Inspektorët e Mjedisit Jetësor: Instituti për Terapi Fizikale djeg mazut në ngrohtore thuajse të shkatërruar

Sipas inspektorëve të Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor, Instituti për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim i lokalizuar në lagjen e Shkupit Kapishtec, djeg mazut në kaldajë (ngrohtore) thuajse të shkatërruar dhe punon pa elaborat për mjedis jetësor, i cili është i obligueshëm që ta posedojë, njofton Portalb.mk.

Kontrolli jashtëzakonshëm, që e kanë kryer inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Qytetit të Shkupit dhe Zyra për Mbrojtje dhe Shpëtim, është bërë pas ankesave të shumta nga qytetarët të cilët janë ankuar se nga oxhaqet e Institutit del tym i zi.

Foto: Inspektorati Shtetëror për Mjedis Jetësor

“U konstatua se spitali punon pa Elaborat për mjedis jetësor, të cilin sipas ligjit duhet ta ketë, pas së cilës menjëherë është obliguar që ta hartojë në afat sa më të shkurtër kohor, a oxhaqet e ngrohtores së mazutit të pastrohen rregullisht, në pajtueshmëri me Rregulloren në kompetencë të Zyrës për Mbrojtje dhe Shpëtim. Pastrimi i oxhaqeve e përmirëson djegien dhe e zvogëlon ndotjen. Për veprimin me mbeturinat mjekësore nuk kishte vërejtje”, informon Inspektorati.

Instituti për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim gjithashtu ka marrë për obligim që ta përmirësojë mirëmbajtjen e ngrohtores, e cila është në gjendje dukshëm të keqe, por edhe të sigurojë mjete financiare në afat sa më të shpejtë që ta lëshojë përdorimin e mazutit dhe të kalojë në gazin natyror, të integrojë kolektorë diellor dhe ta përmirësojë efikasitetin energjetik. Në ndërkohë do të bëhen edhe matje të grimcave të ajrit nga ana e laboratorit të akredituar.

Kontrolli në spital, informojnë nga Inspektorati Shtetëror, u iniciua nëpërmjet pajisjes së re për paraqitje të ndotjes, nëpërmjet së cilës qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejtë arrijnë deri tek inspektorët. Paraqitjet nga qytetarët janë të dobishme dhe të mirëseardhura, thonë nga Inspektorati, pasi që me aksion të përbashkët do të sigurojmë mjedis më të pastër jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button