Ganiu po përfundon mandatin pa realizuar premtimin për rikonstrumin e kopshteve për fëmijë (VIDEO)

Rikonstruimi i fasadës dhe pajisja e kopshteve për fëmijë me efikasitet energjetik, rikonstruimi i gardhit, rregullim hortikulturor, fushë lojë me rekuizita, pajisje urbane, rrugica për këmbësorë, janë një pjesë e premtimeve parazgjedhore të “Kontratës” së Visar Ganiu. Në të ai premtoi se do të rikonstruojë të gjitha kopshtet për fëmijë në Komunën e Çairit, duke përfshirë projektet e lartëpërmendura, si dhe do të ndërtojë edhe dy objekte të reja të kopshteve.

Portalb.mk vizitoi disa prej kopshtet të cilat Ganiu premtoi se do t’i rikonstruonte, por të njëjtat nuk kanë ndryshuar, të paktën jo nga pjesa e jashtme.

I pyetur nga Portalb.mk para disa ditëve, se deri ku janë projektet për rikonstruimin e kopshteve siç kishte premtuar, kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu tha se është rikonstruar një kopsht, duke mos dhënë detaje më të hollësishme se çfarë ka ndodhur me kopshtet e tjera dhe pse ata nuk janë rikonstruar deri më tani,.

“Kemi rikonstruar një çerdhe në mënyrë totale nga dyshemeja deri te kulmi”, deklaroi ai.

Sa i përket ndërtimit të objekteve të reja të kopshteve, ka filluar ndërtimi i vetëm njërës prej tyre dhe e njëjta është akoma në fazën e ndërtimit të themelit, që do të thotë se nuk ka mundësi të përfundojë deri në përfundimin e mandatit të Ganiut.

Ndërtimi i kopshtit të ri në Komunën e Çairit
Ndërtimi i kopshtit të ri në Komunën e Çairit

Edhe pse në tabelën informuese të investitorit të vendosur në vendin ku zhvillohen punimet, shkruan se ndërtimet e objektit kanë filluar në gusht të vitit 2020, vënia e gurthemelit është vendosur 4 muaj më vonë nga ana Ganiut dhe ministres së Punës dhe Politikës Sociale, përkatësish më 25 dhjetor.

Bëhet fjalë për objektin e ri në kuadër të kopshtit për fëmijë “Fidani” në rrugën “Kemal Sejfulla”.

Por edhe në këtë objekt punimet kanë ngecur. Nga fotografitë që ka siguruar Portalb.mk pasi hapësira ku kanë filluar ndërtimet është mbushur me ujë, gjë që ka pamundësuar zhvillimin e mëtejmë të punimeve.

Ndërtimi i kopshtit të ri në Komunën e Çairit
Ndërtimi i kopshtit të ri në Komunën e Çairit

Hapësira e përgjithshme e këtij ndërtimi do të jetë 3150 m2, vlera e projektit është paraparë të jetë 120.083.880,00 denarë, ndërsa kapaciteti hapësinor është paraparë për 350 fëmije dhe gjithsej 21 kabinete. Ky projekt parashihet që të përfundojnë në vitin 2022.

Kujtojmë se, Visar Ganiu në programin e tij të fushatës parazgjedhore të zgjedhjeve lokale, premtoi se do të bënte rikonstruimin e kopshteve Borëbardha 1 – Xhuxhet, Borëbardha 2 – Fjolla, Fidani 1 – Amë, Fidani 4 – Vesa, ndërsa do të ndërtonte kopshtin e ri Fidani 3 – Bambi dhe një kopsht të ri në rrugën Serava.

Por, mandati i Ganiut po përfundon së shpejti, duke lënë kopshtet e fëmijëve pothuajse njësoj në gjendjen që i ka gjetur nga paraardhësi i tij bashkpartiak.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button