fbpx

Kampioni i RMV-së, karateisti Driton Halimi synon të garojë në Evropë (VIDEO)

Driton Halimi vjen nga qyteti i Tetovës, ka 12 vite që merret me sportin e karates. Ai ka korrur shumë suksese duke marrë pjesë në gara të ndryshme botërore, evropiane dhe ballkanike. Në intervistë për Portalb.mk ai tregoi për pjesëmarrjen e tij në kampionatin botëror, fitoret e tij dhe 130 medaljet që posedon. Ndërsa ai iu drejtua rinisë me mesazhin se në Maqedoninë e Veriut është shumë e vështirë por, me punë dhe besim në vete arrihet çdo qëllim.

Driton Halimi
Driton Halimi

Kur ke filluar dhe si ka qenë vazhdimësia e karrierës tuaj si karateist?

Me karate merrem tani më 12 vite. Që në fillimet e para korra shumë suksese dhe tregova talentin që kisha për këtë sport, andaj me shumë dëshirë vazhdova të merrem me këtë sport.

Nga kush keni pasur përkrahjen më të madhe?

Përkrahjen më të madhe e kam nga familja dhe shoqëria, ndërsa motivin gjithmonë e kam nga trajneri im Prof. Arlind Huseini i cili vazhdimisht kujdeset për mua. Ai është trajneri më i suksesshëm në shtetin tonë i cili ka arritur të nxjerr kualitet shumë të mirë të cilët kanë sjellë medalje ballanike, evropiane dhe botërore ku dhe në atë listë bej pjesë edhe unë si medalist ballkanik.

 

Me sportin e karates keni arritur të merrni shumë medalje, sa janë gjithsej?

Deri më tani unë numëroj diku te 130 medalje ku shumica janë të vendit të parë.

Cilat janë disa prej turneve më të rëndësishme dhe më të vështira të karates që keni marrë pjesë?

Unë kam marrë pjesë në shumë turne ballkanike, evropiane dhe botërore. Të them të drejtën të gjithë janë të vështira sepse janë kampionate shumë të mëdha ku gjithë garuesit kanë përvojë dhe duhet shumë punë dhe stërvitje që të krahasohesh me ata të vendeve të jashtme.Por, megjithatë unë tani kam fituar shumë pervojë dhe nuk e kam aq te veshtirë të ballafaqohem me çfarë do lloji kundërshtarësh.

Driton Halimi

Eksperienca juaj në kampionatin botëror të karates?

Në kampionatin botëror në Tenerife kur kam marrë pjesë kam qenë shumë i përgatitur shumë i motivuar falë familjes dhe shokëve. Ishte hera e parë që merrja pjesë në një kampionat të tillë me aq shumë shikues dhe kisha një emocion të çuditshëm që nuk mund ta përshkruaj me fjalë, dhe për fat të keq nuk munda të fitoj atë medalje.

Sa herë keni arritur të korrni fitore në gara të ndryshme, përmend disa prej tyre?

Unë jam kampion i Maqedonisë së Veriut disa herë, dhe nën-kampion ballkanik. Kam arritur të fitoj vendin e shtatë në Kupën e Botës në Umag, por edhe jam pjesëmarrës në shumë turne internacionale.

Driton Halimi


Cili është synimi juaj për të ardhmen?

Unë tani do të garoj në kampionatin shtetëror për të fituar të drejtën që të garoj në kampionat evropian. Shpresoj të kthehem me një medalje të artë që t’i gëzoj të gjithë ata që kanë besuar në mua dhe më kanë përkrahur.

Si një sportist i suksesshëm, çfarë mesazhi motivues do ju jepje të rinjve?

Mesazhi im për të rinjtë është që të merren me sport, të kenë një trup dhe tru të shendoshë dhe të mos dorëzohen të punojnë për qëllimin që kanë sepse vetëm me punë arrihet gjithçka. Unë e di se në vendin tonë është e vështirë për çdonjërin për të arritur diçka por, me besim në veten tuaj dhe me punë arrihet çdo qëllim.

Ndiqeni videon në vazhdim për të parë intervistën dhe momente të tjera të tij sa i përket karates.

Intervista të tjera të realizuara nga Portalb.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button