fbpx

Kosovë, qytetarët mbështesin bisedimet me Serbinë – por pa prekje territoresh

Një studim i publikuar nga Qendra e Kosovës për studime të sigurisë, tregon se shumica e qytetarëve e mbështesin vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës e Serbisë, por kundërshtojnë në çdo mënyrë një marrëveshje që ka të bëjë me shkëmbimin e territoreve.

Plator Avdiu nga kjo qendër tha se idetë që përfshijnë territoret, Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe mini Shengeni Ballkanik vazhdojnë të kundërshtohen nga qytetarët e Kosovës, transmeton VOA.

“Shkëmbimi i territoreve është kundërshtuar në mënyrë të fuqishme nga qytetarët e Kosovës nga 89 për qind e tyre, gjithashtu edhe marrëveshja e Asociacionit do të thotë vazhdon të ketë trend negativë ne mesin e qytetarëve të Kosovës. Ndërsa sa i përket idesë së Mini Shengenit që është edhe një nga pikat që është diskutuar në takimin e delegacionit të Kosovës e Serbisë në Washington edhe për këtë qytetarët nuk është se janë dashamirës ndaj kësaj ideje ndoshta që nuk kanë shumë informata, kjo ka rezultuar që 58 për qind e qytetarëve nuk kanë informata apo njohuri se çka qëndron mbrapa idesë së mini-Shengenit dhe si rrjedhojë e saj shumica e tyre nuk do të përkrahnin ose 53 qind nuk do ta përkrahnin krijimin e mini-Shengenit për Ballkanin Perëndimor”, tha zoti Avdiu.

Sipas raportit, 60 për qind e të anketuarve mendojnë se bisedimet nuk kanë ndryshuar asgjë në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, ndërsa 17 për qind e tyre mendojnë ka pasur një farë përmirësimi në marrëdhëniet ndërmjet tyre.

Dialogu Kosovë-Serbi studim
Dialogu Kosovë-Serbi studim

“Zgjidhja më e mirë sipas 77 për qind e qytetarëve do të duhej të ishte njohja e Kosovës nga Serbia në kufijtë ekzistues, 11 për qind e qytetarëve mendojnë që nuk do të ketë fare marrëveshje, pra nuk është numër i madh i qytetarëve që ndajnë mendimin se nuk duhet të ketë marrëveshje, 6 për qind e atë anketuarve mendojnë se duhet të ketë zgjidhje tjera”, tha zoti Avdiu.

Po ashtu në raport thuhet se “shumica e të anketuarve mendojnë se marrëveshja mund të arrihet gjatë 3 ose 5 viteve të ardhshme ndërsa 49 për qind e qytetarëve mendojnë se do të ketë paqe dhe 42 për qind mendojnë se nuk do të ketë paqe mes shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan”.

Raporti vë në pah po ashtu se rreth 47 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova e Serbia në të ardhmen do të kenë marrëdhënie të mira ndërmjet veti ndërsa 44 për qind mendojnë që nuk do të ketë.

Studimi që është kryer në Kosovë dhe Serbi vë në pah qëndrimet e kundërta të shqiptarëve dhe serbëve për qëllimin e bisedimeve.

Derisa shumica e qytetarëve të Kosovës besojnë se qëllimi i bisedimeve është njohja e ndërsjellë, në Serbi ekziston perceptimi se qëllimi i këtij procesi është kthimi i Kosovës në Serbi me një autonomi më të gjerë”. Po ashtu në gjetjet kryesore të raportit thuhet se “shumica e qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë mendojnë se bisedimeve i mungonte transparenca, se nuk ka ndryshuar asgjë ose se vetë qytetarët nuk kanë pasur ndonjë përfitim nga procesi. Qytetarët e Serbisë janë më pak optimistë në krahasim me qytetarët e Kosovës për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve. Shumica e serbëve nuk presin të shohin normalizimin e marrëdhënieve me shqiptarët e Kosovës pavarësisht rezultatit të dialogut”.

Kosova e Serbia sivjet mbushin dhjetë vjet që nga fillimi i bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, por ende nuk shihet fundi i tyre.

Bisedimet që rifilluan vitin që lamë pas, pritet të vazhdojnë në pranverë meqë aktualisht Kosova është në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button