VARGU I KRIZAVE

Këtë vend mjegulla e smogu po e mbajnë peng me vite. Kush ka hipur lart  te Mali i Krojeve e ka parë shtëllungën e madhe të zezë nëpër të cilën mezi duken majat e rrokaqiejve të Shkupit. Ngjashëm ose njësoj është edhe në Tetovë, në Kumanovë, në Gostivar në Strugë e Ohër dhe në të gjitha qytetet  tjera. Dhe, jo vetëm në Maqedoni. Edhe qytetet e këtyre po t’i shikosh nga lart ndjen  heshtjen që dhemb. E ndjen barrën që e ngulçon qytetin, nëpër rrugët-arterie të së cilit në vend se të qarkullojë ajri i pastër qarkullojnë pa pushim vetëm automjetet e vjetra.

Kështu është edhe në Shqipëri. Kështu është edhe në Kosovë. Kështu është në të gjitha vendet të ashtuquajtura vende të Ballkanit Perëndimor, që domethënë në vendet të cilat Evropa Perëndimore e strukur brenda BE-së, i ka lënë të shohë se çfarë mund t’u ndodhë njerëzve që jetojnë n këtë shtëllungë të madhe smogu  plot dyoksid karboni. Dhe, kuptohet që jetojnë në varfëri. Ndoshta nuk është ndonjë eksperiment? Ndoshta…. Sido që të jetë kësaj i thonë krizë për shkak të menaxhimit të dobët të mjedisit jetësor dhe për shkak se këto vende BE-ja i ka lënë të fërgohen në dhjamin e vet.

Kjo sa i përket marifetit të BE-së dhe politikave të saj të pakuptimta ku një votë e Qipros së largët, ta zëmë, që është thuajse ngjitur me Lindjen e Afërme (e që në BE ka hyrë pa plotësuar kurrfarë kushtesh), të vendosë për fatin e këtyre njerëzve të Ballkanit perëndimor, që janë vende me rëndësi shumë të madhe strategjike e ekonomike të BE-së. Po kështu ndodh, kur për fatin e këtyre vendeve vendos një votë e Sllovakisë ose e Holandës. Kështu e paska jeta.

Në këso situate brenda vendeve të Ballkanit perëndimor shfaqen probleme e probleme, shfaqen kriza të ndryshme që bëhen pengesë për të ecur përpara.

E para është kriza shëndetësore. Pandemia të cilën e shkaktoi virusi Kovid e ka gjunjëzuar jo vetëm shëndetësinë e këtyre vendeve, por edhe ekonominë. Pra, krahas krizës shëndetësore, kemi krizë të paparë ekonomike me pasoja të rënda. Nga këto dy kriza lindi edhe kriza e arsimit. Mësimi që po zhvillohet onlajn  është një katastrofë e vërtetë për shkak se nuk ka mjaft kompjuterë e telefona, për shkak se as arsimtarët nuk janë ushtruar për punë të këtillë dhe një mësim i tillë mbetet shumë më prapa nga mësimi  i  drejtpërdrejtë ku mësuesit dhe nxënësit do të komunikojnë për së afërmi. Kjo, më tutje do të sjellë dëme të tjera e të shumta kolaterale, si bie fjala prodhimi i kuadrove pa përgatitje të mjaftueshme për ekonominë, arsimin, administratën, gjyqësinë dhe kulturën dhe si pasojë e nxit emigrimin dhe zbrazjen e fshatrave, që në fakt është edhe një krizë demografike dhe bujqësore. Edhe kjo paraqet një problem të pariparueshëm.

Izolimi i këtyre vendeve dhe ekonomia e rëndë shkakton edhe mosmarrëveshje ndërshtetërore në rajon që mund të përfundojnë me pasoja të paparashikueshme.  Ja edhe një krizë. Kriza e marrëdhënieve ndërshtetërore me fqinjët. Kjo duket në marrëdhëniet ndërfqinjësore midis Maqedonisë së Veriut dhe  Bullgarisë të cilat kurrsesi nuk e gjejnë dot zgjidhje. Pastaj, e vështirë është  arritja e një zgjidhjeje midis Serbisë dhe Kosovës.

Të lëna në mëshirën dhe pamëshirën e BE-së (e cila i dërmoi duke e marrë pjesën më produktive të popullsisë nga këto vende,  për të cilat nuk ka bërë ndonjë farë investimi me peshë, por i ka lënë këto vende në pleq e plaka) edhe brenda vendit këtu paraqiten  kriza politike e kriza të tjera.

E para nga këto është kriza e shkaktuar nga grindjet e partive politike të cilat në secilin nga këto vende po bëjnë gara joparimore, të ashpra e me elemente absurdi.  Ndonjëherë edhe me elemente dhune. Dhe, jo pa rreziqe. Kriza të këtilla të shoqëruara me nacionalizëm dhe shovinizëm ku etnitë më të pambrojtura politikisht e ekonomikisht u nënshtrohen presioneve me urrejtje sistematike. Shembuj të këtillë ka në Bosnje, në Serbi e pjesërisht edhe në Maqedoni e cila ende nuk është çliruar nga nacionalizmi i importuar nga Beogradi gjatë ekzistimit të dy Jugosllavive.

Një krizë tjetër është kriza morale e cila është e lidhur me korrupsionin e pandalshëm, ku e pësojnë klasa punëtore, fshatarësia dhe inteligjencia për shkak se kapitali kontrollohet nga oligarkët dhe një shtresë e vogël kapitalistësh arrivistë. Kjo krizë nuk do të pushojë pa u pranuar vendet e Ballkanit në BE PA KUSHTE.

Vargu i krizave shkon tutje me krizën e identitetit. Ndër shqiptarë është bërë modë që emrat personalë t’u vihen fëmijëve prapë e mbarë, pa ndonjë simbolikë dhe pa kurrfarë lidhjeje me trashëgiminë tonë shpirtërore e gjuhësore. Askush nuk mendon se fëmija me emrin Klostul, ta zëmë, nesër do të ketë trauma dhe komplekse., për shkak se çdokush do të ketë ndonjë lidhje me të kaluarën e vet, qoftë biblike a kuranore ose, në radhë të parë kombëtare.

Është edhe një krizë shumë problematike. Kriza fetare. Këtu kisha ortodokse maqedonase e kisha ortodokse serbe kanë mosmarrëveshje të thellë, sepse kisha serbe nuk e pranon autoqefalinë e kishës maqedonase as të asaj të Malit të Zi. Nga ana tjetër kisha ortodokse greke e trajton si pronë të veten Kishën Autoqefale Shqiptare dhe paturpësisht Fan Nolin e injoron skajshmërisht e bashkë me të i bëhet presion gjuhës shqipe si në të kaluarën kur grekët e kanë pasur mbështetjen e autoriteteve turke, kurse gjuha shqipe ka qenë e anatemuar.

Hallet tjera që i shkakton kjo krizë janë raportet brenda shqiptare. Është momenti të thuhet se raportet dikur shumë të mira midis komunitetit mysliman dhe të krishterë shqiptar janë jo të mira. Një numër i të madh portalesh ka komuniteti mysliman shqiptar. Hiç më pak nuk kanë komuniteti ortodoks dhe ai katolik. Në to njeriu mund të lexojë fyerje të tilla në baza fetare që i bën shqiptari shqiptarit çfarë nuk kemi pasur rast të dëgjojmë më parë edhe në kohë edhe më të vështira.

Nuk mbeten prapa as mosmarrëveshjet midis grupeve myslimane që janë formuar në bazë të ndikimeve të shkollave e drejtimeve të ndryshme që vijnë nga Lindja e Mesme. Mosmarrëveshjet e të gjitha këtyre grupeve bashkë janë edhe me njerëzit të cilët nga feja kërkojnë thelbin e jo sipërfaqësoren siç është veshja e femrës (shamia, havaleja), po edhe e mashkullit (pantallonat e gjëra të tjera formale). Në shikim të parë këto probleme mund të duken të vogla e të kapërcyeshme lehtë. Por nuk është ashtu. Kjo është krizë e madhe.Në këtë krizë e pësojnë vlerat historike dhe figurat historike mbi shpatullat e të cilëve mbështetet krenaria kombëtare dhe identiteti i shqiptarëve. Dikush e fyen Skënderbeun e Nënën Terezë, një tjetër Ismail Qemalin. Petro Nini Luarasin, Naimin, Fishtën, Hoxhë Tahsinin e kështu me radhë. Po nuk u mbrojtëm institucionalisht ne do të mbetemi të zhveshur nga vlerat historike e kulturore, do të mbetemi popull johistorik, gjë është e barabartë me tragjedinë kombëtare.

Në këto anë, përveç mosmarrëveshjeve midis shteteve,  mosmarrëveshje kanë edhe rajon me rajon brenda shtetit, qytet me qytet dhe fshat me fshat. Të gjitha këto si mëkate duhet t’i shkruhen BE-së, për shkak se i mban të izoluara këto vende dhe kushtet x për t’u pranuar këto vende në BE- janë thuajse të parealizueshme, megjithëse këto vende është dashur të pranohen bashkë me Bullgarinë dhe Rumaninë, ku e kanë vendin për shkak se janë në zemër të Evropës.

Praktikat e vendeve të ndryshme kanë treguar se më të vogla të jenë dallimet midis grupeve e komuniteteve të ndryshme, aq më të mëdha janë problemet.

Është një barrë e madhe kjo për çdo njeri që jeton në këto hapësira. Prandaj stresi, traumat, depresioni dhe çrregullimet tjera shpirtërore janë duke u shtuar.

Prandaj është koha e fundit që të mendohet mirë, nëse BE-ja do të vazhdojë të na ngrehë për hunde, të gjitha këto vende ta ulin temperaturën epike (si në rastin e Serbisë ku jetohet me mitin e Kosovës dhe me mitin e popullit qiellor). Pra jetohet me të kaluarën e nuk ndërtohet e ardhmja e shëndetshme. Dhe, së bashku, përveç BE-së, të kërkojnë alternativa të tjera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button