Tetovë, i frikshëm numri i qytetarëve që denoncojnë sulm nga qentë endacak, komuna: Këtë vit kemi ndarë më shumë mjete

Gjatë stinës së dimrit qentë endacak bëhen më agresiv, kjo për shkak se të njëjtit kanë mungesë të ushqimit, kështu tha veterineri nga Tetova, Rami Selmani, ndërsa e konfirmon edhe raporti i SPB-së, ku për një muaj, ka 19 raste të sulmit nga qentë endacak. Nga Komuna e Tetovës për këtë vit kanë ndarë dyfish më shumë mjete për zgjidhjen e kësaj problematike, kjo e fundit, ka ndryshuar mënyrën e kërkesave për dëmshpërblim nga qytetarët e kafshuar në rrugë, shkruan Portalb.mk.

Portalb.mk rreth një muaj më herët lajmëroi se mjetet të cilat ishin paraparë për trajtimin e qenve endacak në Tetovë kishin mbaruar, dhe se, qentë nuk po trajtoheshin.

Kjo mesa duket ka dhënë edhe rezultatin e vetë, sipas raportit të SPB-së, gjatë muajit janar, vetëm 10 ditë nuk është raportuar sulm nga qentë endacak.

“Gjatë muajit janar janë denoncuar 19 raste të sulmit nga qentë endacak, 7 raste janë në Komunën e Gostivarit ndërsa 12 në Komunën e Tetovës” informoi Fatmir Rexhepi nga SPB-ja.

Veterineri i cili vazhdimisht ka trajtuar qentë endacak në Tetovë potencoi se kjo e fundit ndodhë për shkak se gjatë dimrit, këta qen bëhen ende më agresiv, nga mungesa e ushqimit dhe vetë stina e dimrit.

Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.
Ambulanta e cila ka fituar të gjithë tenderët për zgjidhjen e këtij problemi, në Tetovë, Gostivar dhe Dibër.

“Për momentin ata bëhen agresiv për shkak se nuk kanë ushqim, andaj bëhen shumë agresiv gjatë dimrit” tha Rami Selmani, veterinar.

Ai përsëri shtoi atë që disa herë e ka denoncuar, edhe atë nevojën për marrjen e masave parandaluese kundrejt personave të cilët sipas tij, sjellin qen endacak nga qytetet tjera në Tetovë. Selmani tha se në Tetovë aktualisht ka rreth 400 qen endacak.

“Sa para, aq muzikë” kishte deklaruar pronari i “Dog and Cat” në pyetjen e Portalb se pse nuk arrihet që të gjithë qentë të trajtohen dhe sterilizohen në një afat kohor më të shpejtë, marrë parasysh se kjo problematikë është e kamotshme në Tetovë.

“Mjetet financiare të cilat ndahen për këtë qëllim nuk janë të mjaftueshme, trajtimi i secilit qen veçmas është procedurë e kushtueshme. 9000 denarë për një qen ndërsa paratë që ndahen nuk na mjaftojnë. Në qoftë se do të ndahen tre milionë denarë ashtu siç u premtua nga komuna, besoj se do të zgjidhet problemi”, tha Rami Selmani nga kompania që vazhdimisht ka fituar tenderin nga Komuna e Tetovës për trajtimin e qenve endacak.

Kjo kërkesë përmes Portalb.mk e pronarit të “Dog and Cat” mesa duket ka rënë në veshin e Komunës së Tetovës, autoritetet komunale për këtë vit kanë ndarë pikërisht tre milionë denarë për trajtimin e qenve endacak.

Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.
Bekim Memeti, kryetar i këshillit komunal, Tetovë.

“Komuna e Tetovës për këtë vit ka paraparë një buxhet më të madh nga viti paraprak. Ku janë të parapamë një shumë totale prej tre milionë denarësh për trajtimin e qenve, për dallim nga viti paraprak ku ishin të ndara një milion denarë. Shpresoj që nëse do të ketë nevojë ne jemi këtu për ta shtuar atë pjesë të buxhetit përmes rebalancit”, tha kryetari i këshillit komunal në Tetovë, Bekim Memeti.

Tani, personat e kafshuar nga qentë endacak, dëmshpërblimin duhet ta kërkojnë në gjykatë

Komuna e Tetovës ka ndryshuar mënyrën e dëmshpërblimit të qytetarëve të sulmuar nga qentë endacak, tani të gjithë të prekurit nga kjo problematikë do të duhet t’i drejtohen gjykatës themelore në Tetovë.

“Dua të shfrytëzoj rastin të bëj apel deri te qytetarët që janë të kafshuar nga qentë endacak që të drejtën e tyre për dëmshpërblim ta shfrytëzojnë përmes gjyqit”, shtoi Bekim Memeti nga Komuna e Tetovës.

Theksojmë se deri tani se a do të pranohet kërkesa për dëmshpërblim apo jo është vlerësuar përmes një komisioni i përbërë nga anëtarë të Komunës së Tetovës, kjo ka ndryshuar me kërkesë të kryetares së komunës, Teuta Arifi.

Ndryshe, si veterinari Rami Selmani, ashtu edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, disa herë kanë theksuar se ka persona të cilët sjellin qen endacak nga qytetet tjera, në Tetovë. Njoftojmë se nga Sektori për Punë të Brendshme këto vazhdojnë të ngelin në “thashetheme” siç u shprehen ata, pasi që asnjë rast i tillë nuk është denoncuar ende.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button