fbpx

Rita Ajdaraga: Si t’u shmangemi akneve në fytyrë

Një prej problemeve të shpeshta gjatë moshës së adoleshencës dhe moshës së pjekurisë, janë aknet që shfaqen në fytyrë. Rita Ajdaraga, studente në Fakultetin e Mjekësi, e cila është e apasionuar pas kujdesit ndaj fytyrës dhe lekurës, për Portalb.mk tregon gjërat elementare të cilat të gjithë duhet t’i dinë për kujdesin ndaj lëkurës së tyre.

Rita para disa muajve hapi blogun e saj në Instagram, të quajtur @skindiaryofr, për të ndihmuar çdonjërin që ka problem me fytyrën dhe jo vetëm.

“Gjatë kohës së izolimit, duke ndjekur trendet e reja nëpër botë, rastisa në një kanal në YouTube për kujdesin ndaj lëkurës, i cili me ngjalli një interes të madh. Duke mësuar më shumë rreth kësaj teme, kuptova se jemi relativisht të painformuar për gjërat që përdorim dhe për mënyrën se si të kujdesemi për lëkurën.Kështu, më lindi një ide që të hap një blog në Instagram dhe të ndaj njohuritë e mia me ata që kanë të njëjtin pasion dhe dëshirë si unë, të kemi një fytyrë të shëndetshme.  Shumë të rinj vuajnë nga aknet dhe problemet e shumta të lëkurës, për këtë shkak m’u ngjall dëshirë që t’i ndihmoj dhe informoj për atë se çfarë rruge duhet të merret për një pamje më të shëndetshme.” tha Rita.

Rrjetet sociale kanë bërë të mundur që secili nga ne t’i marrë informatat e nevojshme. Por, kur jemi te kujdesi ndaj fytyrës, shpeshherë aty mund të gjejmë edhe informata të gabuara, shkaku i së cilave mund ta dëmtojmë lëkurën tonë.

Rita, meqë vetë studion mjekësinë, kjo i ka ndihmuar që t’i njeh përbërësit e produkteve dhe të mos bie pre e rutinave të dëmshme.

Sa u përket rregullave elementare që gjithkush duhet t’i dijë për fytyrën, qoftë edhe atyre që kanë fytyrë të pastër, Rita shprehet:

“Bazat e kujdesit të lëkurës do kisha thënë që janë mjaft të thjeshta dhe çdokush duhet t’i praktikojë.

1. Të zbulojmë llojin e lëkurës sonë. A është e yndryshme, e thatë, e kombinuar apo e ndjeshme.     Pa ditur këtë veti, frustrimi do jetë i madh kur produktet që përdorim nuk do funksionojnë.

  1. Një nga hapat më të rëndësishëm që mund ta rregullojë komplet një rutinë kujdesjeje është larja dhe pastrimi adekuat i fytyrës. Ne, vajzat, që zakonisht lyhemi më shumë me makiazh, duhet patjetër ta dimë pastrimin dyhapësh të lëkurës. Hapi i parë është heqja e makiazhit me një ujë micelar ose vaj pastrimi për fytyre dhe jo me facoleta, dhe hapi i dytë që është pastrimi me ujë dhe sapun fytyre me bazë uji.
  2. Gjithashtu edhe hidratimi luan njërol të madh në bazat e kujdesit ndaj lëkurës, pasi që i mban qelizat e lëkurës të shëndetshme dhe të ushqyera. Duhet të përdoret një krem i cili i përshtatet llojit të lëkurës sonë.
  3. Kurrënuk duhet të harrojmë dhe mbrojtjen nga dielli me faktor SPF, i cili duhet të jetë minimum 30, që të shmangim dëmtimin e lekurës nga rrezet e diellit dhe plakjen e parakohshme.
    Nëse i kemi parasysh të gjitha këto pika dhe i ndjekim me kujdes çdo mëngjes dhe mbrëmje, kjo paraqet hapin më të madh, i cili luan rolin më të rëndësishëm për një lëkurë të përkryer.” u shpreh Rita Ajdaraga.

Pandemia solli në jetët tona edhe aksesorin të patjetërsueshëm, maskën. Maskat bën që një numri të madh të njerëzve t’u ndikojë keq në fytyrë, duke iu shfaqur shumë akne, ose siç i quajnë dermatologët, maskne. Po si mund t’ju shpëtojmë mask-kneve? Për këtë pjesë, Rita thotë:

“Padyshim që mbajtja e maskave për shumë kohë gjatë ditës ka efektet negative ndaj lëkurës. Shumë njerëz ballafaqohen me aknet të cilat paraqiten shkaku i mbjatjes së maskës në pjesën e poshtme të faqeve dhe në mjeker. Me emër tjetër ato quhen tani dhe “maskne”. Masknet janë një problem i cili nuk do rregullohet vetëm me rutinën bazike që permenda më lartë, por, duhet të shtohen disa përbërës të cilët do ta stimulojnë përmirësimin e lëkurës sonë.

Të preferuarit e mi për këtë rast janë acidi salicilik, nacinamida dhe acidi hialuronik. Acidi salicilik, që shumica e njohim edhe si salicylic acid, ndihmon në penetrimin e thellë në poret dhe pastrimin e tyre rrënjësor. Pasi që kur mbajmë maskën, lëkura jonë avullohet, në poret tona depërtojnë më lehtë të gjithë bakteret dhe makiazhi që kemi vënë. Për këtë arsye, acidi salicilik është zgjedhja e përsosur. Nga ana tjetër, për shkak të avullimit brenda maskës, lëkura humb hidratimin dhe kështu krijohen akne ose mbase dhe tharje e tepërt e lëkurës. Këtu hyjnë në punë niacinamida dhe acidi hialuronik. Niacinamida e riparon barrierën hidratuese të lëkurës, ndërsa acidi hialuronik e hidraton lëkurën dhe shtresat e saj. ” tha Ajdaraga.

Mesazhi që Rita përcjell për të gjithë, sa i përket kujdesit ndaj lëkurës, është:

“Këshillat që më kanë ndihmuar mua tejmase thonë:
Një lëkurë e shëndetshme s’do të thotë një lëkurë perfekte. Duhet të pranojmë me pozitivitet çdo ndryshim të lëkurës. Ajo i tregon të gjitha problemet e tjera që mund t’i kemi (pagjumësia, stresi, ushqimet jo të shëndetshme etj.). Unë e përdor kujdesin ndaj lëkurës si një terapi psiqike dhe shpirtërore, jam vetëm me produktet e mia të përcjellur me një muzikë të lehtë pas një ditë të lodhshme dhe kjo më bën të flej një gjumë të qetë dhe të kem qetësinë mendore që të gjithë e meritojmë.” përmbylli Rita.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button