizave, tregtinë, energjetikën, mjedisin jetësor…, ndërsa i jep përparësi readmisionit (ripranimit). Kjo nënkupton forcimin e kësaj çështjeje në politikën e kushtëzimit. Për Ballkanin Perëndimor, theksohet nevoja për një “qasje me masë”, duke pasur parasysh perspektivën e anëtarësimit dhe nevojën për një koordinim më të madh për të forcuar kapacitetin si vende anëtare. Theks i veçantë i kushtohet bashkëpunimit me Fronteks, përmes marrëveshjeve të statusit, të cilat duhet të sigurojnë mbështetje dhe bashkëpunim për menaxhimin e kufirit dhe “të lehtësojnë kthimin vullnetar”. Megjithatë, le të kujtojmë – marrëveshja e statusit midis Fronteks dhe Maqedonisë së Veriut është “nën akull”, për shkak të refuzimit të Bullgarisë për të përfshirë “gjuhën maqedonase” në marrëveshje. Ky problem që tani po e rrezikon zbatimin e politikës së migrimit të BE-së në lagjen e saj.

Dhe një gjë tjetër që është shumë e rëndësishme për Ballkanin Perëndimor – Komisioni propozon një iniciativë të re në fushën e migrimit ligjor – “Partneritetet për talentët”, e cila duhet të “ndihmojë për të përmbushur nevojat për krahut të punë dhe aftësive në” BE, gjithashtu si pjesë e instrumentit të BE për angazhimin strategjik të vendeve partnere mbi migracionin. Megjithatë, tashmë janë shprehur shqetësime se kjo mund të përkeqësojë më tej problemin e “ikjes së trurit” nga rajoni.

Në çdo rast, diskutimi mbi Paktin e ri të propozuar për migrim dhe azil i BE-së është sigurisht shumë i rëndësishëm si për rajonin tonë ashtu edhe për vendin tonë. Prandaj, një kontribut i argumentuar në atë debat është më se i nevojshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button