fbpx

Nuk ka dëshmi se vaksina anti-COVID shkakton sterilitet, homoseksualitet dhe se do të zhdukë popullatën

Po bëhet një vit që bota po lufton me pandeminë COVID-19 dhe në të njëjtën kohë me “infodemnë”, e cila ndonjëherë duket se përhapet me ritme më të shpejta se virusi. Dezinformatat dhe informatat e paverifikuara, gjatë gjithë kësaj krize, evoluojnë varësisht se si zhvillohen ngjarjet me pandeminë. Përderisa kompanitë farmaceutike “Pfizer” dhe “Moderna” garantojnë efikasitetin e vaksinës anti-COVID-19, në internet shpërndahen dhjetëra thashetheme të cilat përhapin kaos dhe pasiguri në opinion, shkruan Portalb.mk.

Para një muaji, kompanitë farmaceutike “Pfizer” dhe “Moderna” kaluan vijën e fundit në garën për të prodhuar një vaksinë kundër koronavirusit të ri, COVID-19, e cila ka prekur dhjetëra miliona njerëz dhe ka vrarë më shumë se 1.5 milionë njerëz globalisht. Nga ana tjetër, interneti u mbush nga një furi të dezinformatave dhe informatave të paverifikuara profesionalisht, të cilat na tregojnë për rreziqet dhe qëllimet e fshehta të vaksinimit kundër COVID19.

Përderisa pak muaj më parë, ishte temë mjaftë aktuale, se gjatë vaksinimit do na futen çipa në trup, tani spekulimet rreth vaksinimit kanë marrë tjetër dimension. Arritjen shkencore thashethemet dhe lajmet e rrejshme mundohen të zbehin duke hapur dilema në opinion se vaksina do ndikojë në rritjen e sterilitetit dhe sipas një teorie të re, vaksina kundër COVID-19 do i devijojë gjenet në organizmin e njeriut.

Titujt më të përhapura ditëve të fundit në portalet e rajonit shqipfolës:

Demistifikim

Nuk ka dëshmi shkencore se vaksina shkakton sterilitet

Spekulimi se vaksina anti-COVID shkakton sterilitet te femrat fillimisht u shfaq në fillim të dhjetorit në një faqe informimi në gjuhën angleze, të quajtur “Health and Money News”. Sipas këtij artikulli, udhëheqësi i hulumtimit në kompaninë “Pfizer”, Michael Yeadon, ka deklaruar se vaksina do të shkaktojë sterilitet te femrat. E vërteta është se ky person nuk punon në kompaninë “Pfizer” që nga viti 2011.

Yeadon dhe mjeku gjerman Wolfgang Wodarg i dërguan një letër Agjencisë Evropiane të Barnave, nga ku kërkuan të ndalen provat klinike të vaksinës COVID-19 nga “Pfizer”. Sipas pretendimit të Wodarg dhe Yeadon në letër thuhet se vaksina “Pfizer” bllokon një proteinë që është thelbësore në formimin e placentës tek gjitarët dhe se ata mendojnë se është e mundur që gratë që marrin vaksinën mundet ta humbasin fertilitetin. Por, ata në asnjë moment nuk deklaruan fakte shkencore se si vaksina shkakton sterilitet.

Ekspertët thonë se nuk ka asnjë provë se vaksina do të rezultojë në sterilizimin e grave.

Rebecca Dutch, kryetare e departamentit të biokimisë molekulare dhe qelizore të Universitetit të Kentucky, sqaron për AP se:

“Edhe pse syncytin-1 dhe proteina s kanë disa karakteristika të ngjajshme, ato janë krejt të ndryshme në detajet që njohin antitrupat. Për më tepër, vaksina që po zhvillohet nga Moderna, Pfizer dhe BioNTech, kanë për bazë përcjelljen e ARN-së , i cili i tregon trupit se si të prodhojë proteina s dhe trajnon sistemin imunitar për të identifikuar virusin e vërtetë. Ato nuk përmbajnë synctyn-1”- shpjegon Dutch.

“Ideja që qendron pas kësaj teknologjie është se të dy vaksinat përmbajnë sekuenca të ARN-së e cila bënë kodifikimin për proteinën s të virusit SARS-COV2”- shprehet Matthew Frieman, profesor i mikrobiologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Meriland.

Jacob Yount, profesor në Universitetin e Ohios është njohës dhe studiues i proteinave syncytin, ai madje studion edhe proteinat syncnytin që gjenden në virusin SARS-CoV2. Shkencëtari thotë se vaksinat anti-COVID19 nuk përmbajnë proteina syncyn1.

Pretendimet se vaksina anti-COVID19 mundet të shkaktojë sterilitet janë hedhur poshtë edhe nga kompania “Pfizer”.

Përndryshe, Wodarg dhe Yeadon në opinion njihen si figura të cilët kanë përhapur dezinformata lidhur me COVID-19 edhe më herët. Në tetor të këtij viti ,Yeadon deklaronte se “pandemia ka mbaruar në të vërtetë”. Ndërsa, në mars të 2020 Wodarg pretendonte se virusi i ri nuk ishte më i dëmshëm se gripi sezonal dhe se nuk do ketë nevojë për vaksinim.

Vaksina nuk shkakton homoseksualitet

Pretendimi se vaksina anti-COVID do të jetë në gjendje të modifikojë gjenet e njeriut dhe të shkaktojë homoseksualitet, shkencërisht nuk është e mundur. Këto vaksina janë dizajnuar që ti stimulojnë proteinat të krijojnë përgjigje imunitare kundër COVID-19, duke përdorur gjene të virusit. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ADN vaksina përfshin futjen e saj drejtpërdrejtë në indet e përshtatshme të një plazmidi që përmban sekuencën e ADN-së, e cila kodifikon antigjenin (et) kundër të cilave kërkohet një përgjigje imune. Pra, me fjalë tjera një vaksinë e ADN-së përfshin injektimin e një pjese të vogël të kodit gjenetik të virusit (ADN ose ARN) për të stimuluar përgjigjen imune në një pacient pa infeksion.

Kjo procedurë nuk krijon një organizëm të modifikuar gjenetikisht, të cilin Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e përcakton si “një organizëm në të cilin një ose më shumë gjene ( transgene) janë futur në materialin e tij gjenetik nga një organizëm tjetër duke përdorur teknologjinë e ADN-së rekombinante”. Ekspertë botëror deklarojnë për Reuters se teria në fjalë është një mit që përhapet në të gjithë botën nga aktivistë të anti-vaksinimit me qëllim që të krijohet konfizion në opinion:

“Modifikimi gjenetik do të përfshinte futjen e qëllimshme të ADN-së së huaj në bërthamën e një qelize njerëzore, vaksinat nuk e bëjnë këtë gjë. Vaksinat funksionojnë duke trajnuar sistemin imunitar për të njohur një patogjen kur përpiqet të infektojë trupin – kjo bëhet kryesisht nga injektimi i antigjeneve virale ose viruseve të dobëta të gjallë që stimulojnë një përgjigje imune përmes prodhimit të antitrupave. ADN-ja [në vaksinat e ADN-së] nuk integrohet në bërthamën qelizore kështu që ky nuk është modifikim gjenetik”-  shpjegon Mark Lynas nga grupi “Aleanca për Shkencën” në Universitetin Cornell.

Qëllimi i vaksinës

Qëllimi i çdo vaksine anti-COVID-19 është të përgatisë sistemin imunitar të trupit tuaj për të prodhuar grimca që luftojnë infeksionin, të njohura si antitrupa, të cilat janë në gjendje që ta sulmojnë pikërisht virusin SARS-CoV-2 ose ndonjë përbërës më të vogël të tij. Për ta arritur këtë qëllim gjatë përpunimit të vaksinës janë përdorur një larmi metodash të ndryshme shkencore.

Vaksinat e kompanive “Pfizer” dhe “Moderna” si dhe “AstraZeneca” përdorin segmente të vogla të ARN-së dërguese të krijuara për të prodhuar një proteinë specifike që gjendet në SARS-CoV-2. Sapo ajo proteinë të prodhohet në trup, sistemi imunitar trajnohet për të krijuar antitrupa të aftë për ta sulmuar atë, duke i dhënë asaj një mjet për të luftuar virusin nëse një person ekspozohet ndaj tij, shkruan portali për verifikim të fakteve Snoopes.

Më 2 dhjetor 2020, Britania e Madhe u bë vendi i parë në botë që i dha dritë jeshile vaksinimit të popullsisë kundër COVID-19. Studimet tregojnë se vaksina është 95% e sukseshme dhe nuk ka shfaqur efekte anësore serioze. Për disa muaj me radhë vaksina u testua te mijëra vullnetarë, ndërkohë në 20 nëntor opinioni u njoftua se vaksina nuk ka dhënë efekte anësore tek personat e vaksinuar.

COVID-19 është më vdekjeprurëse se gripi dhe pandemia nuk ka mbaruar akoma.

Lufta me lajmet e rrjeshme, FB fshin 12 milion postime

Me qëllim që të ulet vala e dezinformimit, autoritetet e Facebook njoftuan se do të fillojnë të heqin çdo postim në Facebook ose Instagram me informacion të rremë në lidhje me vaksinat. Më konkretisht do të fshihen postimet që përmbajnë pretendime të rremë në lidhje me sigurinë e vaksinës, efikasitetin, përbërësit ose efektet anësore, raporton Assoicated Press.

Nga marsi deri në tetor, “Facebook” ka fshirë 12 milion postime me dezinformata që kanë të bëjnë me koronavirusin. Postimet e fshira madje përfshijnë edhe një post nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ku ai thotë se fëmijët janë “praktikisht imunë” ndaj virusit.

Nga ana tjeter, Rrjeti për Verifikimin e Fakteve në Institutin – Poynter, nga janari deri në dhjetor ka publikuar rreth 220 artikuj ku demistifikonsrtikuj të rrejshëm që kanë të bëjnë vetëm me vaksinimin kudër COVID19. Këtë fenomen Instituti e quan si mbidozë të keq-informimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button