OBSH-ja vazhdoi hetimet mbi origjinën e COVID-it në Kinë

Një ekip shkencëtarësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë që po zhvillon hetime rreth origjinës së koronavirusit të ri, vizitoi të hënën një qendër të kontrollit të sëmundjeve në provincën Hubei të Kinës, një institucion kyç në menaxhimin e hershëm të shpërthimit të virusit. Virusi u shfaq për herë të parë në kryeqytetin e kësaj province në Wuhan, në fund të vitit 2019, transmeton VOA.

Autoritetet kineze nuk dhanë asnjë detaj në lidhje me vizitën e ekipit në Qendrën Provinciale të Hubei-t për Kontrollin e Sëmundjeve. Ndërkohë një prej ekspertëve të OBSH-së Peter Daszak u tha gazetarëve se ekipi kishte zhvilluar një “takim shumë të mirë e të rëndësishëm”.

Ekipi i OBSH-së i cili ka mbërritur në Kinë prej muajit të kaluar, ka vizituar gjithashtu tregun e prodhimeve të detit në Wuhan, ku u shfaqën një grup rastesh me COVID-19 si dhe të paktën një nga spitalet e qytetit ku u trajtuan disa nga pacientët e parë me koronavirus.

Shkencëtarët duan të dinë se nga e ka zanafillën virusi, tek cila kafshë dhe si arriti ai të transmetohet tek njerëzit, diçka që mund të kërkojë vite për t’u zbuluar.

Ne vazhdojmë të bëjmë pyetje e të kërkojmë më shumë të dhëna…”, tha në një konferencë shtypi të hënën në Gjenevë Mike Ryan i Programit të Emergjencave në OBSH.

Epidemiologia amerikane dhe udhëheqësja teknike mbi çështje të COVID-19-s në OBSH, Maria Van Kerkhove, tha se ekipi është përqendruar në “rastet e hershme” dhe “se po zhvillon diskutime të frytshme rreth kësaj çështjeje” me homologët e tij kinezë.

Shpërthimi i koronavirusit në Kinë çoi në një pandemi mbarëbotërore të COVID-19-s. Të dhënat e universitetit Johns Hopkins tregojnë se prej fillimit të pandemisë deri më sot janë regjistruar më shumë se 103 milionë infektime në të gjithë globin ndërsa më shumë se 2.2 milionë njerëz kanë vdekur.

Gjatë tre javëve të fundit është shënuar një rënie e infektimeve në të gjithë botën. Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus e quajti këtë një “lajm inkurajues”, por shtoi se “kjo ka ndodhur edhe më parë”.

Gjatë një konference për shtyp të hënën zoti Ghebreyesus tha se “gjatë vitit të kaluar, pothuajse në të gjitha vendet ka pasur momente kur rastet e reja kanë rënë e për pasojë qeveritë kanë zbutur kufizimet dhe njerëzit nuk janë treguar më të kujdesshëm”, duke çuar siç tha ai “në rritjen sërish të numrit të infektimeve”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button