Prokurori Joveski: Autorët e “Monstrës” akuzohen në bazë provave të forta dhe të qëndrueshme

Prokurori Publik Lubomir Joveski, në lidhje me rastin Monstra deklaroi se autorët janë akuzuar në bazë të provave të qëndrueshme dhe të padiskutueshme. Ai këto komente i bëri në një intervistë për “Deutsche Welle”, transmeton Portalb.mk.

Ai tha se procedura e përsëritur e rastit hoqi dyshimet se bëhet fjalë për proces të montuar.

“Para së gjithash, do të doja të them se perceptimi i publikut është i gabuar që verdikti u rrëzua vetëm për shkak të ekzistencës së mundshme të bisedave të përgjuara. Pas apelimit të të akuzuarve, Gjykata e Lartë konstatoi se vërtetësia e fakteve vendimtare u vu në dyshim seriozisht dhe tregoi se gjatë rigjykimit ishte e nevojshme rikonstruimi i ngjarjes dhe nga pikëpamja e dëshmisë së dëshmitarit të rrezikuar, se mbrojtjes nuk i është lejuar inspektimi i veturës, me çka është shkelur parimi i barazisë së armëve, por edhe të rrethanave të tjera nga gjendja e vërtetuar faktike”, tha Joveski.

Ai theksoi se në rastin gjyqësor nuk ka fitues ose humbës.

“Për shkak të viktimave dhe të dëmtuarve, autorët duhet të sillen para drejtësisë. Dhe një gjë e tillë të bëhet në mënyrë ligjore dhe me prova të forta dhe të qëndrueshme. Gjëja më e rëndësishme është që autorët e këtij krimi të rëndë të akuzohen në bazë të provave të padiskutueshme dhe të qëndrueshme në një procedurë ligjore”, tha prokurori publik.

Joveski  për “DW” gjithashtu foli edhe për rastin “Dhoma Publike“.

“Dhoma Publike” është profil i hapur në platformën Telegram, me seli në një vend të huaj. Prandaj, nuk kemi asnjë mundësi ligjore të urdhërojmë, shfuqizojmë, ndalojmë funksionimin e tij, madje as të udhërojmë ndjekjen penale të autorëve të krimit që të na japin provat. Prandaj, në raste të tilla, ndërmarrja e veprimeve të caktuara kërkon një periudhë më të gjatë kohore, por edhe gatishmëri për të bashkëpunuar me autoritetet e huaja gjyqësore. Në të njëjtën kohë, do të doja të përmendja se ka nevojë për ndryshime në Kodin Penal në këtë drejtim, gjegjësisht është e nevojshme që legjislacioni të ndjekë zhvillimin modern, por edhe të zhvillojë bashkëpunim me autoritetet e huaja kompetente”, deklaroi Joveski.

Ndryshe më 29 janar familjarët e të akuzuarve në rastin “Monstra”, organizaun protestë në Shkup, pasi  Prokuroria në seancën e fundit gjyqësore i tha fjalët përfundimtare dhe me të njëjtat, i akuzoi se ata janë fajtorë për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, me përjashtim të Sami Lutës, për të cilin e tërhoqi akuzën në mungesë të provave.

Gjykimi për rastin “Monstra” në Maqedoninë e Veriut ka shkaktuar sërish valë pakënaqësie në opinion. Edhe pse ende nuk ka mbaruar dhe pritet që gjykatësit të thonë fjalën e fundit, kërkesa e Prokurorisë për burgim të përjetshëm për 3 persona, është shkak për riaktualizimin e protestave, pas atyre të të tensionuara të vitit 2014-të. Që konfuziteti dhe acarimi në opinion të jetë më i madh, përpos avokatit të të akuzuarve që thotë se ata janë të pafajshëm, problem shtesë është dhe deklarimi i kryeministrit Zoran Zaev, i cili kur ishte në opozitë, deklaronte se “persona të pafajshëm qëndrojnë pas grilave”. Por, tani ai thotë se gjithmonë ka folur me rezerva dhe se do të vendosin organet e drejtësisë.

Më 3 shkurt mbrojtja do të mbajë fjalë përfundimtare, ndërkaq më pas Gjykata duhet të caktojë një termin tjetër për ta shqiptuar aktgjykimin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button