Sivjet planifikohet të fillojë ndërtimi i “Autostradës së Paqes”

Autostrada Prishtinë – Merdare, e njohur ndryshe edhe si “Autostrada e Paqes” do të fillojë të ndërtohet në mesin e këtij viti, paralajmëroi për REL, ministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi.

“Në kemi prezantuar planin e fizibilitetit te pala amerikane dhe pranë Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me ndihmën e palës amerikane, kemi aplikuar për financim”, thotë Abrashi, duke sqaruar që duhet të ketë edhe marrëveshje të re ndërkombëtare financiare që duhet të kalojë në kuvend.

“Të mbyllim këtë marrëveshje, në mënyrë që të fillojnë procedurat për ndërtimin e autostradës diku në mes të këtij viti”, shton ai.

Kjo autostradë, në territorin e Kosovës është vazhdimësi e autostradës “Ibrahim Rugova”, që ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë – Podujevë. Janë edhe rreth 27 kilometra tjera që do të ndërtohen deri në Merdare, ndërkaq, kostoja e ndërtimit, sipas ministrit në detyrë, Abrashi përafërsisht është mbi 200 milionë euro.

Fizibilitet për hekurudhat Beograd-Prishtinë

Sa i përket projektit tjetër që del nga marrëveshja e Uashingtonit, ai i ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë me një port në det të thellë në Adriatik, Abrashi thotë se pasi të hartohet projekti, do të aplikohet për financim në mekanizmat financiarë ndërkombëtarë.

“Te hekurudha kemi kërkuar nga Korporata Financiare për Zhvillim e SHBA-së (DFC) të fillojë zyrtarisht të identifikojë ekipet që do të bëjnë studimin e fizibilitetit për hekurudhën nga Merdarja deri në Durrës. Për të ndihmuar këtë proces, ne kemi nënshkruar marrëveshje me Qeverinë e Shqipërisë, ku të dyja palët zotohemi që të punojmë bashkë në hartimin e fizibilitetit të këtij projekti”, thotë ai.

Ndërtimi i një linje hekurudhore nga Prishtina deri në portin e Adriatikut, nga ministri në detyrë Abrashi, vlerësohet si një projekt i rëndësishëm, pasi që rrit pozitën gjeostrategjike dhe Kosova bëhet një vend transit i mallrave për Ballkan dhe Evropën Qendrore.

Ndryshe, me realizimin e këtyre projekteve, siç janë prononcuar liderët politikë në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të hapen shumë vende pune, duke mundësuar uljen e nivelit të lartë të papunësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button