Ajdari: Nuk kishim takim zyrtar me Pendarovskin kur na tha që nëse publikohen “bombat” do të ketë trazira

Familjari i të akuzuarve në rastin “Monstra”, Bedri Ajdari, mbrëmë në emisionin “Click Plus” të TV21, tregoi një bisedë joformale që ka pasur me Stevo Pendarovskin, në vitin 2016-të, në kohën e protestave të Revolucionit Laraman, gjegjësisht atëherë ai nuk ishte president, por deputet i LSDM-së, ndërkaq partia e tij, gjegjësisht Zoran Zaev, disa herë paralajmëroi se do të publikojë përgjime për rastin “Monstra”, me të cilat do të zbardhet e vërteta për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, njofton Portalb.mk.

Siç tha Ajdari, asokohe Pendarovski i ka thënë që Zaev nuk po i publikon “bombat” apo përgjimet për “Monstrën” pasi që, amerikanët nuk e lejojnë, për shkak se mund të nxitet luftë, kur të kuptohet e vërteta.

“Gjatë protestave të Revolucionit Laraman, jemi takuar para Parlamentit me kryetarin e shteti që është tani, Stevo Pendarovski, e pyetëm se pse “bombat” nuk i shpalosi zotëri Zaevi, po e citoj, thotë – kam qenë prezent kur kanë ardhur të kodrës, duke aluduar për amerikanët dhe i kanë thënë ti a dëshiron të nxisësh luftë. Kur ta kuptojnë njerëzit se kush janë vrasësit dhe kush janë fajtorët, atëherë të dy palët edhe shqiptarët edhe maqedonasit do të shkojnë para qeverisë ku do t’i pret garda njësitet speciale policore dhe do të shkojnë ta kapin për fyti Gruevskin se pse ka ndodhur kjo dhe pse i ke akuzuar shqiptarët, d.m.th. këtu do të ketë një përleshje masive. Këtë e them publikisht dhe në sy ku të dëshirojë, këtu në Amerikë dhe ku të dëshirojë”, tha Ajdari.

Sot nga Presidenca kanë dërguar një reagim, duke thënë që Pendarovski nuk ka pasur takim me familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra” dhe se Pendarovski nuk ka kurrfarë informate për të vërtetën e vrasjes.

“Presidenti Pendarovski në lidhje me rastin “Monstra”, asnjëherë nuk ka pasur takim me familjarët e të akuzuarve, e as që ka ndonjë informatë dhe njohuri në lidhje me vrasjet, të marrë nga institucionet e brendshme ose burimet e huaja, as në periudhën para se të zgjedhet president, as pasi është zgjedhur”, thuhet në kumtesën e Presidencës.

Megjithatë, Ajdari për Portalb.mk, shpjegon se takimi nuk ka qenë zyrtar, por se kanë biseduar derisa kanë qenë duke protestuar.

“Takimi ka qenë i rastësishëm, pra nuk ka qenë zyrtar. Ai ka qenë duke protestuar me familjen e tij dhe aty kemi biseduar”, tha Ajdari duke shpjeguar se ka dëshmitar për atë, pasi që në takim ka qenë i shoqëruar edhe nga një person tjetër, por ka pasur edhe persona tjerë pasi që ajo bisedë është zhvilluar në publik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button