Ekipi ligjor i ish-presidentit Trump në kaos, disa ditë para gjyqit në Senat

Ndërsa ka mbetur pak më shumë se një javë para fillimit të gjyqit të dytë në Senat për ish-Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ekipi i tij ligjor duket të jetë në kaos, shkruan VOA.

Dy avokatë me emër nga Karolina e Jugut, Butch Bowers dhe Deborah Barbier, pritej të ishin avokatët kryesorë të Trump. Por media njoftonte të shtunën se të dyja palët kishin rënë dakord të mos punonin bashkë.

Përveç kësaj, tre avokatë të tjerë që njoftohet se kanë punuar me ish-presidentin nuk janë më pjesë e ekipit ligjor të tij, sipas një informacioni të njoftuar fillimisht nga CNN.

Sipas njoftimeve, Trump dhe avokatët kishin mosmarrëveshje lidhur me strategjinë ligjore të përshtatshme për gjyqin e 9 shkurtit.

Ish-presidenti po përballet me akuzën e “nxitjes së rebelimit” në lidhje me turmën që sulmoi Kapitolin më 6 janar. Ai ka afat deri të martën që t’u përgjigjet këtyre akuzave.

Sipas burimeve të mediave, Trump, do që avokatët të përqendrohen tek ideja e provuar si e pavërtetë se ai humbi zgjedhjet presidenciale ndaj Joe Biden-it, sepse ishte viktimë e mashtrimit të gjerë në zgjedhje, në vend që të përqëndrohet tek akuzat për nxitjen e rebelimit.

Analistët thonë se gjasat janë që akuzat e Dhomës së Përfaqësuesve ndaj ish-presidentit të rrëzohen, pasi 45 senatorë republikanë votuan në një përpjekje për ta konsideruar gjykimin e ardhshëm si antikushtetues meqë ish-presidenti nuk është më në detyrë.

Trump është presidenti i parë amerikan mbi të cilin janë ngritur dy here akuza për shkarkim. Ai u shpall i pafajshëm nga Senati një vit më parë lidhur me akuzat për abuzim pushteti dhe se kishte penguar drejtësinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button