Raporti javor i ISHP-së: Më pak vdekje, më shumë të infektuar me Kovid-19

Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik në periudhën nga 25 deri më 31 janar 2021, janë testuar gjithsej 13,742 materiale në laboratorë që kryejnë testime molekulare dhe testimin e antigjenit për praninë e SARS-CoV-2 dhe është shënuar rritje prej 24.5 përqind në krahasim me javën e kaluar. Janë regjistruar 2.036 raste të reja pozitive nga 33 qytete të vendit me rritje prej 17.9 përqind krahasuar me javën e kaluar. Shumica e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi, njofton Portalb.mk.

Përqindja e pozitivitetit në periudhën e përmendur varion nga 9 në 18 përqind, ose me një mesatare prej 14 përqind, identike me javën e kaluar.

“Persona të infektuar janë regjistruar në të gjitha grupmoshat. Grupmosha më e zakonshme është mbi 60 vjeç (26.5 përqind). Një numër i madh i pacientëve të infektuar janë regjistruar në grupmoshat 40-49 (18.1 përqind), 50-59 (17.9 përqind), 30-39 (18.4 përqind) dhe 20-29 (12.3 përqind). Numër më i ulët është regjistruar tek fëmijët e moshës 0-9 (2 përqind) dhe 10-19 vjeç (4.8 përqind). Pas marrjes së dy testeve negative për praninë e SARS-CoV-2 ose përdorimit të algoritmit të ri, 2.977 persona të hospitalizuar ose në kurim shtëpiak janë shëruar, 41.4 përqind më pak krahasuar me javën e kaluar,” thuhet në raport.

Janë raportuar 64 vdekje nga 18 qytete, 7.2 përqind më pak se javën e kaluar. Për sa i përket moshës, 55 persona ishin mbi 60 vjeç, 6 persona të moshës 50-59 vjeç dhe 3 persona të moshës 40-49 vjeç.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button