RMV, shoqëria civile vetëm formalisht e përfshirë në një pjesë të reformave në administratën publike

Edhe pse formalisht i kemi të kyçura organizatat civile vetëm në një mekanizëm për vëzhgimin e reformave në administratën publike, në thelb ato nuk kontribuojnë mjaftueshëm. Kjo u tha në konsultimin e sotëm sektorial me temë “Efektet e punës së Grupit Sektorial të Punës për Reformën në Administratën Publike dhe sfidat e ardhshme për përmirësimin e bashkëpunimit mes organizatave civile”, në kuadër të projektit të koordinuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur – Maqedoni, “Dialog me organizatat civile – Platforma për pjesëmarrje të strukturuar në integrimet e BE-së”, raporton Portalb.mk.

Koordinatorja e FSHHM-së, Marija Mirçevska, kërkoi që shoqëria civile të përfshihet në mekanizmat për zbatim dhe vëzhgim të reformave për administratën publike, ose të paktën në Grupin Sektorial të Punës të bisedohet për reformat në administratën publike.

“Përfaqësuesit e shoqërisë civile nuk marrin pjesë në Këshillin për Reforma në Administratën Publike, Sekretariatin për Reforma në Administratën Publike, Ekipin për Reforma në Administratë Publike, Grupit Special, në Bordet Mbikëqyrëse të një pjesë të projekteve. Ne marrim pjesë vetëm në Grupin Sektorial të Punës, por si duket ky grup nuk dëshiron të lëshohet në diskutim të politikave sektoriale. Kështu që, ose shoqëria civile duhet të marrë hapësirën e saj në këtë mekanizma ose reformat në administratë të diskutohen në Grupin Sektorial të Punës ose të dyja. Ne mund të marrim pjesë edhe në mekanizmat tjera për vëzhgimin e reformave”, tha Mirçevska.

Drejtoresha e Qendrës për Menaxhim me Ndryshimet, Neda Malevska, theksoi se dialogu mes shtetit dhe organizatave civile mungon, ndërkaq duhet temë e diskutimit në mbledhjet e Grupit Sektorial të Punës të jenë çështjet thelbësore, a jo vetëm për drejtimin e ndihmës donatoriale ndaj vendit.

“Sipas asaj që është prezantuar në raport, dialogu mungon. Më duket se në këtë Grup Sektorial të Punës, por edhe forumeve tjera që i kemi, siç është Këshilli për Reforma në Administratën Publike, Sekretariati për Administratë Publike, Grup Special për Administratë Publike, Komitet Vëzhgues, mendoj që thelbi duhet të jetë që të diskutohet në çështje kyçe se çfarë do të bëjmë me reformat. Grupet Sektoriale të Punës duhet të jenë forum për çështje thelbësore, për shembull aty duhet të bisedohet për efektivitetin e administratës publike, besimin e qytetarëve te institucionet dhe jo të jenë vend vetëm për informim se ku do të drejtohet mbështetja e ardhshme financiare e BE-së në cilat fusha prioritare. Dua që ta tejkalojmë atë procesin e konsultimeve dhe informimeve të shoqërisë civile dua t’i shoh si vend për diskutim dhe mbledhje të të dhënave”, theksoi Malevska.

Mirçevska i prezantoi disa prej gjetjeve nga raporti në hije nga ndjekja e punës dhe efekteve të Grupit Sektorial të Punës për Reforma në Administratën Publike në periudhë 2019-2020.

“Duhet të bëhet revizion i Rregullores për punë, nga ana e shoqërisë civile pas konsultimeve mes tyre. Të demokratizohet procesi i zgjedhjes së pjesëmarrësve nga shoqëria civile, duke siguruar qasje të barabartë për të gjithë.  Përpara seancave, përfaqësuesit e shoqërisë civile duhet që të njoftohen me kohë se çfarë do të diskutohet në seancë. Ka numër të vogël të sesioneve plenare, ndërkaq në mbledhjet operative ku nuk marrin pjesë OJQ-të, mbahen më shumë. Grupi Sektorial i Punës për dy vjet, ka mbajtur vetëm 2 seanca plenare a është dashur të mbajë secilin vit nga 4”, tha Mirçevska.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri theksoi se i pranon vërejtjet nga raporti në hije nga ndjekja e punës dhe efekteve të Grupit Sektorial të Punës për Reforma në Administratën Publike në periudhë 2019-2020.

“Që prej sot ekipi i MSHIA-s, do të punojë në adresimin e vërejtjeve dhe rekomandimeve që dalin prej këtij raporti. Pajtohem me vërejtjet dhe Rregulloren për punë duhet ta përshtatim jo vetëm me vërejtjet e tuaja, por duhet ta precizojmë edhe rolin e Grupit Sektorial të Punës, duke pasur parasysh se janë tre trupa që e ndjekin procesin e reformave në administratën publike. Dua të ju siguroj se MSHIA do të mbetet mbështetës aktiv dhe përkrahës i shoqërisë civile”, tha Shaqiri.

Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU

Në prezantimin e sotëm u fol edhe për reformat në administratë.

Ish deputetja Liljana Popovska, e cila është pjesë e organizatës “Zelen Institut”, tha se mungon strukturimi i kuadrit dhe duhet të ketë zhvillim në karrierë.

“Nuk duhet ta numërojmë administratën publike, por duhet të shohim se sa kemi institcuine që janë kompetente. Konkluzioni im është që nuk kemi institucione kompetente, pasi që nuk kemi kuadër kompetent në ato institcuione. Problemin kryesor e theksoj që nuk kemi udhëheqësi, strukturë të brendshme në ato institucione, më saktësisht kemi shumë institucione pa strukturë udhëheqëse, praktikisht kemi strukturë të zbrazët. Që të tejkalohet, zhvillimi në karrierë i administratorëve. Ligji është i keq, nuk është i zbatueshëm, ka zgjidhje jo-inteligjente, të palogjikshme. Nuk ka të definuara profile të qarta”, tha Popovska.

Nga ana tjetër, Malevska, rikujtoi disa prej qëllimeve që nuk po realizohen.

“4 vjet pas udhëzimeve dhe dokumenteve strategjike, kemi administratë që është me madhe dhe ka 132.900 të punësuar në vitin 2019-të për dallim prej 124.313 në vitin 2017-të dhe kemi rritje të numrit të institucioneve në 1.324, prej mbi 1.200. Vetë shteti ka vendosur indikator që të ulet numri i të punësuarve në 107 mijë dhe të optimizohen institucionet për 20%. Çështja tjetër, pavarësisht se sa është numri i madh, çfarë ajo administratë ofron, a na jep neve qytetarëve më shumë shërbime? Kemi projekt për digjitalizim të shërbimeve dhe sot Drejtoria për Menaxhim me Librat Amë i cili është institucioni kryesor që jep numër më të madh të shërbimeve digjitale, për dokumentet e qytetarëve, nuk funksionon, a ne flasim për digjitalizim?”, tha Malevska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button