VV, AAK e Nisma nuk zëvendësojnë kandidatët për zgjedhjet e 14 shkurtit

Përfundimisht, Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, vetëm në mendjet e votuesve të tij do të jetë i pari në listën e kandidatëve të kësaj partie, raporton EN. Sipas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri të cilin mbante Kurti në listë, dhe 21 kandidatët që nuk plotësuan kushtet ligjore, nga partitë e tjera, sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, do të mbeten bosh. Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, nuk kanë pranuar të ndryshojnë renditjen e listave të kandidatëve.  

“Lëvizja Vetëvendosje ka vendosur që përmes organit më të lartë, Këshillit të Përgjithshëm, të mos ndryshojë radhitjen në listë edhe çfarëdo tendence tjetër, është e kundërligjshme”, u shpreh Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga LVV-ja.

Partitë kishin afat t’a ndryshonin renditjen e listave të shtunën në orën 16:00, por përfaqësuesit e këtyre tri partive thanë në KQZ, se nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.

“Njoftimi ka përmbajtur edhe shënimin që në rast se listat e subjekteve politike me minus kandidatë, ku ka numra rendorë por mungojnë kandidatët, ato hapësira në broshurat e kandidatëve dhe në formularin e rezultatit të kandidatëve do të shënjohen me hijezim për të evituar vendosjen gabim të votave të kandidatëve”, deklaroi Ylli Buleshkaj, drejtor i Zyrës për Regjistrim e Certifikim të Partive.

Ndryshimi i renditjes së kandidatëve këtyre partive ju kërkua pasi në vendimin e Gjykatës Supreme sanksionohet se kandidatët që duhet të hiqen nga listat për shkak se kanë rënë ndesh me ligjin në tri vitet e fundit, nuk mund të zëvendësohen.

Kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, tha se vendimet e gjykatës thjesht duhet të zbatohen.

“Por ne këtu nuk jemi, nuk jemi të komentojmë as vlerësojmë vendimet e instancave më të larta”, u shpreh Valdete Daka, kryetare e KQZ-së.

Nga 47 kandidatë që ishin në fillim si persona që nuk mund të garonin, pas zëvendësimit të tyre në kohë nga disa parti, dhe rikthimit të disa të tjerëve nga Gjykata Supreme, përfundimisht jashtë listës kanë mbetur vetëm 22 prej tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button