Drejtësi e vonuar…

Shprehja “Drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar” nuk është një shprehje e rastit, veçanërisht kur bëhet fjalë për vendosjen e përgjegjësisë penale. Kjo vjen posaçërisht në shprehje kur të analizohet rasti “Monstra” që e përndjek si fantazmë idenë për drejtësi në këtë shtet për tani më gati 9 vjet.

Ky rast që në fillim paraqiste një rast shumë delikat dhe me plot kundërthënie. Bëhet fjalë për një akt të tmerrshëm dhe morbid: vrasje e pesëfishtë e pesë personave katër prej të cilëve në lule të rinisë, një krim makabër dhe i mbuluar me shumë të panjohura, një krim i kryer në një periudhë të errët dhe të pasigurtë, në një shtet ku regjimi kontrollonte organet e drejtësisë dhe gjithë pushtetin gjyqësor. Ky rast do të mbetet përgjithmonë njëri ndër rastet më problematike, nga ato që asnjë prokuror nuk dëshiron ta ketë nën udhëheqje.

Në kohën kur ndodhën këto vrasje makabre ky shtet ndodhej në njërën nga periudhat më të errëta historike nëpër të cilat ka kaluar. Nga publikimi i bisedave të përgjuara ishte e qartë mënyra se si udhëheqësit kryesorë i kishin kapur dhe robëruar të gjitha institucionet e drejtësisë në atë kohë. Nga ai realitet doli edhe shprehja “shtet i rrobëruar” e cila u shënua në të gjitha raportet relevante për këtë vend. Në një shtet të tillë të robëruar vendosja e drejtësisë, veçanërisht në raste të rënda, mbillte vetëm dyshim.

Në kohën kur ndodhën këto vrasje procedura penale në fazën e parë udhëhiqej realisht nga organet policore të cilat e kryenin procedurën parahetimore. Për ata që punojnë në gjyqësi ishte e qartë që puna e prokurorit dhe gjyqëtarit hetues të asaj kohe varej shumë nga materiali dëshmues i cili u dorrëzohej atyre nga organet policore. Në kohën kur u mblodh materiali dëshmues për këtë rast në krye të policisë ishte ministreja që sot është e dënuar për disa vepra penale dhe e akuzuar për shumë të tjera, ndërsa në krye të shërbimeve sekrete që padyshim kishin gisht në shumë punë delikate që ndodhnin në shtet, ishte Mijalkov, kreu i gjithë procesit të përgjimit, i cili çuditërisht po amnestohet dita ditës nga veprat për të cilat u akuzua e të cilat lidhen pikërisht me atë periudhë kur ndodhi edhe kjo vrasje e pesëfishtë. Gjykatat e atëhershme sollën vendime të bazuara nga materiali dëshmues i mbledhur nga këto struktura. Ky rast u zhvillua si teori e prokurores së atëhershme Geshkovska e cila e kualifikoi rastin si vepër penale “Terrorizëm” dhe kryerësit si terroristë islamikë. Dyshimetlidhur me involvimin e shërbimeve sekrete në këtë rast kanë ekzistuar që në fillim, dyshime që në këto vrasje mund të jenë involvuar edhe të tjerë, dhe këto dyshime vazhdojnë të rëndojnë mbi rastin edhe sot e kësaj dite, veçanërisht duke pasur parasyshë se prokuroja Fetai që udhëhoqi me këtë rast gjatë gjykimit të përsëritur nuk e përjashton mundësinë që në këtë rast të involvohen edhe persona tjerë si të akuzar.

Duke pasur parasyshë të githa kundërthëniet lidhur me këtë rast, i njëjti u dërgua në rigjykim pas vendimit të Gjykatës supreme bazuar në kërkesën e Kryeprokurores e cila kërkoi rishqyrtim nga fillimi i këtij rasti duke u thirrur te materialet nga bisedat e përgjuara, dhe sigurisht, bazuar në dyshimet që lidheshin me sistemin e drejtësisë të cilat u përmendën më lartë në këtë tekst. Rasti shkoi në rigjykim por provat e mbledhura nuk i sollën të gjitha ndryshimet të cilat pritshmëritë e larta të vendosura lidhur me këtë rast i kishin vendosur. Pritshmëritë e larta për kthesa të mëdha në këtë rast nuk u realizuan.

Gjykimet zhvillohen në bazë të materialit të mbledhur dëshmues. Dëshmitë mblidhen kur krimi ka ndodhur. Materiali dëshmues i mbledhur dhe i sistemuar në kohën kur krimi ka ndodhur e përcakton rrjedhën e mëtejshme të rastit. Ai material ka mundur të mblidhet vetëm në prill të vitit 2012, kur ndodhën vrasjet. Atëherë janë bërë vendimet kryesore se çfarë do të hyjë e çfarë jo në materialin dëshmues. Është shumë e vështirë të ketë ndryshime të mëdha në një rast i cili është ndërtuar nëntë vite më parë. Është edhe më e vështirë të gjenden dëshmi të reja për të involvuar persona të rinj në rast, në qoftë se provat lidhur me to nuk janë përfshirë paraprakisht në materialin dëshmues.

Para nëntë vitesh, lidhur me këtë vrasje të pesfishtë gjashtë persona u akuzuan për veprën penale Terrorizëm. Tani akuza për këtë vepër penale mbetet për tre persona, dy auzohen për ndihmë në kryerjen e veprës penale ndërsa një lirohet nga akuza. Mund të duken ndryshime të vogla, por bëhet fjalë për jetën e dikujt që deri para disa vitesh ishte në rrezik të dënohet për vepër penale për të cilën nuk ka pasur prova të dënohet e të cilin sistemi juridik në të kaluarën megjithatë e kishte dënuar me burg të përjetshëm. Tani del që për personin në fjalë nuk ka sa duhet prova për involvim në rast dhe i njëjti lirohet nga akuza. Kjo po që është një kthesë e madhe në këtë rast e cila nuk duhet anashkaluar.

E nga ana tjetër janë familjet e viktimave që kërkojnë të dinë të vërtetën. Është i gjithë opinioni publik që dëshiron të dijë të vërtetën por asessi ta kuptojë atë në tërësi. Vendosja e drejtësisë përmes ndërtimit të rastit mbi themelet e vendosura kohë më parë dhe nga një regjim i kaluar për fat të keq nuk do të arrijë realisht t’i sqarojë të gjitha dyshimet lidhur me këtë vrasje dhe motivet përse ajo ka ndodhur.

Shkruan: Besa Arifi

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button