Qeveria e RMV-së ndërroi mendje: laboratori shtetëror për matje të ndotjes së ajrit do të ngelet pa akreditim (VIDEO)

Laboratori qendror për mjedis jetësor i Ministrisë për Mjedis Jetësor edhe këtë vit nuk do të akreditohet për matje të ndotjes së ajrit. Për momentin, në rrjedhë është procesi për akreditim të laboratorit shtetëror, mirëpo vetëm për kontrollimin e gjashtë metodave për ujë dhe një për zhurmë. Megjithëse ndotja e ajrit është problem ekologjik numër një në disa qytete të vendit, veçanërisht në periudhën e dimrit,  ndërsa një pjesë e madhe e kapaciteteve industriale pavarësisht se posedojnë licenca të integruara, shumë shpesh i lejojnë vetes t’i tejkalojnë emetimet në ajër, megjithatë, kontrollimet e këtyre përqendrimeve edhe më tutje do të bëhen në laboratorë privatë, e jo në atë të ministrisë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Aplikacionin për akreditim të metodave për kontrollim të ujit dhe të zhurmës, Ministria për Mjedis Jetësor e ka dërguar në Institutin për akreditim në Maqedoni. Nga ky institucion për “Meta” thonë që procesi do të vazhdojë pa ndërpre edhe në të ardhmen dhe se laboratori do të akreditohet edhe për metoda për kontrollim të ajrit.

“Laboratori qendror për mjedis jetësor e nisi procesin për implementim të Sistemit për cilësi që e parasheh standardi për laborator të akredituar ISO 17025 dhe ka parashtruar aplikacion në Institutin për akreditim në Republikën e Maqedonisë për kontrollim të gjashtë metodave për ujë dhe një për zhurmë. Akreditimi i metodave për cilësi të ajrit planifikohet në fazat e ardhshme, ndërsa në Buxhet për këtë vit janë planifikuar mjete për blerje të instrumentit për matje të emetimeve nga burimet stacionare. Krahas kësaj, në buxhet janë paraparë dy milionë denarë për përfundim të procesit për akreditim dhe 100.000 denarë shtesë për trajnime të rregullta të punonjësve që i parasheh standardi ISO 17025”, informojnë nga ministria.

Akreditimi përfundimtar i metodave të laboratorit, theksojnë ata, varet nga kohëzgjatja e procesit të tejkalimit të mungesës se harmonizimeve në dokumentacion, para se gjithash nga pranimi i propozim Planit të Institutit, që duhet të zgjatë më së shumti dy javë për t’u prononcuar lidhur me zgjidhjet e propozuara, si dhe nga koha e realizimit të zgjidhjeve pas miratimit të Planit, për çka, sipas Institutit për akreditim, laboratori ka afat prej më së shumti tre muajsh.

“Më 18 janar këtë vit është realizuar kontroll nga ana e vlerësuesve të Institutit dhe kryesisht dokumentacioni për akreditim është në rregull. Ka disa vërejtje për të cilat laboratori ka afat prej disa ditëve të përpunojë propozim plan për harmonizim me vërejtjet”, thonë nga ministria.

Akreditimi i laboratorit shtetëror për metoda për matje të ndotjes së ajrit është përfshirë edhe në një nga amendamentet për buxhetin e këtij viti, të cilin në Kuvend  e parashtruan aktivistë të O2 Iniciativës. Amendamenti për akreditim të Laboratorit qendror për matje të koncentracioneve të PM grimcave ishte një nga tre amendamentet që u miratuan dhe për atë janë paraparë dy milionë denarë në buxhet. Ekologët janë të befasuar me shumën e ridedikuar për akreditim për metoda për ujë dhe zhurmë, që për ata është edhe një sinjal që institucionet nuk janë serioze në qasjen drejt problemit me ndotjen e ajrit.

“Qëllimi i amendamentit ishte të stimulohet dhe të përshpejtohet procesi i akreditimit të laboratorit shtetëror për matje të cilësisë së ajrit, që do të ndihmojë shumë në punën e Inspektoratit shtetëror për mjedis jetësor. Larg asaj që jemi kundër asaj që laboratori të akreditohet edhe për metoda për ujë dhe zhurmë, përkundrazi, vetëm pyetemi përse mjetet nuk përdoren për dedikimin për të cilin janë kërkuar”, theksojnë nga O2 iniciativa.

Për shkak se laboratori nuk është i akredituar, edhe pse ekziston prej viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, ndërsa në përbërjen e Ministrisë figuron nga themelimi i vet në vitin 1995, matjet e veta mbi parametra të ndryshëm të ndotjes deri tani nuk mund të vlerësoheshin si dëshmi e fortë, veçanërisht në procedurat gjyqësore kundër ndotësve dhe deri tani ai nuk ka qenë në funksion të inspektimit për mjedis jetësor. Deri më sot, ndotësit janë kontrolluar vetëm nëpërmjet laboratorëve privat, kurse shteti është pa instrument të pavarur me të cilin do të parandalohen abuzime eventuale në procesin e monitorimit të ndotjes. Në këtë periudhë, inspektorët për mjedis jetësor i çonin mostrat për testim në laboratorët privat, që i kanë pasur të akredituara metodat për testim të ndotjes së ajrit. Për arsye se këta laboratorë shpesh janë angazhuar edhe nga vetë kompanitë, shoqatat ekologjike dhe publiku i ekspertëve sugjeronin në konflikt të mundshëm interesash dhe njëanshmëri në konstatimin e gjendjes faktike me matjet e ndotjes së ajrit.

Para një viti ministri për Mjedis Jetësor, Naser Nuredini për “Meta” konfirmoi që po fillon procesi për akreditim të laboratorit shtetëror, kurse opinioni ka pritur që kjo së pari të bëhet për metodat për testim të cilësisë të ajrit. Vitin e kaluar, në mars, Ministria për Mjedis Jetësor ka nënshkruar marrëveshje me Euromak-kontroll SHPK Shkup për përgatitje të dokumentacionit për fillim të procesit për akreditim të Laboratorit qendror. Firma ka pasur për obligim, në afat prej pesë muajve ta përgatitë dokumentacionin e duhur për të aplikuar në Institutin për akreditim në Maqedoni.

Para fillimit të procesit të akreditimit, laboratori i ministrisë, që gjendet në Hekuranën e Shkupit, për shkak të gjendjes së keqe në të cilën ishin hapësirat, ishte patjetër të rikonstruktohet dhe adaptohet, ndërsa në ndërkohë furnizoheshin me pajisje, aparaturë dhe instrumente.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button