ANALIZË: RMV, kamatat për kursime në rënie – u zvogëluan me 1%, depozitat në nivel historik prej 7.1 miliardë euro! (Infografik)

Për depozitat e kursimeve të qytetarëve dhe të kompanive, bankat llogaritin kamata më të ulëta se 1%. Fundi i vitit 2020 u shënua nga një rënie e ndjeshme e kamatave për depozitat. A i dekurajon kursimet trendi i këtillë? Të dhënat tregojnë se vlera e bazës së depozitave është në rritje, pavarësisht nga rënia e kamatave. Në fund të dhjetorit 2020, ekspozimi i përgjithshëm kreditor i bankave arriti në 5.8 miliardë euro.

60% e depozitave të kursyera – në denarë…

Në fund të dhjetorit, depozitat e përgjithshme të kursimeve në banka tejkaluan 7 miliardë euro – që është niveli më i lartë në histori. Rritja e kursimeve u regjistrua si te familjet ashtu edhe në sektorin e korporatave. Të dhënat nga Banka Popullore tregojnë se në bazë mujore, baza e depozitave është rritur për 3%, ndërsa në nivel vjetor rritja është më e madhe.

“Depozitat totale, në dhjetor, u rritën për 3.0% në bazë mujore, ndikuar nga rritja e depozitave në të dy sektorët, me një pjesëmarrje pak më të lartë të sektorit të korporatave. Krahasimin në nivelin vjetor tregon se depozitat e përgjithshme janë më të larta për 5.9%, në rastin kur kemi rritje të depozitave në të dy sektorët, që është më e theksuar në sektorin e “familjeve” – njoftoi BPM-ja.

Çfarë tregon analiza e të dhënave të kursimeve? Rritje ka edhe te kursimet e firmave edhe te kursimet e qytetarëve.

Kështu, në fund të dhjetorit 2020, popullata në banka ruajti 4.64 miliardë euro, ndërsa kompanitë, gjegjësisht sektori i korporatave kishte në dispozicion 2 miliardë euro, kurse shuma e mbetur u përket depozitave të klientëve të tjerë që janë gjithashtu pjesë e “sektorit joshtetëror”.

Ndërsa të dhënat tregojnë një rritje të kursimeve, kamatat e depozitave po bien – si për depozitat ekzistuese ashtu edhe për depozitat e kursimeve të reja. Sipas ekonomistëve të konsultuar nga “Portalb”-i, kjo situatë është e pritur në kushtet kur ende mbretëron “skepticizmi” rreth instrumenteve alternative të kursimit.

“Qytetarët dhe kursimtarët në përgjithësi nuk udhëhiqen nga lartësia e kamatës së ofruar për kursime, por nga vlerësimi i rrezikut. Në fakt, në vendin tonë ekzistojnë instrumente alternative për kursim, siç janë investimet në fondet e investimeve dhe polisat e sigurimeve, por këto instrumente në një farë mënyre nuk njihen nga qytetarët, dhe ato i shihen me skepticizëm. Prandaj, për qytetarët, veçanërisht ata që kursejnë në baza mujore me shuma më të ulëta, mënyra më e pranueshme është investimi i parave në bankë pavarësisht nga lartësia e kamatës” – tha profesori Marjan Petreski dhe shtoi:

“Një faktor tjetër që ndikon në uljen e kamatave të depozitave është rënia e kamatave për kreditë. Në periudhën e kaluar, ishim dëshmitarë të një oferte të madhe të likuiditetit, ndërsa nga ana tjetër kishte mungesë të projekteve cilësore dhe të qëndrueshme për dhënie të kredive, gjë që shkaktoi ulje të kredive për kreditë.”

Në fund të dhjetorit, kamata mesatare e depozitave ishte 0.95%, që është niveli më i ulët që nga fundi i vitit 2019. Kamata për depozitat e pranuara rishtas ishte 0.68%.  Sipas ekonomistëve, ky trend rënës i kamatave pritet të vazhdojë.

“Mendoj se kjo tendencë e uljes së kamatave për depozitat, që po ndodh në vitet e fundit, do të vazhdojë, por nuk presim përqindje negative të kamatave” –  thotë profesori Petreski.

Sa i përket strukturës së valutës, të dhënat tregojnë se ka rritje të kursimeve si në denarë, ashtu edhe në valutë të huaj, por edhe më tej ka dominim të kursimeve në denarë. Llogaritja e “Portalb”-it tregon se vlera e depozitave në denarë është 3.86 miliardë euro, ndërsa vlera e depozitave në valutë të huaj është 2.78 miliardë euro.

Sipas valutës, vazhdojnë të dominojnë kursimet në denarë, duke zënë 60% të bazës totale të depozitave. Në fund të dhjetorit 2020, plasmani i përgjithshëm kreditor i bankave arriti në 5.8 miliardë euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button