ASH – AAA e quan Naseri Ziberin “Avokat të BDI-së”

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa në ditën e betimit solemn të avokatit të popullit, Naser Ziberi para Kuvendit, ka shprehur pakënaqësitë e tij në lidhje me zgjedhjen e tij në këtë post. Forumet rinore të ASH-AAA, nëpërmjet një aktiviteti simbolik, e kanë vendosur një pllakat para Zyrës së Avokatit të Popullit, në të cilën Ziberin e kanë emëruar si “Avokatit të BDI-së apo të Qeverisë”, shkruan Portalb.mk.

“Është fakt se Naser Ziberi nuk është i pavarur dhe i mëvetësishëm, prandaj ai nuk do të mund t’i mbrojë të drejtat e qytetarëve karshi këtij pushteti. Që do të thotë ai nuk është dhe asnjëherë nuk mund të jetë Avokat i Popullit. Prandaj ne sot, në ditën e inaugurimit të tij, në mënyrë simbolike kemi vendosur që Zyrën e Avokatit të Popullit ta riemërojmë ashtu siç e meriton dhe siç në të vërtetë do të jetë kjo zyrë: “Zyra e Avokatit të BDI-së apo të Qeverisë”. Në këtë mënyrë, bëjmë thirrje te të gjithë institucionet e BE-së që publikisht ta dënojnë këtë akt të kapjes së institucioneve shtetërore, i cili jo vetëm që është në kundërshtim me ligjin për Avokatin e Popullit, por është në kundërshtim edhe me principet e Venecias për Avokatin e Popullit”, deklaroi Liridona Emini, sekretare e FRASH.

FRASh FRAA

Ajo më tej ka shtuar se, para disa ditëve në mënyrë shumë dinake në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut vetëm me 61 vota të pozitës dhe pa pajtueshmërinë e opozitës, Naser Ziberi u zgjodh avokat i popullit.

“Rikujtojmë se Naser Ziberi, përveç se ka qenë funksionar politik e partiak, në zgjedhjet e fundit ishte edhe kandidat për kryeministër shteti nga BDI. Nga partia e cila sot është në Qeveri dhe kundrejt së cilës ironikisht, Naser Ziberi do të duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve. Kjo është në kundërshtim direkt me vet ligjin për Avokatin e Popullit, i cili në nenin 3 thotë: Avokati i Popullit është i pavarur dhe i mëvetësishëm në kryerjen e funksionit. Ndërsa, neni i dytë thotë: Avokati i Popullit është organi i cili i mbron të drejtat kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve dhe të të gjithë personave të tjerë, kur ata shkelen nga organet e administratës shtetëror dhe organet dhe organizatat e tjera që kanë organizime publike”, tha ajo.

Naser Ziberi, i cili para disa ditëve u zgjodh Avokat i Popullit i Maqedonisë së Veriut, sot dhe solemnisht u betua në prani të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në pyetjen e mediave se “nëse detyra e Avokatit të Popullit është kompensim për pоstin kryeministër”, Ziberi u pëgjigj se “nuk është as kompensim as dhuratë”.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 25 janar, me 61 vota “për” e zgjodhi Naser Ziberin për Avokat të popullit.  “Për” votuan edhe 26 deputetë nga komuniteti jo-shumicë. Kundër kandidaturës së tij ishin deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Ziberi i cili është noter, ka qenë kandidat për kryeministër i BDI-së në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare. Ai u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button