KUJTESË DHE HISTORI

Flisja përpara një auditori për proceset kulturore, shoqërore dhe politike që kishin ndodhur në hapësirat e shtetit me emër të komplikuar, RSFJ. Shtetet me kësi emrash, sipas Milan Kunderës, shkojnë drejt zhdukjes.

Flisja përpara të rinjve mbi protagonistët e kohës; për shkrimtarë, historianë, akademikë, gazetarë, klerikë, gjeneralë dhe politikanë; për elitat kulturore që ndikuan në proceset politike.

A nuk ishin bërë memorandume shoviniste nga akademikët e shkrimtarët dhe a nuk ishin realizuar nga politikanët e gjeneralët?

A nuk kishin filluar luftërat në Jugosllavi pikërisht në kulturë, siç thotë Mirko Kovaçi?

A nuk ishin elitat kulturore që e mbartën luftën nga letërsia dhe kultura në sferën ideologjike e politike dhe më pas në institucione ushtarake?

A nuk i keqpërdorën mitet e stereotipat, letërsinë e historinë; që e krijuan ideologjinë e urrejtjes; që bënë përgatitjen morale për praktikimin e krimit, siç thotë Kazazi?

A nuk ishte Milorad Paviqi që thoshte se Millosheviqi ishte “Shën Sava i kohës sonë” dhe a nuk ishte shkrimtarja Desanka Maksimoviqi që i duartrokiste këtij “Shën Save”?

A nuk ishte një poet që çirrej se “Kosova ishte fjala më e shtrenjtë” dhe a nuk ishte edhe një tjetër poet që jepte urdhra për vrasjen e njerëzve të pafajshëm, i cili tani është i dënuar për krime kundër njerëzimit?

Kisha bindjen se auditori ishte i informuar. Se për një bashkëmoshatar timin këto janë gjëra të njohura e të përjetuara.

Megjithatë, vura re se edhe të rinjtë më kureshtarë kishin pak njohuri për atë që kishte ndodhur në atë kohë.

Brezat kanë ndryshuar. Për brezin tim ajo kohë është kujtesë. Për brezin më të ri është histori.

Brezi i ri nuk ka si ta dijë një histori të pashkruar; një histori me gjenocide, krime lufte, krime kundër njerëzimit, me varreza masive, ku përgjegjëse ishin edhe elitat kulturore.

Për ta shkruar historinë duhet distancë kohore. Duhet, gjithashtu, që historia të mos bëhet madem prej ku nxirren “xehet” e urrejtjes. Megjithatë, nëse duam të mos përsëritet, atëherë gjërat që kanë ndodhur duhet të shënohen, të mësohen edhe në shkollë.

Milosh Qiriq thotë se Serbisë i pengon fakti se e ka bërë gjenocidin e parë në Europën e pas Luftës së Dytë Botërore. Ai kërkon që në librat shkollorë të shkruhet për gjenocidin dhe varrezat masive në Bosnjë e në Kosovë.

“Të vdekurit kurrë nuk do të na lënë të qetë. Nuk duhet të kërkojmë kompromise për gjenocidin e bërë”.

Nuk duhet bërë kompromise për hir të viktimave.

Duhet shkruar më shumë mbi këtë kohë. Duhet shkruar për heronjtë dhe antiheronjtë e saj. Jo për t’i bishtnuar të tashmes, me protagonistë edhe të asaj kohe, por për ta ndjekur logjikën e Brehtit – duke folur për të njohurën, ta njohim të panjohurën e kohës sonë…

Danilo Kishi, derisa ligjëronte për krimet komuniste, vuri re se studentët dhe intelektualët në Perëndim nuk u besonin dëshmitarëve që rrëfenin për krimet apo gulagun. Kjo e nxiti që ta shkruante “Një varr për Boris Davidoviqin” (1976).

Duhet shkruar, gjithashtu, jo vetëm për elitat që ndikuan në hasmërinë ndërmjet kombeve, por edhe për ata që në kushte terrori e histerie guxuan t’i kundërviheshin të keqes. Njëri prej tyre ishte Jevrem Brkoviqi.

Duhet të rrëfejmë për kohën që e kemi jetuar, por është marrëzi të kërkojmë nga brezi i ri që të mendojë si ne, ta ketë botëshikimin tonë, t’i bëj marrëzitë tona. Edhe ashtu ai paguan shumë borxhe të huaja.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button